Fjalët të urta 30

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mesazhi me peshë i fjalëve t'Agurit, djalit t'Jakes, që ia ka thanë Ithielit, Ithielit edhe Uchalit.

2 Jom ma i paditun se krejt tjerët, e s'e
kam mençurinë që duhet me e pas nji njeri.

3 S'kam fitu mençuri, e as s'e
kam dituninë për Ma t'Shenjtin.

4 Kush ka hyp n'qiell edhe ka zhdryp prapë?
Kush e ka mbledh erën n'dy shuplakat e veta?
Kush e ka mbështjell krejt ujin me petkun e vet?
Kush i ka caktu krejt kufijtë e tokës?
Qysh e ka emnin aj edhe djali i tij, nëse e din?

5 Krejt qka thotë Zoti asht e pastër.
Aj asht si mburojë për ata që kërkojnë strehim te aj.

6 Mos i shto kurgjo fjalëve t'tij,
se përndryshe aj ka me t'qortu,
e ti ke me dalë rrenacak.

7 Dy sene po t'i kërkoj, mos
m'i moho para se me vdekë.

8 Largoji pi meje fjalët e pavërteta edhe rrenat.
Mos më jep as vorfni, as pasuni.
Lëm me hangër veç aq ushqim sa m'takon,

9 që mos me u ngi e me t'mohu e me thanë:
«Kush asht Jehova?» E mos lejo as me u bo i vorfën e me vjedhë, e me e çnderu emnin e Zotit tem.

10 Mos fol keq për nji shërbëtor te zotnia i vet, se
aj ka me t'mallku, e ti ke me dalë fajtor.

11 Ka nji brez që e mallkon babën e
vet, e nanën e vet s'e bekon.

12 Ka nji brez që vetes i doket i
pastër, po pi papastërtisë së vet s'asht pastru.

13 Ka nji brez që i ka sytë plot mendjemadhësi,
e i kqyr tjerët me përbuzje pi nalt!

14 Ka nji brez që dhambët i
ka si shpata, e nofullat si
thika kasapi. Ata i përpijnë t'dobtët
e tokës, edhe t'vorfnit mes njerëzve.

15 Shushunjat i kanë dy bija që bërtasin:
«Jep! Jep!» Ka tri sene që
s'ngihen kurrë, katër që kurrë s'thojnë: «Boll!»

16 Varri edhe barku i nji gruje që
s'mundet me lindë fmi, toka që s'ka
ujë, edhe zjarri që kurrë s'thotë: «Boll!»

17 Synin që tallet me babën e vet edhe s'e ngon
nanën e vet, korbat e luginës kanë me e nxjerrë
me sqep, edhe shqiponjat e reja kanë me e hangër.

18 Ka tri sene që jonë tepër t'vështira për
m'i kuptu, katër që s'i marr vesh:

19 rrugën e shqiponjës n'qiell, rrugën e
gjarpnit mbi shkamb, rrugën e anijes
n'det t'hapun, edhe rrugën e
nji burri me nji grue t're.

20 Kështu vepron nji grue që e tradhton burrin:
Ajo han edhe e fshin gojën, masanej thotë:
«S'kam bo kurgjo t'keqe.»

21 Tri sene e bojnë tokën me u dridhë,
e katër sene ajo s'mundet me i duru:

22 kur nji rob sundon si mbret, kur nji
njeri pa mend ka ushqim me bollëk,

23 kur martohet nji grue që e urrejnë, edhe kur
nji shërbëtore e merr vendin e zonjës së vet.

24 Katër kafshë jonë ndër ma t'voglat n'tokë, po
pi natyrës dinë me vepru me mençuri:

25 Milingonat s'jonë popull i fortë, po
verës e sigurojnë ushqimin e vet.

26 Damanët e shkambinjve s'jonë t'fuqishëm, po
shpitë e veta i bojnë n'shkambinj.

27 Karkalecat s'kanë mbret, po
krejt ecin përpara t'rreshtum.

28 Gekoja mbahet fort me kambët e veta,
edhe zvarritet n'pallatin e nji mbreti.

29 Tri sene ecin me hijeshi, e katër
t'bojnë përshtypje me ecjen e tyne:

30 luani, ma i forti ndër
kafshët, që s'thiqet para kërkujt,

31 zagari, cjapi, edhe mbreti që
e ka ushtrinë me veti.

32 Nëse pi budallakisë e ke ngrit veten
mbi tjerët, ose veç ke mendu me
e bo këtë, atëherë vene dorën n'gojë.

33 Se kur e rreh tamlin, del tlyni,
kur i bjen hunës, del gjaku,
e kur e nxit inatin, del grindja.