Ezekiel 47
1 Pastaj aj m'ktheu prapë te hyrja e tempullit, e aty pashë që pi nën pragun e tempullit po dilke ujë e po rrjedhke kah lindja, se pjesa e përparme e tempullit kqyrke kah lindja. Uji po rrjedhke pi nën anën e djathtë t'tempullit, n'jug t'altarit.
2 Masanej aj m'çoi jashtë nëpër portën e veriut, e m'priu rreth e rrotull deri te porta e jashtme që kqyr kah lindja. Aty pashë që pi ana e djathtë po rrjedhke ujë pak nga pak.
3 Kur burri me litarin për me matë n'dorë ka shku kah lindja, i ka matë 1000 kutë edhe m'ka bo me kalu nëpër ujë. Uji m'vike deri te nyjat e kambëve.
4 Pastaj aj i ka matë edhe 1000 kutë tjera edhe m'ka bo me kalu nëpër ujë. Uji m'vike deri te gjunjtë. I ka matë edhe 1000 kutë tjera e m'ka bo me kalu nëpër ujë, e tash uji m'vike deri te ijet.
5 Kur i ka matë edhe 1000 kutë tjera, uji u bo nji përrua i rrëmbyeshëm, që s'mujsha me kalu nëpër to në kambë. Uji u konë aq i thellë, sa që duhej me notu. U konë nji përrua që s'mujke me u kalu në kambë.
6 Aj m'pyti:
«A e pe këtë, o bir i njeriut?» Pastaj aj m'ktheu prapë te bregu i përroit.
7 Kur u ktheva, pashë që n'dy anët e bregut t'përroit kish shumë lisa.
8 Atëherë aj m'tha: «Ky ujë po rrjedh kah ana e lindjes, e po shkon tutje nëpër Arabën deri n'det. Kur t'hyn n'det, uji i detit ka me u shëru.
9 Kudo që rrjedh ky ujë, kanë me mujtë me jetu shumë gjallesa. Ka me pasë plot peshq, se ky ujë ka me rrjedhë aty. Uji i detit ka me u shëru, e kudo që rrjedh ky përrua, krejt kanë me jetu.
10 Peshkatarët kanë me nejt përgjatë bregut, pi En-Gedi deri n'En-Eglajim, ku ka me pasë nji vend për me i terë rrjetat që tërhiqen për peshkim. Ka me pasë shumë peshq t'krejt llojeve, sikur n'Detin e Madh.
11 Ama aty ka me pasë edhe vende me moçal e pellgje, që s'kanë me u shëru. Ato kanë me mbetë me kripë.
12 N'dy anët e bregut t'përroit kanë me u rritë lisa t'gjithfarë llojeve, që kanë fruta për me hangër. Gjethet e tyne s'kanë me u vyshkë, e as frutat s'kanë me ju mungu. Çdo muj kanë me qitë fruta t'reja, se uji që i ujit vjen pi vendi i shejtë. Frutat e tyne kanë me shërby për ushqim, e gjethet për shërim.»
13 Kështu thotë Zoti Sovran Jehova: «Kjo asht toka që keni me ua nda si trashëgimi dymbëdhjetë fiseve t'Izraelit, e Jozefi ka me marrë dy pjesë.
14 Ju keni me e trashëgu këtë tokë, e secili ka me marrë pjesë t'barabartë. Unë u kom premtu me be t'parëve tuaj që kam me ua dhanë këtë tokë, e tash ajo ka me ju nda juve si trashëgimi.
15 Ky asht kufiri i tokës n'veri: Shkon pi Deti i Madh, nëpër Hethlon, deri n'Zedad,
16 Hamath, Berotha edhe Sibrajim, që gjendet mes tokës t'Damaskut edhe tokës t'Hamathit, e deri n'Hazer-Hattichon, te kufiri i Hauranit.
17 Pra, kufiri ka me shku pi deti deri n'Hazar-Enon, përgjatë kufirit t'Damaskut n'veri edhe kufirit t'Hamathit. Ky asht kufiri i veriut.
18 Kufiri i lindjes shkon mes Hauranit edhe Damaskut, edhe përgjatë lumit Jordan, mes Gileadit edhe tokës t'Izraelit. Mateni pi kufiri deri te deti n'lindje. Ky asht kufiri i lindjes.
19 Kufiri i jugut ka me shku pi Tamari deri te ujërat e Meribath-Kadeshit, pastaj tutje deri te lugina e përroit edhe te Deti i Madh. Ky asht kufiri i jugut.
20 Kufiri i perëndimit asht Deti i Madh, pi kufiri e nalt deri te nji vend përballë Lebo-Hamathit. Ky asht kufiri i perëndimit.»
21 «Këtë tokë duhet me e nda mes veti, mes dymbëdhjetë fiseve t'Izraelit.
22 Duhet me e nda si trashëgimi mes veti, po edhe me ua dhanë nji pjesë t'hujve që jetojnë mes jush e që kanë bo fmi gjatë kësaj kohe. Ata kanë me u konë për ju si izraelitët që jonë lindë aty. Edhe ata kanë me marrë trashëgimi bashkë me ju, mes fiseve t'Izraelit.
23 T'hujit që jeton mes jush duhet me ia dhanë trashëgiminë n'atë fis ku asht vendosë», thotë Zoti Sovran Jehova.