Historia e Apostujve 6
1 Në ato ditë, kur numri i nxansave po shtohej, Judenjtë që flitshin greqisht nisën me u anku kundër Judenjve që flitshin hebraisht, sepse vejushat e tyne po liheshin anash në shpërndarjen e përditshme. 2 Atëherë të Dymbëdhjetët e thirrën turmën e nxansave edhe thanë: „S’asht drejt që na me e lanë anash fjalën e Zotit për me shpërnda ushqim te tavolinat. 3 Prandaj, vllazën, zgjidhni mes jush shtatë burra me emën të mirë, plot frymë e mençuri, që t’ua besojmë këtë detyrë të nevojshme. 4 Kurse na kemi me ju përkushtu lutjes edhe shërbimit që lidhet me fjalën e Zotit.“ 5 Ajo që thanë ju pëlqeu krejt turmës, edhe e zgjodhën Stefanin, nji burrë plot besim e frymë të shenjtë, po ashtu Filipin, Prokorin, Nikanorin, Timonin, Parmenën edhe Nikollën, nji prozelit pi Antiokisë. 6 I çunë te apostujt, edhe pasi u lutën, apostujt i vunë duert mbi ta.
7 Pas kësaj, fjala e Zotit vazhdoi me u përhapë, edhe numri i nxansave në Jerusalem u shtua shumë. Edhe nji numër i madh priftërinjsh e pranuan besimin.
8 Stefani, plot mirësi të Zotit edhe fuqi, bante mrekulli e shenja të mëdhaja mes popullit. 9 Po u çunë disa burra pi të ashtuqujtunës Sinagogë e të Liruemve, bashkë me disa Kirenas e Aleksandrinas, edhe disa pi Kilikisë e provincës së Azisë, për me diskutu me Stefanin. 10 Po nuk mujshin me ju bo ballë mençurisë edhe frymës me të cilën fliste aj. 11 Atëherë fshehtas i shtynë disa burra me thanë: „E kemi ni tu folë keq kundër Moisiut edhe kundër Zotit.“ 12 E nxitën edhe popullin, pleqtë edhe njerzt që e kanë njoftë ligjin, pastaj ju turrën, e kapën edhe e çunë në Sinedër. 13 Nxorën dëshmitarë të rremë, që thanë: „Ky njeri nuk po nalet tu folë kundër qitij veni të shenjtë edhe kundër Ligjit. 14 Për shembull, e kemi ni tu thanë që ky Jezusi Nazareas ka me e rrënu qit ven edhe ka me i ndryshu zakonet që na i ka lanë Moisiu.“
15 Derisa krejt ata që rrishin në Sinedër po e kqyrshin me ngulm, e panë që ftyra e tij ishte si ftyra e nji melaqeje.