Letra i parë te Tesaloniqsve 4
1 Edhe nji sen tjetër, vllazën. Ju keni marrë udhëzime pi neve qysh duhet me jetu për me i pëlqy Zotit. Edhe veç po e boni këtë. Po ju lutemi edhe ju bëjmë thirrje në emën të Zotnisë Jezus, që të vazhdoni me përparu edhe ma shumë. 2 Sepse ju i dini udhëzimet që jau kemi dhanë përmes Zotnisë Jezus.
3 Sepse vullneti i Zotit asht që ju me qenë të shenjtë edhe me u mbajtë larg pi imoraliteti seksual. 4 Secili pi jush duhet me ditë qysh me e mbajtë trupin e vet nën kontroll, në shenjtëri edhe nder. 5 Mos ju dorëzoni pasionit seksual lakmues e pa fre, qysh bojnë kombet që nuk e njohin Zotin. 6 Askush mos t’i kalojë kufijtë e nderit edhe mos t’i bajë dam vllaut të vet në këtë çështje, sepse Jehovaj e sjell dënimin për krejt këto. Këtë jau kemi thanë edhe ma herët, edhe jau kemi tërheqë vërejtjen fort. 7 Sepse Zoti nuk na ka thirrë për papastërti, po për shenjtëri. 8 Prandaj, kush e shpërfill këtë, nuk po shpërfill njerz, po Zotin, që po ju jep frymën e vet të shenjtë.
9 Sa për dashninë vllaznore, nuk kemi nevojë me ju shkru, sepse ju vetë jeni mësu pi Zoti me e dashtë njani-tjetrin. 10 Edhe përnime po e boni këtë ndaj krejt vllaznive në krejt Maqedoninë. Po ju lutemi fort, vllazën, vazhdoni me e bo këtë edhe ma shumë. 11 Bane qëllim me jetu qetë, me u marrë me punët tueja edhe me punu me duert tueja, qysh ju kemi udhëzu, 12 që para atyne që janë jashtë të jetoni me nder edhe mos me ju mungu kurgjo.
13 Përveç kësaj, vllazën, duam që ta dini për ata që flenë në vdekje, që mos të pikëlloheni si njerzt tjerë që s’kanë shpresë. 14 Sepse nëse besojmë që Jezusi ka vdekë edhe asht ringjallë, atëherë Zoti ka me i pru bashkë me të edhe ata që kanë vdekë të lidhun me Jezusin. 15 Sepse këtë po jau thojmë në bazë të fjalës së Jehovajt: Na, të gjallët, që mbesim gjallë deri te prania e Zotnisë, kurrsesi s’kemi me ju dalë përpara atyne që flenë në vdekje. 16 Sepse vetë Zotnia ka me zhdryp pi qielli me nji urdhën të madh, me zanin e kryemelaqes edhe me trumbetën e Zotit, edhe ata që kanë vdekë të lidhun me Krishtin kanë me u ringjallë të parët. 17 Mas kësaj, na të gjallët që mbijetojmë, kemi me u marrë lart bashkë me ta në re, për me e taku Zotninë në ajër. Kështu kemi me qenë gjithmonë me Zotninë. 18 Prandaj vazhdoni me e ngushëllu njani-tjetrin me këto fjalë.