Historia e Apostujve 17

Aus bibla-popullore.org
Version vom 21. Mai 2026, 18:51 Uhr von ZmIn4Lz470 (Diskussion | Beiträge) (Absatz korrigiert)
(Unterschied) ← Nächstältere Version | Aktuelle Version (Unterschied) | Nächstjüngere Version → (Unterschied)
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Tash ata kalun nëpër Amfipol edhe Apoloni, edhe erdhën në Selanik, ku kishte nji sinagogë të Judenjve. 2 Pavli, si e kishte zakon, hini te ta edhe për tri sabate foli me ta, tu arsyetu pi Shkrimet. 3 Aj ju shpjegonte edhe ju dëshmonte me Shkrime që Krishti duhej me vujtë edhe me u ringjallë pi të dekuneve, edhe thoshte: „Ky Jezus që po jau shpalli, aj asht Krishti.“ 4 Si rezultat, disa pi tyne u bonë besimtarë edhe ju bashkun Pavlit e Silës, po edhe nji turmë e madhe Grekësh që e adhuronin Zotin, bashkë me mjaft gra të njohuna.

5 Po Judenjtë që u bonë xhelozë, mblodhën disa burra të këqij që rrishin në shesh. Ata formun nji turmë të dhunshme edhe e trazun qytetin. E sulmuan shpinë e Jasonit, për me i nxjerrë Pavlin edhe Silën te turma. 6 Kur nuk i gjetën, e tërhoqën zvarrë Jasonin edhe disa vllazën te udhëheqësit e qytetit, tu bërtitë: „Këta burra që e kanë trazu krejt tokën e banueme, janë edhe këtu, 7 edhe Jasoni i ka pritë si mysafirë. Krejt këta po veprojnë kundër urdhnimeve të Cezarit, sepse po thojnë që ka nji mbret tjetër, Jezusi.“ 8 Kur turma edhe udhëheqësit e qytetit i ninë këto, u shqetësuan. 9 Pasi morën garanci të mjaftueshme pi Jasoni edhe të tjerët, i lanë me shku.

10 Sapo u bo natë, vllaznit i dërguan Pavlin edhe Silën në Bere. Kur mbrrinën atje, hynë në sinagogën e Judenjve. 11 Këta kishin qëndrim ma fisnik se ata në Selanik, sepse e pranuan fjalën e Zotit me shumë gatishmëni edhe çdo ditë i shqyrtojshin me kujdes Shkrimet, a ishin të vërteta ato që po i nijshin. 12 Prandaj shumë pi tyne u bonë besimtarë, po edhe mjaft gra Greke të respektueme, si edhe disa burra. 13 Po kur Judenjtë pi Selaniku morën vesh që Pavli po e shpallte fjalën e Zotit edhe në Bere, erdhën aty për me i trazu edhe me i nxitë njerzt. 14 Atëherë vllaznit e dërguan Pavlin menjëherë kah deti, kurse Sila edhe Timoteu mbetën aty. 15 Ata që e përcollën Pavlin e çunë deri në Athinë. Pasi ju dha udhëzim që Sila edhe Timoteu me ardhë sa ma shpejt te aj, ata u kthyn.

16 Derisa Pavli po i priste në Athinë, u shqetësu shumë kur pa që qyteti ishte plot me idhuj. 17 Prandaj nisi me folë e me arsyetu në sinagogë me Judenjtë edhe me njerzt tjerë që e adhuronin Zotin. Këtë e bante edhe çdo ditë në shesh me ata që ndodheshin aty. 18 Po disa filozofë epikurianë edhe stoikë nisën me diskutu me të, edhe disa thojshin: „Qka po don me thanë ky llafazan?“ Tjerët thojshin: „Po duket që po shpall hyjni të huja.“ Këtë e thojshin sepse aj po shpallte lajmin e mirë për Jezusin edhe ringjalljen. 19 Prandaj e morën edhe e çunë në Areopag. Thanë: „A mundemi me ditë qka asht ky mësim i ri për të cilin po flet? 20 Ti po na sjell sene që po na tingëllojnë të huja në veshë, edhe po dojmë me ditë qka domethanë këto.“ 21 Në fakt, krejt Athinasit edhe të hujtë që rrishin aty e kalojshin kohën e lirë veç tu kallxu a tu ni diçka të re. 22 Atëherë Pavli u çu në mes të Areopagut edhe tha:
„Burra të Athinës! Po shoh që në çdo pikëpamje ju dukeni se keni ma shumë respekt për hyjnitë se tjerët. 23 Për shembull, derisa po ecja edhe po i kqyrsha me kujdes gjanat që ju i adhuroni, e gjeta edhe nji altar me mbishkrimin: ‘Për nji Zot të panjohun.’ Pra, atë që ju po e adhuroni pa e njoftë, atë po jau shpalli unë. 24 Zoti që e ka bo botën edhe krejt qka ka në të, aj që asht Zotnia i qiellit edhe i tokës, nuk banon në tempuj të bamë me dorë njeriu. 25 As nuk i shërbehet me duer njeriu, sikur me pasë nevojë për diçka, sepse aj vetë ju jep krejt njerzve jetë, frymë edhe gjithçka. 26 Aj i ka bo pi nji njeri krejt kombet, që me banu në krejt faqen e tokës. Edhe i caktoi kohët e vendosuna edhe kufijtë e caktum ku njerzt duhej me banu. 27 Ata duhej me e kërku Zotin, që me e prekë si me dorë edhe përnime me e gjetë. E në fakt, aj nuk asht larg pi asnjonit pi neve. 28 Sepse përmes tij kemi jetë, lëvizim edhe ekzistojmë. Qysh kanë thanë edhe disa pi poetëve tuej: ‘Sepse edhe na jemi fmitë e tij.’

29 Pra, masi jemi fmitë e Zotit, nuk duhet me mendu që Qenia hyjnore asht si ari, argjendi a guri, si diçka që e ka nxjerrë arti edhe mendja e njeriut. 30 Zoti i ka kalu pa i marrë parasysh kohët e kësaj paditunie, po tash po ju shpall krejt njerzve kudo që duhet me u pendu. 31 Sepse aj ka caktu nji ditë kur ka me gjyku me drejtësi krejt tokën e banueme përmes nji burri që e ka caktu. Edhe krejt njerzve ju ka dhanë garanci për këtë, tu e ringjallë atë pi të dekuneve.“

32 Kur ninë për ringjalljen e të dekuneve, disa nisën me përqeshë. Tjerët thanë: „Për këtë kemi me të ngu edhe nji herë tjetër.“ 33 Atëherë Pavli u largu, 34 po disa burra ju bashkun edhe u bonë besimtarë. Mes tyne ishin Dionisi, nji gjykatës i Areopagut, nji gru me emnin Damaris, edhe disa tjerë.