Libri i tret i Musës 1

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Edhe Jehovai e ka thirrë Moisiun edhe i ka folë pi tendës së takimit. I ka thanë:

2 „Fol me izraelitët edhe thuju: ‚Nëse dikush pi juve don me i pru Jehovës nji kurban pi kafshëve të shpisë, atëher le të jetë pi tufës së lopëve ose pi tufës së deleve e dhive.

3 Nëse aj e sjell si kurban për djegie nji kafshë pi tufës së lopëve, ajo duhet me konë mashkull e pa kurrfarë të mete. Ka me e pru me dëshirën e vet te hyrja e tendës së takimit, para Jehovës.

4 Ka me ia vnu dorën përmi krye kurbanit për djegie, edhe kurbani ka me u pranu për të, që me ia shly fajin.

5 Masanej demi i ri duhet me u pre para Jehovës, edhe djemtë e Aaronit, priftat, kanë me e pru gjakun. Ata kanë me e spërkatë gjakun në krejt anët e altarit që asht para hyrjes së tendës së takimit.

6 Kurbanit për djegie duhet me ia hjekë lëkurën edhe me e pre në copa.

7 Djemtë e Aaronit, priftat, kanë me qitë zjarm në altar edhe me i radhitë drutë mbi zjarm.

8 Djemtë e Aaronit, priftat, kanë me i radhitë copat e kurbanit, bashkë me kryet edhe dhjamin e veshkave, mbi drutë që jonë përmi zjarrin e altarit.

9 Të mbrendshmet e barkut edhe pjesët e poshtme të kambëve të kafshës kanë me u la me ujë, edhe prifti ka me i djegë krejt mbi altar që me u çu tymi. Ky asht nji kurban për djegie, nji kurban me zjarm që ka erë të mirë për Jehovën.

10 Nëse dikush e sjell si kurban për djegie nji kafshë pi tufës së deleve e dhive, domethanë nji qengj ose nji dhi, ajo duhet me konë mashkull e pa kurrfarë të mete.

11 Kafsha duhet me u pre në anën veriore të altarit, para Jehovës, edhe djemtë e Aaronit, priftat, kanë me e spërkatë gjakun e saj në krejt anët e altarit.

12 Ka me u pre në copa, edhe prifti ka me i radhitë copat bashkë me kryet edhe dhjamin e veshkave mbi drutë që jonë përmi zjarrin e altarit.

13 Të mbrendshmet e barkut edhe pjesët e poshtme të kambëve kanë me u la me ujë, edhe prifti ka me i ofru krejt si kurban. Ka me i djegë në altar që me u çu tymi. Ky asht nji kurban për djegie, nji kurban me zjarm që ka erë të mirë për Jehovën.

14 Po nëse dikush i ofron Jehovës shpezë si kurban për djegie, duhet me marrë për kurban nji turtull ose nji pëllumb të ri.

15 Prifti ka me e pru shpezën te altari, ka me ia këputë kryet edhe me e djegë në altar që me u çu tymi. Gjakun ka me ia lanë me rrjedhë anash altarit.

16 Ka me ia hjekë gushën edhe puplat, edhe ka me i gjujtë në anën lindore të altarit, aty ku asht hiri.

17 Ka me e shqy te krahët, po pa e nda në copa. Masanej prifti ka me e djegë përmi drutë që jonë mbi zjarrin e altarit, që me u çu tymi. Ky asht nji kurban për djegie, nji kurban me zjarm që ka erë të mirë për Jehovën.