Titit 3
1 Vazhdo me jau kujtu që me ju nënshtru qeverive edhe autoriteteve, me ju bindë atyne, edhe me qenë gati për çdo vepër të mirë. 2 Mos të flasin keq për kërkon, mos të jenë grindavecë, po të jenë të arsyeshëm edhe gjithmonë me tregu butësi ndaj krejt njerzve. 3 Sepse edhe na dikur ishim pa kuptim, të pabindun, të mashtrum, robër të dëshirave edhe kënaqësive të ndryshme. Jetojshim në ligësi edhe zili, ishim të urryeshëm edhe e urrenim njani-tjetrin.
4 Po kur u shfaq mirësia e Zotit, Shpëtimtarit tonë, edhe dashnia e tij për njerzimin, 5 aj na shpëtoi, jo pse kishim bo naj vepër të drejtë, po për shkak të dhimtës së tij. Na shpëtoi përmes larjes që na solli në jetë edhe përmes ripërtëritjes me frymë të shenjtë. 6 Këtë frymë e derdhi me bollëk mbi neve përmes Jezu Krishtit, Shpëtimtarit tonë, 7 që, pasi jemi shpallë të drejtë përmes mirësisë së tij të pameritume, të trashëgojmë jetë t’amshume, për të cilën shpresojmë.
8 Këto fjalë janë të besueshme, edhe du që ti t’i theksosh vazhdimisht krejt këto, që ata që kanë ardhë te besimi në Zotin, të përqendrohen me bo gjithmonë mirë. Këto sene janë të mira edhe ju hyjnë në punë njerzve.
9 Mos u merr me debate pa kuptim, me lista prejardhjeje, me grindje edhe me diskutime për Ligjin, sepse ato janë pa kuptim edhe pa dobi. 10 Njeriun që nxit sektë, largoje mas këshillës së parë edhe të dytë. 11 Sepse e din që nji njeri i tillë asht largu pi udha, po bon gjynah edhe po e dënon veten.
12 Kur ta dërgoj te ti Arteman a Tihikun, mundohu me ardhë sa ma shpejt te unë në Nikopol, sepse kam vendosë me kalu dimnin atje. 13 Pajise me kujdes Zenasin, njeriun që e ka njoft ligjin, edhe Apollosin, që mos t’ju mungojë kurgjo në udhëtimin e tyne. 14 Po edhe njerzt tanë le të mësojnë me bo gjithmonë mirë edhe me ndihmu aty ku ka nevoja urgjente, që mos me qenë pa fryt.
15 Krejt ata që janë me mu të çojnë të fala. Çoju të fala atyne që na dojnë në besim.
Mirësia e pameritume qoftë me ju krejt.