Visioni i Gjonit 1
1 Zbulim pi Jezu Krishti, që Zoti ja dha për me ju tregu robërve të vet qka duhet me ndodhë së shpejti. Aj e dërgoi melaqen e vet, edhe përmes tij ja tregoi me shenja robit të vet Gjonit. 2 Ky dëshmoi për fjalët e Zotit edhe për dëshminë e Jezu Krishtit, po, për krejt qka pa. 3 I lumtun asht aj që lexon me za, edhe krejt ata që i ngojnë fjalët e kësaj profecie edhe e mbajnë atë që shkruhet në të, sepse koha e caktume asht afër.
4 Gjoni shtatë kongregacioneve në provincën e Azisë:
Ju uroj mirësi të pameritume edhe paqe pi „Ai që asht, që ishte edhe që po vjen“, edhe pi shtatë frymët para fronit të tij 5 edhe pi Jezu Krishti, „Dëshmitari Besnik“, „i Parëlinduni pi të dekuneve“ edhe „Sundimtari mbi mbretënt e tokës“.
Atij që na don edhe që përmes gjakut të vet na ka çliru pi gjynahet tona — 6 aj na ka bo mbretën, priftërinj për Zotin edhe Atin e vet — po, atij i takon lavdia edhe fuqia përgjithmonë! Amin.
7 Kqyrni! Aj po vjen me retë, edhe çdo sy ka me e pa, edhe ata që e kanë shpu. Edhe krejt fiset e tokës kanë me e rrehë gjoksin pi pikëllimi për shkak të tij. Po, amin.
8 „Unë jom Alfa edhe Omega“, thotë Jehovaj Zoti, „Ai që asht, që ishte edhe që po vjen, i Plotfuqishmi.“
9 Unë, Gjoni, vllau juej, që bashkë me ju kam pjesë në vështirësi, në mbretni edhe në qëndrueshmëri në lidhje me Jezusin, isha në ishullin Patmos, sepse kisha folë për Zotin edhe kisha dëshmu për Jezusin. 10 Përmes frymëzimit u gjeta në ditën e Zotnisë, edhe mbrapa vetes dëgjova nji za të fortë si za trumbete. 11 Aj tha: „Shkruaje në nji rrotull libri atë që po sheh, edhe dërgojua shtatë kongregacioneve në Efes, Smirnë, Pergam, Tiatirë, Sardë, Filadelfi edhe Laodice.“
12 U ktheva për me pa kush po fliste me mu, edhe atëherë pashë shtatë shandanë ari 13 edhe në mes të shandanëve dikon si bir njeriu, të veshun me nji rrobë që i shkonte deri te kambët, edhe me nji brez ari rreth gjoksit. 14 Kryt edhe flokët i kishte të bardha si lesh i bardhë, si bora, edhe sytë e tij ishin si flakë zjarri. 15 Kambët i dukeshin si bakër i pastër kur skuqet në furrë, edhe zani i tij ishte si ushtima e shumë ujërave. 16 Në dorën e djathtë i kishte shtatë yje, pi goja i dilte nji shpatë e gjatë, e mprehtë, me dy teha, edhe ftyra e tij ishte si dielli kur ndriçon ma fort. 17 Kur e pashë, rashë si i vdekun te kambët e tij.
Atëherë aj e vnoi dorën e vet të djathtë mbi mu edhe tha: „Mos ki frikë! Unë jom i Pari edhe i Fundit 18 edhe i Gjalli. Unë vdiqa, po kqyr! Jetoj përgjithmonë e jetë, edhe i kam çelësat e vdekjes edhe të varrit. 19 Prandaj shkruaje atë që ke pa: atë që po ndodh tash edhe atë që ka me ndodhë mas kësaj. 20 Sa i përket sekretit të shenjtë të shtatë yjeve që i pe në dorën teme të djathtë, edhe të shtatë shandanëve të arit: Shtatë yjet përfaqësojnë melaqet e shtatë kongregacioneve, edhe shtatë shandanët përfaqësojnë shtatë kongregacionet.