Libri i pest i Musës 9
1 Ngo, o Izrael, sot po e kalon Jordanin për me e marrë nji tokë ku jetojnë popuj ma të mëdhaj e ma të fortë se ti, me qytete të mëdhaja që kanë mure të forta e të nalta deri në qiell.
2 Aty asht nji popull i madh e shtatlartë, djemtë e Enakitëve. Ti e din për ta edhe ke ni tu thanë: ‘Kush munet me ju dalë përballë djemve të Enakut?’
3 Prandaj, dije sot që Jehovai, Zoti yt, ka me kalu përpara teje. Aj asht si nji zjarm që djeg krejt edhe ka me i zhdukë ata. Ka me i nënshtru para syve tu, që ti me mujt me i përzanë e me i zhdukë shpejt, qysh ta ka premtu Jehovai.
4 Kur Jehovai, Zoti yt, t’i përzanë ata para teje, mos meno me veti: ‘Jehovai më ka pru këtu edhe më ka lanë me e marrë këtë tokë se unë jom i drejtë.’ Jo, Jehovai po i përzanë këta popuj para teje për shkak të ligësisë së tyne.
5 Nuk asht pse ti je i drejtë a pse e ki zemrën e drejtë që po hyn në tokën e tyne për me e marrë. Përkundrazi, Jehovai, Zoti yt, po i përzanë këta popuj para teje për shkak të ligësisë së tyne, edhe për me e mbajtë fjalën që ua ka dhanë me betim t’parëve tu, Abrahamit, Isakut edhe Jakobit.
6 Prandaj dije që Jehovai, Zoti yt, s’po ta jep këtë tokë të mirë për me e marrë pse ti je i drejtë. Se ti je nji popull kryefortë.
7 Mbajeni në men edhe mos e harroni kurrë qysh e keni zemëru Jehovën, Zotin tuaj, në shkretinë. Qysh pi ditës që keni dalë pi Egjiptit e deri kur keni ardhë këtu, ju vazhdimisht i keni dalë kundër Jehovës.
8 Edhe në Horeb e keni zemëru Jehovën aq shumë, sa aj u zemëru me ju edhe ka dasht me ju zhdukë.
9 Kur kom hyp në mal për me i marrë pllakat e gurit, pllakat e besëlidhjes që Jehovai e ka bo me ju, kom nejt atje 40 ditë e 40 net, pa hanger e pa pi kurgjo.
10 Masanej Jehovai m’i ka dhanë dy pllakat e gurit, që u konë të shkrume me gishtin e Zotit. Në to u konë të shkrume krejt fjalët që Jehovai jua ka thanë pi zjarrit në mal, atë ditë kur jeni mbledhë krejt bashkë.
11 Në fund të 40 ditëve e 40 netëve, Jehovai m’i ka dhanë dy pllakat e gurit, pllakat e besëlidhjes.
12 Atëherë Jehovai më ka thanë: ‘Çohu, zhdryp shpejt poshtë. Populli yt që e ke nxjerrë pi Egjiptit ka bo nji punë shumë të keqe. Ata janë largu shpejt pi rrugës që ua kom kallxu. E kanë bo për veti nji shtatore pi metali.’
13 Masanej Jehovai më ka thanë: ‘E kom pa këtë popull. Sa kryefortë që asht!
14 Mos më nal me i zhdukë edhe me ua fshi emnin pi nën qiell. Unë kom me bo pi teje nji popull ma të fortë e ma të madh se ata.’
15 Masanej jom kthy edhe kom zhdryp pi malit me dy pllakat e besëlidhjes në duar, e mali u konë në flakë.
16 Kur kom kqyrë, e kom pa që ju keni bo gjynah kundër Jehovës, Zotit tuaj. E keni bo për veti nji viç pi metali. Jeni largu shpejt pi rrugës që Jehovai jua ka kallxu.
17 Atëherë i kom marrë dy pllakat edhe i kom gjujtë me të dyja duart. I kom thy copë-copë para syve tuaj.
18 Masanej jom shtri përmbys para Jehovës, qysh kom bo edhe herën e parë, për 40 ditë e 40 net. S’kom hanger e s’kom pi kurgjo për shkak të krejt gjynaheve që i keni bo. Ju keni bo qka u konë keq në sytë e Jehovës edhe e keni lëndu.
19 Jom tutë shumë, se Jehovai u konë aq i zemërum me ju, sa ka dasht me ju zhdukë. Po Jehovai më ka ngu edhe kësaj here.
20 Jehovai u konë aq shumë i zemërum edhe me Aronin, sa ka dasht me e zhdukë, po unë i jom lutë shumë Jehovës edhe për të.
21 Masanej e kom marrë viçin që e keni bo, atë që u konë dëshmi e gjynahit tuaj, edhe e kom djegë. E kom copëtu edhe e kom blu mirë, deri sa u bo pluhun i imtë. Atë pluhun e kom gjujtë në përroin që rrjedh pi malit.
22 Përveç kësaj, ju e keni zemëru Jehovën edhe në Tabera, në Massa edhe në Kibroth-Hataava.
23 Kur Jehovai ju ka nisë pi Kadesh-Barnea edhe ju ka thanë: ‘Çohuni, shkoni edhe merreni tokën që kom me jua dhanë pa tjetër!’, ju prapë i keni dalë kundër urdhnit të Jehovës, Zotit tuaj. S’i keni besu edhe s’e keni ngu.
24 Qysh pi ditës që ju njoh, ju vazhdimisht i keni dalë kundër Jehovës.
25 Prandaj jom shtri përmbys para Jehovës për 40 ditë e 40 net. Qashtu jom shtri, se Jehovai ka thanë që ka me ju zhdukë.
26 I jom lutë shumë Jehovës edhe i kom thanë: ‘O Zotni Sovran Jehova, mos e zhduk popullin tand. Ata janë populli yt, që të takon ty. Ti i ke shpëtu me fuqinë tande edhe i ke nxjerrë pi Egjiptit me dorë të fortë.
27 Kujtoji shërbëtorët tu, Abrahamin, Isakun edhe Jakobin. Mos e shiko kryefortësinë e këtij populli, as ligësinë e gjynahet e tij.
28 Përndryshe, njerëzit në tokën pi ku na ke nxjerrë munden me thanë: “Jehovai s’ka mujt me i çu në tokën që ua ka premtu. Edhe se i ka urrejtë, i ka nxjerrë pi aty që me vdekë në shkretinë.”
29 Po ata janë populli yt edhe të takojnë ty. Ti i ke nxjerrë me fuqinë tande të madhe edhe me krahun tand të shtrimë.’