Libri i pest i Musës 17
1 Mos i bo kurban Jehovës, Zotit tand, as nji dem e as nji dele që ka naj të metë në trup a naj të metë tjetër, se kjo asht e neveritshme për Jehovën, Zotin tand.
2 Nëse në njanin pi qyteteve që Jehova, Zoti yt, po t'i jep, gjindet nji burrë a nji grue pi mesit tand që bon diçka të keqe në sytë e Jehovës, Zotit tand, edhe e shkel besëlidhjen me të,
3 e shkon rrugës së gabume edhe ju falet zotave tjerë, përkulet para tyne a para diellit, hanës a krejt ushtrisë së qiellit, edhe pse unë e kom ndalu këtë,
4 e nëse dikush ta kallxon këtë punë a e nin vet, atëher hetoje mirë e mirë. Nëse vërtetohet që në Izrael përnime asht bo nji punë kaq e neveritshme,
5 atëher nxirre atë burrë a atë grue që e ka bo qat të keqe jashtë te portat e qytetit. Atë burrë a grue duhet me e gjujtë me gurë deri sa të dekë.
6 Vetëm me dëshminë e dy a tri dëshmitarëve munet me u dënu dikush me vdekje. Dëshmia e nji dëshmitari të vetëm s'mjafton për me e dënu me vdekje.
7 Dëshmitarët duhet me kon të parët që e çojnë dorën për me e vra, e mas tyne duhet me marrë pjesë krejt populli. Heke të keqen pi mesit tand.
8 Nëse në njanin pi qyteteve tua del nji rast që asht tepër i zor për ty me vendosë, qoftë nji rast ku asht derdhë gjak, ku dikush ka kërku të drejtën e vet, ku asht bo dhunë a naj mosmarrëveshje tjetër, atëher çohu e shko te vendi që Jehova, Zoti yt, ka me e zgjedhë.
9 Shko te priftërinjtë pi fisit të Levit edhe te gjyqtari që asht në detyrë në qat kohë, edhe pyeti. Ata kanë me ta kallxu vendimin.
10 Masanej vepro qysh të thojnë ata në vendin që Jehova ka me e zgjedhë. Ki kujdes me i zbatu krejt udhëzimet e tyne.
11 Vepro simas ligjit që ta kallxojnë edhe simas vendimit që ta japin. Mos u largo pi vendimit që ta kallxojnë, as djathtas as majtas.
12 Kush bohet mendjemadh edhe s'e ngon priftin që po i shërben Jehovës, Zotit tand, a gjyqtarin, duhet me dekë. Heke të keqen pi Izraelit.
13 Krejt populli ka me ni për këtë edhe ka me u tutë, e s'kanë me u sjellë ma me mendjemadhësi.
14 Kur të hysh në vendin që Jehova, Zoti yt, po ta jep, ta marrësh për veti edhe të jetosh aty, e të thush: «Po du me vnu nji mbret përmi veti, qysh e kanë krejt popujt përreth meje»,
15 atëher patjetër duhet me vnu përmi veti nji mbret që e zgjedh Jehova, Zoti yt. Mbreti duhet me kon njoni pi vllaznive tu. S'guxon me vnu mbret përmi veti nji të huej që s'asht pi vllaznive tu.
16 Po aj s'duhet me mledhë shumë kuaj për veti, as me e çu popullin apet në Egjipt për me marrë edhe ma shumë kuaj. Se Jehova ju ka thanë: «Kurr ma mos u ktheni nëpër qat rrugë.»
17 Aj s'duhet as me marrë shumë gra, që zemra e tij mos me u largu pi rrugës së drejtë. Edhe s'duhet me mledhë shumë argjend e ar për veti.
18 Kur të ulet në fronin e mbretnisë së vet, duhet me e kopju për veti në nji libër ligjin që e rujnë priftërinjtë pi fisit të Levit.
19 Atë libër duhet me e pasë gjithmonë me veti edhe me e lexu tanë jetën e vet, që me mësu me pasë tutë e respekt për Jehovën, Zotin e vet, edhe me i mbajtë e me i zbatu krejt fjalët e këtij ligji edhe këto rregulla.
20 Qashtu s'ka me e mbajtë veten ma të naltë se vllaznitë e vet, as s'ka me u largu pi urdhnave, as djathtas as majtas. E qashtu aj edhe djemtë e tij kanë me sundu gjatë në mbretninë e tij, në mesin e Izraelit.