Letra i parë te Gjonit 2

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen



1 Fmitë e mi të dashtun, po jau shkruj krejt këto që mos me bo gjynah. Po prapë, nëse dikush bon gjynah, na e kemi nji ndihmës te Ati, Jezu Krishtin, nji të drejtë. 2 Aj asht kurban pajtimi për gjynahet tona, po jo veç për tonat, por edhe për gjynahet e krejt botës. 3 Me këtë e dimë që e kemi njoftë atë: nëse vazhdojmë me i mbajtë urdhnimet e tij. 4 Kush thotë: „E kam njoftë atë“, po prapë nuk i mban urdhnimet e tij, asht rrenacak, edhe e vërteta s’asht në të. 5 Po kush i përmbahet fjalës së tij, te aj dashnia e Zotit përnime asht bo e plotë. Me këtë e dimë që jemi të lidhun me të. 6 Kush thotë që mbetet i lidhun me të, e ka për detyrë me vazhdu me jetu qysh ka jetu aj.

7 Të dashtun, ajo që po jau shkruj nuk asht urdhën i ri, po nji urdhën i vjetër që e keni pasë pi fillimit. Ky urdhën i vjetër janë fjalët që veç i keni ni. 8 Po prapë, ajo që po jau shkruj asht nji urdhën i ri, që po del i vërtetë edhe te aj, edhe te ju, sepse terri po kalon, edhe drita e vërtetë veç po ndriçon.

9 Kush thotë që asht në dritë, po prapë e urren vllaun e vet, hala asht në terr. 10 Kush e don vllaun e vet, mbetet në dritë, edhe kurgjo nuk e rrëzon. 11 Po kush e urren vllaun e vet, asht në terr edhe ecë në udhën e territ, edhe nuk e din kah po shkon, sepse terri ja ka verbu sytë.

12 Po ju shkruj juve, fmi të dashtun, sepse gjynahet jueja janë falë për shkak të emnit të tij. 13 Po ju shkruj juve, etën, sepse e keni njoftë Atë që asht pi fillimit. Po ju shkruj juve, të rinj, sepse e keni mposhtë të Keqin. Po ju shkruj juve, fmi, sepse e keni njoftë Atin. 14 Po ju shkruj juve, etën, sepse e keni njoftë Atë që asht pi fillimit. Po ju shkruj juve, të rinj, sepse jeni të fortë, edhe fjala e Zotit mbetet në ju, edhe e keni mposhtë të Keqin.

15 Mos e doni as botën, as senet që i takojnë botës. Nëse dikush e don botën, dashnia e Atit s’asht në të. 16 Sepse krejt qka asht në botë, dëshira e trupit mëkatar, dëshira e syve edhe mburrja me ato që i ka njeriu, nuk vjen pi Ati, po pi bota. 17 Përveç kësaj, bota po kalon, bashkë me dëshirën e saj, po kush jeton simas vullnetit të Zotit, mbetet përgjithmonë.

18 Fmi, asht ora e fundit. Ju keni ni që antikrishti po vjen, edhe përnime tash veç janë shfaqë shumë antikrishta. Me këtë e dimë që asht ora e fundit. 19 Ata dolën pi mesi jonë, po nuk ishin si na, sepse po t’ishin si na, kishin me mbetë me neve. Po ata u largun, që me u pa se jo krejt janë si na. 20 E ju e keni vajosjen që e keni marrë pi i Shenjti, edhe krejt ju e njihni të vërtetën. 21 Nuk po ju shkruj pse nuk e njihni të vërtetën, po pse e njihni edhe pse pi e vërteta nuk del kurrfarë rrene.

22 Kush asht rrenacaku, nëse jo aj që e mohon që Jezusi asht Krishti? Ky asht antikrishti: aj që e mohon Atin edhe Birin. 23 Secili që e mohon Birin, nuk asht i lidhun as me Atin. Po kush e pranon Birin, asht i lidhun edhe me Atin. 24 Sa për ju, ajo që e keni ni pi fillimit duhet me mbetë në ju. Nëse ajo që e keni ni pi fillimit mbetet në ju, keni me mbetë të lidhun edhe me Birin, edhe me Atin. 25 Edhe kjo asht ajo që aj vetë na ka premtu: jetë t’amshume.

26 Krejt këto po jau shkruj për ata që po dojnë me ju mashtru. 27 E sa për ju: vajosja që e keni marrë pi tij mbetet në ju, edhe s’keni nevojë që dikush me ju msu. Po vajosja që vjen pi tij ju mson për krejt senet. Ajo asht e vërtetë, s’asht rrenë. Qysh ju ka msu ajo, mbetni të lidhun me të. 28 E tash, fmi të dashtun, mbetni të lidhun me të, që kur të shfaqet aj, me pasë guxim edhe mos me u tërhekë pi marres para tij gjatë pranisë së tij. 29 Nëse e dini që aj asht i drejtë, atëherë e dini edhe që secili që vepron drejt, ka lindë pi tij.