Kangë t'shejta 24
1 Jehovës i takon toka edhe krejt qka ka n’to,
toka pjellore edhe krejt ata që jetojnë n’to.
2 Se aj e ka ngulë fort mbi dete
edhe e ka forcu mirë mbi lumenj.
3 Kush munet me hyp n’malin e Jehovës?
Kush munet me qëndru n’vendin e tij t’shejtë?
4 Aj që i ka durt pa faj edhe
zemrën e pastër, që s’bon be rrejshëm
për jetën tem edhe s’bon be me mashtrim.
5 Aj ka me marrë bekim pi Jehovës edhe
drejtësi pi Zotit t'vet që e shpëton.
6 Ky asht brezi që e kërkon atë, që t’kërkon ty, o Zot i Jakobit.
Sela
7 Çojeni kryt nalt, o dyer, çeluni,
o porta t’moçme, që me
mujtë me hy mbreti i lavdishëm!
8 Kush asht ky mbret i
lavdishëm? Jehova, i fortë edhe i
fuqishëm, Jehova, i fuqishëm n’luftë.
9 Çojeni kryt nalt, o dyer, çeluni,
o porta t’moçme, që me
mujtë me hy mbreti i lavdishëm!
10 Kush asht aj, ky mbret i lavdishëm? Jehova, Zoti
i ushtrive, aj asht mbreti i lavdishëm. Sela