Luka 14
1Nji herë tjetër, në nji sabat, aj ka shku te shpia e nji Fariseu kryesor për me hangër bukë. Ata po e kqyrshin shumë me kujdes. 2Përnjiherë para tij ishte nji burrë që e kish trupin të enjtun pi ujit. 3Atëherë Jezusi i pyti njerzt që e kishin njoft ligjin edhe Farisenjtë: „A lejohet me shëru në sabat, a jo?“ 4Po ata heshtën. Atëherë aj e preku burrin, e shnoi edhe e çoi. 5Masanej i pyti: „Ta zamë se djali juej a demi juej bjen në bunar. Kush pi juve nuk e nxjerr menjiherë jashtë, edhe në sabat?“ 6Ata s’mujtën me i kthy përgjigje për qita.
7Kur aj e pa qysh të ftuemit po i zgjedhshin vendet e nderit, ju tregoi nji krahasim. Ju tha: 8„Kur të ftohesh në nji dasmë, mos e zgjedh venin ma të mirë. Ndoshta ndër të ftuemit asht dikush ma i nderum se ti. 9Atëherë aj që ju ka ftu të dyve ka me ardhë e ka me t’thanë: ‘Liroja venin qitij burri’, edhe ti me marre ke me u çu e ke me shku në venin ma të poshtëm. 10Pra kur të jesh i ftuem, ulu në venin ma të poshtëm. Kur të vjen i zoti i shpisë e të thotë: ‘Mik, ngjitu ma nalt’, atëherë ke me u nderu para krejt të ftuemve. 11Se secili që e nalton veten, ka me u ulë, e kush e ulë veten, ka me u naltu.“
12Mas kësaj Jezusi ju kthye edhe atij që e kish ftu: „Kur të shtron nji drekë a nji darkë, mos i fto shoktë, vllaznit, farefisin a kojshitë e pasun, se ndoshta edhe ata kanë me t’ftu ty e kështu ta kthejnë. 13Ma mirë, kur të shtron nji gosti, ftoi të vorfnit, të sakatit, të çaltit edhe të verbtit, 14edhe ke me qenë i lumtun, se ata s’kanë qka me ta kthy. Se shpërblimin ke me e marrë në ringjalljen e të drejtëve.“
15Nji i ftuem që e nivi këtë, i tha: „Lum aj që ka me hangër bukë në mbretninë e Zotit.“
16Jezusi ju përgjigj: „Nji njeri e shtroi nji darkë të madhe edhe ftoi shumë veta. 17Kur erdh vakti i darkës, e çoi shërbëtorin e vet me ju thanë të ftuemve: ‘Hajdeni, se krejt asht gati.’ 18Po krejt nisën me qitë arsye. I pari i tha: ‘Kam ble nji arë edhe duhet me shku me e pa. Të lutem, m’fal.’ 19Nji tjetër tha: ‘Kam ble pesë pendë qe edhe po shkoj me i provu. Të lutem, m’fal.’ 20Edhe nji tjetër tha: ‘Sapo jom martu, për qata s’muj me ardhë.’ 21Shërbëtori u kthy te zotnia i vet edhe ja kallxoi krejt. Atëherë i zoti i shpisë u idhnu edhe i tha shërbëtorit të vet: ‘Dil shpejt në rrugët kryesore edhe në rrugicat e qytetit, edhe bjeri qitu të vorfnit, të sakatit, të verbtit edhe të çaltit.’ 22Pak ma vonë shërbëtori i tha: ‘Zotni, urdhni yt u kry, po hala ka ven.’ 23Atëherë zotnia i tha shërbëtorit: ‘Dil në rrugët e mëdhaja edhe nëpër shtigje, edhe shtyni njerzt me ardhë, që shpija jem me u mushë. 24Se po ju thom: asnjani pi atyne që ishin të ftuem në fillim s’ka me provu darkën teme.’“
25Tash kallabllakë të mëdhej po udhëtojshin me Jezusin. Aj u kthye edhe tha: 26„Nëse dikush vjen te unë e nuk e urren babën, nanën, grunë, thminë, vllaznit e motrat, po edhe vetë jetën e vet, s’mundet me qenë nxansi jem. 27Kush nuk e bart shtyllën e mundimit të vet edhe nuk më ndjek, s’mundet me qenë nxansi jem. 28Për shembull, nëse njoni pi juve don me ndërtu nji kullë, a nuk ulet së pari me i llogaritë harxhimet, me pa a ka mjaft me e kry? 29Përndryshe, ndoshta e qet temelin, po s’mundet me e kry, edhe krejt ata që e shohin nisin me qeshë me të. 30Kanë me thanë: ‘Ky njeri ja nisi me ndërtu, po s’mujti me e kry!’ 31Ose cili mbret ka me shku në luftë kundër nji mbreti tjetër pa u ulë së pari me u këshillu, a mundet me 10 000 ushtarë me ja dalë kundër atij që po vjen me 20 000? 32Nëse s’mundet, atëherë derisa aj tjetri asht hala larg, ka me çu nji dërgatë edhe ka me kërku paqe. 33Qashtu edhe ju, dijeni mirë: asnjani pi juve s’mundet me qenë nxansi jem, nëse nuk hjek dorë pi krejt qka ka.
34Krypa, pa dyshim, asht sen i mirë. Po nëse krypa e humb fuqinë e vet, qysh ka me ju kthy prapë shija? 35S’vlen as për tokë, as për pleh. E gjujnë jashtë. Kush ka veshë, le t’ngon mirë.“