Letra e dytë e Samuelit 10
1 Mas nji kohe, mbreti i amonitëve ka vdekë, edhe djali i tij, Hanuni, e ka marrë venin e tij si mbret.
2 Atëherë Davidi ka thanë: “Unë kom me u sjellë me besnikni ndaj Hanunit, djalit të Nahashit, qysh u sjellë baba i tij me besnikni ndaj meje.” Për qata Davidi i ka çu shërbëtorët e vet te Hanuni, për me ia shprehë ngushëllimet. Po kur ata kanë shku në venin e amonitëve,
3 paria e amonitëve i kanë thanë Hanunit, zotnisë së tyne: “A po menon ti që Davidi t’i ka çu këta njerëz me të ngushëllu, veç për me e nderu babën tand? Jo, Davidi t’i ka çu shërbëtorët e vet veç për me e kqyrë qytetin, me e spiunue edhe me të rrëzu ty.”
4 Atëherë Hanuni i ka kapë shërbëtorët e Davidit, ua ka rru gjysmën e mjekrës, ua ka pre teshat përgjysë deri te vithet edhe i ka çu me shku.
5 Kur Davidi ka marrë vesh për këtë, menjiherë ka çu njerëz me u dalë përpara, se ata u konë poshtnu shumë keq. Mbreti u ka çu fjalë: “Rrini në Jeriko deri sa t’ju rritet mjekra apet, e masanej kthehuni.”
6 Amonitët e kanë kuptu që Davidi i ka marrë inat për qka kanë bo. Për qata kanë çu njerëz me marrë ushtarë me pagesë. Kanë marrë 20 000 ushtarë kambësorë pi sirianët e Beth-Rehobit edhe të Zobës, edhe mbretin e Maakës me 1000 burra, si edhe 12 000 burra pi Ishtobi.
7 Kur Davidi e ka ni këtë, e ka çu Joabin me krejt ushtrinë, bashkë me luftëtarët ma të fortë.
8 Amonitët kanë dalë edhe janë rreshtu për luftë para hyrjes së portës së qytetit. Kurse sirianët e Zobës edhe të Rehobit, bashkë me burrat e Ishtobit edhe të Maakës, janë rreshtu ndamas në fushë të hapët.
9 Kur Joabi e ka pa që armiqtë po i sulmojshin pi përpara edhe pi mbrapa, i ka zgjedhë disa pi ushtarëve ma të mirë të Izraelit edhe i ka rreshtu për me luftu kundër sirianëve.
10 Kurse burrat e tjerë i ka lanë nën komandën e vllaut të vet, Abishait, për me luftu kundër amonitëve.
11 Joabi i ka thanë: “Nëse sirianët m’dalin shumë të fortë, ti duhet me ardhë mem ndihmu. E nëse amonitët t’dalin ty shumë të fortë, unë kom me ardhë me të ndihmu.
12 Duhet me konë të fortë edhe trima për popullin tonë edhe për qytetet e Zotit tonë. E Jehovai ka me bo qka asht mirë në sytë e tij.”
13 Masanej Joabi ka shku përpara me burrat e vet për me luftu kundër sirianëve, po ata kanë ikë para tij.
14 Kur amonitët e kanë pa që sirianët kanë ikë, edhe ata kanë ikë para Abishait edhe janë kthy në qytet. Mas kësaj, Joabi asht largu pi amonitëve edhe ka shku në Jerusalem.
15 Kur sirianët e kanë kuptu që Izraeli i ka mujt, janë mbledhë edhe janë rreshtu apet për luftë.
16 Hadadezeri i ka thirrë edhe sirianët pi anës së Eufratit me ardhë. Ata kanë shku në Helam, nën komandën e Shobakut, komandantit të ushtrisë së Hadadezerit.
17 Kur Davidi ka marrë vesh për këtë, menjiherë e ka mbledhë krejt Izraelin, e ka kalu Jordanin edhe ka shku në Helam. Sirianët janë rreshtu për luftë edhe kanë luftu kundër Davidit.
18 Po sirianët kanë ikë para Izraelit. Davidi i ka vra 700 burra që i drejtojshin qerret e luftës të sirianëve edhe 40 000 kalorës sirianë. E ka goditë edhe Shobakun, komandantin e ushtrisë, edhe aj ka vdekë aty.
19 Kur krejt mbretërit që ishin nën urdhnat e Hadadezerit e kanë pa që Izraeli i ka mujt, menjiherë kanë bo paqe me Izraelin edhe i janë nënshtru. Pi asaj kohe, sirianët janë tutë me i ndihmu apet amonitët.