Libri i katërt i Musës 31

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut:

2 “Merr hak ndaj midianitëve për qka u kanë bo izraelitëve. Mas kësaj, ti ke me u bashku me popullin tand.”

3 Atëherë Moisiu i ka thanë popullit: “Përgatitni burra pi mesi juaj për me shku në luftë kundër Midianit, që me e marrë hakun e Jehovait ndaj Midianit.

4 Pi secilit fis të Izraelit çoni nga 1000 burra në ushtri.”

5 Kështu, pi mijëra burrave të Izraelit jonë zgjedhë nga 1000 burra pi secilit fis, gjithsej 12 000 burra të armatosun për luftë.

6 Masanej Moisiu i ka çu në luftë nga 1000 burra pi secilit fis, bashkë me Pinhasin, djalin e priftit Eleazar. Aj e ka përcjellë ushtrinë edhe i ka pasë me veti sendet e shenjta edhe boritë për me dhanë sinjal.

7 Ata kanë luftu kundër Midianit, tamam qysh Jehovai e ka urdhnu Moisiun, edhe i kanë vra krejt burrat.

8 Mes atyne që i kanë vra jonë konë edhe pesë mbretat e Midianit: Evi, Rekemi, Zuri, Huri edhe Reba. E kanë vra me shpatë edhe Bileamin, djalin e Beorit.

9 Po gratë edhe fëmijët e midianitëve i kanë marrë rob. Përveç kësaj, izraelitët ua kanë marrë krejt kafshët e shpisë, krejt bagëtinë edhe krejt pasuninë.

10 Krejt qytetet ku midianitët kishin banu edhe krejt kampet e tyne i kanë djegë.

11 Ata e kanë marrë me veti krejt prenë e luftës edhe krejt sendet që i kanë plaçkitë, si njerëzit, ashtu edhe kafshët.

12 Masanej i kanë çu robnit, sendet e plaçkituna edhe krejt prenë e luftës te Moisiu, te prifti Eleazar edhe te bashkësia e izraelitëve, në kampin që u konë në fushat e shkretinës së Moabit, ngat lumit Jordan, afër Jerihos.

13 Atëherë Moisiu, prifti Eleazar edhe krejt prijësit e bashkësisë kanë dalë jashtë kampit për me i pritë ata.

14 Po Moisiu u idhnu shumë me komandantët e ushtrisë që ishin kthy pi lufta, me prijësit e mijësheve edhe të qindësheve.

15 Moisiu u ka thanë: “A i keni lanë krejt gratë gjallë?

16 Po qito jonë ato që, simas këshillës së Bileamit, i kanë shty izraelitët me mos i nejtë besnik Jehovait në punën e Peorit, e për qata ka ardhë murtaja mbi bashkësinë e Jehovait.

17 Tash vritni krejt djemtë edhe çdo grue që ka pasë marrëdhënie seksuale me nji burrë.

18 Po çikat që s'kanë pasë ende marrëdhënie seksuale me nji burrë, muni me i lanë krejt gjallë.

19 Rrini shtatë ditë jashtë kampit. Secili pi juve që e ka vra dikon ose e ka prekë nji të vramë, ka me u pastru ditën e tretë edhe ditën e shtatë, si ju, ashtu edhe robnit tuaj.

20 Pastroni edhe çdo teshë, çdo sen pi lëkure, pi leshi të dhisë ose pi druni.”

21 Masanej prifti Eleazar u ka thanë burrave të ushtrisë që kishin shku në luftë: “Jehovai ia ka dhanë Moisiut këtë rregull të ligjit:

22 ‘Dukatin, argjendin, bakrin, hekurin, kallajin edhe plumbin,

23 domethanë krejt senet që munden me e duru zjarmin, keni me i kalu nëpër zjarm që me u pastru. Po duhet me i pastru edhe me ujin e pastrimit. E krejt senet që s'munden me e duru zjarmin, keni me i kalu nëpër ujë.

24 Ditën e shtatë keni me i la teshat tuaja edhe keni me konë të pastër. Masanej muni me hy në kamp.’”

25 Masanej Jehovai i ka thanë Moisiut:

26 “Bashkë me priftin Eleazar edhe krerët e familjeve të mëdhaja të bashkësisë, numërojeni krejt prenë e luftës, njerëzit që i keni marrë rob edhe kafshët.

