Jobi 31
1 Unë kom ba nji marrëveshje me sytë e mi.
Qysh muj atëherë me e shiku nji vajzë të virgjën me sy të këqij?
2 Qka kish me m'taku mu pi Zotit atje nalt?
Qka kish me konë trashëgimia jem pi i Gjithfuqishmi atje nalt?
3 A s'e pret fatkeqësia atë që bon keq,
edhe mjerimi ata që u bojnë dam tjerëve?
4 A s'i sheh aj krejt rrugët e mia
edhe a s'i numron krejt hapat e mi?
5 A kom ecë najherë rrugës së rrenës?
A m'ka nxitu kama me mashtru?
6 Le t'më peshojë Zoti me nji peshore të saktë, e
atëherë ka me e pa që jom njeri i ndershëm.
7 Nëse hapat e mi kanë dalë pi rrugës së
drejtë, ose nëse zemra jem ka shku mas syve
të mi, ose nëse duart e mia janë flliqë,
8 atëherë le ta hajë dikush tjetër atë që e mbjelli
unë, edhe qka e mbjelli unë, le të shkulet.
9 Nëse zemra jem u mashtru pi nji grue edhe unë
kom nejtë në pritë te dera e kojshisë tem,
10 atëherë gruaja jem le t'ia bluajë drithin nji burri
tjetër, edhe burra tjerë le të shtrihen me të.
11 Se kjo kish me konë nji sjellje pa pikë
marre, nji faj që e meriton dënimin pi gjykatësit.
12 Kjo kish me konë si nji zjarm që përpin e shkatërron,
që kish me m'i djegë edhe rrajët e krejt bereqetit tem.
13 Nëse unë ua kom mohu të drejtën skllavëve ose
skllaveve të mia, kur ata janë anku kundër meje,
14 atëherë qka muj me bo kur Zoti më kërkon llogari për këtë punë?
Qka muj me i thanë kur aj më lyp me dhanë llogari?
15 A s'i ka kriju edhe ata aj që më ka formu mu në bark të nanës?
A s'na ka formu krejtve i njejti para se me lindë?
16 Nëse unë s'ua kom plotësu dëshirat të vorfnive, ose i
kom bo sytë e vejushës me u mbushë me mërzi,
17 nëse e kom hangër bukën tem krejt
vetë, pa e nda me jetimat,
18 (se qysh pi rinisë teme, jetimi asht rritë te unë si me
pasë babë, edhe qysh pi fëminisë teme e kom ndihmu vejushën),
19 nëse e kom pa dikon tu vdekë se s'ka pasë tesha, ose e kom
pa nji njeri të vorfën që s'ka pasë me qka me u mbulu,
20 nëse aj s'më ka falënderu, kur asht
ngrohë me leshin e deleve të mia,
21 nëse e kom ngritë grushtin kundër nji jetimi, kur aj
ka pasë nevojë për ndihmën teme te porta e qytetit,
22 atëherë le t'më bjerë krahu pi supit,
edhe le t'më thyhet krahu te bërryli.
23 Se unë jom tutë pi fatkeqësia që vjen pi Zotit,
edhe përpara madhështisë së tij s'kom mujt me qëndru.
24 Nëse unë e kom vu besimin tem te ari, ose arit ma të pastër i kom thanë:
„Ti je siguria jem!“,
25 nëse pasunia jem e madhe u konë krejt
gëzimi jem, se kom fitu aq shumë pasuni,
26 nëse e kom pa diellin tu shndritë, ose
hanën tu kalu me krejt bukurinë e saj,
27 edhe zemra jem tinëz u la me u mashtru, sa
me i adhuru ato tu u çu puthje me dorë,
28 atëherë edhe kjo kish me konë nji faj që e meriton dënimin
pi gjykatësit, se kështu e kisha mohu Zotin e vërtetë atje nalt.
29 A jom gëzu najherë kur armiku jem u shkatërru, ose a
m'ka ardhë mirë kur e ka gjetë naj e keqe?
30 Unë s'e kom lanë kurrë gojën teme me bo gjynah, tu e
mallku armikun tem e tu lypë që me ia marrë jetën.
31 A s'kanë thanë njerëzit në çadrën teme:
„A ka naj njeri që s'asht ngi me ushqimin e tij?“
32 Asnji i huej s'ka pasë nevojë me e kalu natën jashtë.
Çdo udhëtari ia kom çelë dyert e mia.
33 A kom tentu najherë me i mshefë gjynahet e mia si
njerëzit tjerë, tu e mshefë fajin tem në xhepin e teshës?
34 A jom tutë pi reagimi i krejt atyne njerëzve, ose
a m'ka kapë frika pi përbuzja e familjeve tjera, sa
që kom heshtë e s'kom guxu ma me dalë jashtë?
35 Ah, veç dikush me m'ni!
Unë e kisha nënshkru krejt atë që e kom thanë.
Le të më përgjigjet i Gjithfuqishmi!
Ah, veç ai që më akuzon me i pasë shkru akuzat e veta në nji letër!
36 Unë e kisha mbajtë atë letër mbi sup, edhe
e kisha lidhë rreth kresë si nji kurorë.
37 Unë ia kisha dhanë llogarinë për secilin hap tem.
Kisha shku te aj pa pikë frike, si nji princ.
38 Nëse ara jem kish me bërtitë me za të naltë tu u
anku kundër meje, edhe brazdat e saj kishin me kajtë krejt bashkë,
39 nëse e kom hangër bereqetin e saj pa e pagu,
ose nëse i kom çu pronarët e saj në dëshpërim,
40 atëherë le të më dalin therra në ven të
grunit, edhe bar i keq që qelbet në
ven të elbit.“ Këtu marrin fund fjalët e Jobit.