Ezekiel 12

Aus bibla-popullore.org
Version vom 24. Oktober 2026, 21:03 Uhr von BiblaPopulloreBot1337 (Diskussion | Beiträge)
(Unterschied) ← Nächstältere Version | Aktuelle Version (Unterschied) | Nächstjüngere Version → (Unterschied)
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Prapë më erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:

2 „O bir i njeriut, ti po jeton mes nji populli rebel. Ata kanë sy me pa, po s'po shohin kurgjo, edhe kanë veshë me ni, po s'po ngojnë kurgjo, se jonë popull rebel.

3 Po ti, o bir i njeriut, boji gati senet tua për me shku n'robni. Masanej, ditën, nisu para syve t'tyne. Dil pi shpisë tane e shko n'nji ven tjetër para syve t'tyne, sikur po shkon n'robni. Ndoshta kanë me e vërejtë qka po bon, edhe pse jonë popull rebel.

4 Ditën nxirri jashtë para syve t'tyne senet që i ke bo gati për robni, e n'mramje largohu para syve t'tyne, si dikush që po e çojnë me zor n'robni.

5 Para syve t'tyne hape nji vrimë n'mur edhe nxirri senet tua përmes asaj vrime.

6 Para syve t'tyne vnoji senet n'shpatull edhe nxirri jashtë n'errësinë. Mbuloje ftyrën që mos me e pa tokën, se unë po t'boj nji shenjë për shpinë e Izraelit.“

7 Unë e bona qysh m'u urdhnu. Ditën i nxorra senet e mia jashtë, sikur me konë plaçka për robni. N'mramje e hapa nji vrimë n'mur me duert e mia. Kur u errësu, i nxorra senet e mia, i vuna n'shpatull edhe i barta prej atyhit, bash para syve t'tyne.

8 N'sabah prapë më erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:

9 „O bir i njeriut, a s'të ka vet populli i Izraelit, ai popull rebel: ‚Qka je tu bo?‘?

10 Thuaju: ‚Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve: „Kjo fjalë ka të bojë me prijësin n'Jerusalem edhe me krejt popullin e Izraelit që asht n'atë qytet.“‘

11 Thuaju: ‚Unë jom nji shenjë për ju. Qka kom bo unë, ka me ju ndodhë edhe atyne. Ata kanë me i marrë me zor e me i çu n'robni.

12 Prijësi që asht mes tyne ka me i bartë senet e veta n'shpatull edhe ka me u largu n'errësinë. Aj ka me hap nji vrimë n'mur edhe ka me i nxjerr senet e veta përmes asaj vrime. Ka me e mbulu ftyrën që mos me e pa tokën.‘

13 Unë kom me e hedh rrjetën teme përmbi të, edhe aj ka me u kap n'rrjetën teme të gjuetisë. Masanej kom me e çu n'Babiloni, n'vendin e kaldeasve, po aj s'ka me e pa atë vend. E atje ka me vdekë.

14 Edhe krejt ata që jonë rreth tij, ndihmësit e tij edhe ushtarët e tij, kom me i shpërnda n'krejt anët. Kom me i njek mas me shpatë t'nxjerrun.

15 Ata kanë me e kuptu që unë jom Jehova, kur kom me i shpërnda mes popujve e nëpër vende të ndryshme.

16 Po do pak pi tyne kom me i kursy pi shpatës, pi urisë edhe pi murtajës, që ata me mujtë me ju kallxu popujve ku kanë me shku për krejt punët e tyne të neveritshme. Edhe ata kanë me e kuptu që unë jom Jehova.“

17 Prapë më erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:

18 „O bir i njeriut, haje bukën tu u dridhë edhe pije ujin plot merak e tutë.

19 Thuaju njerzve t'atij vendi: ‚Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve, për banorët e Jerusalemit n'vendin e Izraelit: „Ata kanë me e hangër bukën me tutë edhe kanë me e pi ujin tu u dridhë pi frikës, se vendi i tyne ka me u shkretu krejt për shkak të dhunës që e bojnë krejt ata që jetojnë aty.

20 Qytetet ku jetojnë njerzit kanë me u shkatërru, edhe vendi ka me u bo shkretinë. E ju keni me e kuptu që unë jom Jehova.“‘“

21 Prapë më erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:

22 „O bir i njeriut, qka asht kjo fjalë e urtë që e thoni n'Izrael? Ju po thoni: ‚Ditët po kalojnë, e krejt vegimet po shkojnë huq.‘

23 Për qata, thuaju: ‚Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve: „Unë kom me i dhanë fund qasaj fjale të urtë, edhe n'Izrael s'kanë me e përdor ma.“‘ Po thuaju edhe këtë: ‚Ditët jonë afër, edhe çdo vegim ka me u përmbush.‘

24 Se te populli i Izraelit s'ka me pas ma vegime të rrejshme, as fall që i lajkaton njerzit.

25 ‚„Se unë, Jehova, kom me folë. Qkado që kom me thanë, ka me ndodhë pa u vonu ma. N'ditët tuaja, o popull rebel, kom me folë edhe kom me i çu n'ven fjalët e mia“, thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve.‘“

26 Prapë më erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:

27 „O bir i njeriut, populli i Izraelit po thotë: ‚Vegimi që po e sheh aj asht për shumë ma vonë. Aj po profetizon për nji kohë shumë t'largët.‘

28 Për qata, thuaju: ‚Kështu thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve: „‚Asnji fjalë e imja s'ka me u vonu. Qkado që kom me thanë, ka me ndodhë‘, thotë Zotnia Jehova, Sundimtari i krejtve.“‘“