27 Ndajeni prenë e luftës në dy pjesë të barabarta. Nji gjysmë ka me konë për ata që kanë marrë pjesë në luftë, e gjysma tjetër për pjesën tjetër të bashkësisë.

28 Pi ushtarëve që kanë shku në luftë, ke me marrë si pjesë për Jehovain nga nji në çdo 500, si pi njerëzve, ashtu edhe pi gjedheve, gomarëve, deleve edhe dhive.

29 Këtë pjesë ke me e marrë pi gjysmës së tyne. Jepja priftit Eleazar si dhuratë për Jehovain.

30 Pi gjysmës që u takon izraelitëve, ke me marrë nga nji në çdo 50 njerëz, edhe nga nji në çdo 50 kafshë, qoftë gjedhe, gomarë, dele, dhi a çdo lloj kafshe e shpisë. Këto ke me ua dhanë levitëve, që kujdesen për detyrat që kanë të bojnë me tendën e shenjtë të Jehovait.”

31 Moisiu edhe prifti Eleazar e kanë bo krejt qysh Jehovai e ka urdhnu Moisiun.

32 Preja e luftës që kishte mbetë pi krejt plaçkës që burrat e kishin pru pi lufta u konë 675 000 dele e dhi,

33 72 000 gjedhe

34 edhe 61 000 gomarë.

35 U konë edhe 32 000 gra që s'kishin pasë marrëdhënie seksuale me nji burrë.

36 Gjysma e deleve edhe dhive që u ka taku atyne që kishin shku në luftë u konë 337 500.

37 Pi deleve edhe dhive, pjesa që i takonte Jehovait u konë 675.

38 Pi gjedheve, pjesa e tyne u konë 36 000, e pjesa që i takonte Jehovait u konë 72.

39 Pi gomarëve, pjesa e tyne u konë 30 500, e pjesa që i takonte Jehovait u konë 61.

40 Përveç këtyne, u konë edhe 16 000 njerëz, e pjesa që i takonte Jehovait u konë 32 veta.

41 Moisiu ia ka dhanë priftit Eleazar pjesën e caktume si dhuratë për Jehovain, tamam qysh Jehovai e ka urdhnu Moisiun.

42 Gjysma që u takonte izraelitëve, të cilën Moisiu e kishte nda pi pjesës së burrave që kishin luftu,

43 u konë 337 500 dele e dhi,

44 36 000 gjedhe,

45 30 500 gomarë

46 edhe 16 000 njerëz.

47 Masanej Moisiu ka marrë pi gjysmës që u takonte izraelitëve nga nji në çdo 50 njerëz edhe nga nji në çdo 50 kafshë. Këto ua ka dhanë levitëve, që kujdeseshin për detyrat që kishin të bojnë me tendën e shenjtë të Jehovait, tamam qysh Jehovai e ka urdhnu Moisiun.

48 Masanej komandantët që i kishin nën urdhna mijëshet e ushtrisë, prijësit e mijësheve edhe të qindësheve, kanë ardhë te Moisiu

49 edhe i kanë thanë: “Na, shërbtorët e tu, i kemi numëru krejt luftëtarët që jonë nën urdhnat tanë, edhe s'na mungon asnji.

50 Për qata po duam me ia çu Jehovait si kurban qka ka gjetë secili pi neve: stoli pi dukati, zingjirë për kambë, byzylykë, unaza me vulë, vathë edhe stoli tjera, që me na u shly faji para Jehovait.”

51 Atëherë Moisiu edhe prifti Eleazar e kanë marrë dukatin pi tyne, krejt stolitë.

52 Krejt dukati që prijësit e mijësheve edhe të qindësheve e kanë dhanë si dhuratë për Jehovain u konë 16 750 sikla.

53 Secili pi burrave të ushtrisë kishte marrë plaçkë për veti.

54 Moisiu edhe prifti Eleazar e kanë marrë dukatin pi prijësve të mijësheve edhe të qindësheve edhe e kanë çu në tendën e takimit, që me shërby si përkujtim për izraelitët para Jehovait.