Letra e parë e Mbreterve 14

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Në atë kohë Abija, djali i Jerobeamit, u smu.

2 Atëher Jerobeami i ka thanë grusë së vet: “Të lutna, veshu ndryshe që mos me të njoft kush që je gruja jem, edhe nisu për Shilo. Atje asht profeti Ahija. Aj e ka thanë që unë kom me sundu si mbret mbi këtë popull.

3 Merri me veti dhjetë bukë, disa kulaçë edhe nji shishe mjaltë, edhe shko te aj. Aj ka me të kallxu qka ka me ndodh me djalin.”

4 Gruja e Jerobeamit e ka bo qysh i ka thanë aj. U nis për Shilo edhe ka ardh te shpija e Ahijas. Ahija veç kqyrke drejt përpara, se pi pleqnisë u konë bo i verbët.

5 Jehovai ia ka kallxu Ahijas qysh ma herët: “Gruja e Jerobeamit asht tu ardh këtu. Ka me të vetë diçka për djalin e vet, se aj asht i smutë. Unë kom me të thanë qka me iu përgjigj. Kur të vijë, s’ka me kallxu kush asht.”

6 Kur Ahija i ka ni hapat e saj te dera, i ka thanë: “Hajde mrena, o gruja e Jerobeamit. Pse po e mshef kush je? Kom nji lajm të randë me ta thanë.

7 Shko edhe thuji Jerobeamit: ‘Kështu thotë Jehovai, Zoti i Izraelit: “Unë të kom zgjedh pi mesi i popullit tand edhe të kom bo udhëheqës të popullit tem, Izraelit.

8 Masanej ia kom marrë mbretninë shpisë së Davidit edhe ta kom dhanë ty. Po ti s’je bo si shërbëtori jem Davidi. Aj i ka majt urdhnat e mi, më ka ndjek me krejt zemrën edhe gjithmonë ka bo qka u konë e drejtë në sytë e mi.

9 Po ti ke bo ma shumë të kqija se krejt ata që jonë konë para teje. I ke bo vetit nji zot tjetër edhe figura pi metali, edhe me këto më ke hidhnu. Mua ma ke kthy shpinën.

10 Për qata kom me pru fatkeqësi mbi shpinë e Jerobeamit edhe kom me i zhduk krejt pasardhësit meshkuj të Jerobeamit, edhe ata që jonë të pafuqishëm e të dobët në Izrael. Kom me e fshi krejt shpinë e Jerobeamit, qysh fshihet jashtëqitja, deri sa mos me metë kurgjo.

11 Kush pi njerëzve të Jerobeamit vdes në qytet, qentë kanë me e hangër. E kush vdes në fushë, shpezët e qiellit kanë me e hangër, se Jehovai e ka thanë.”’

12 Tash nisu edhe shko në shpi. Sapo të hysh në qytet, fëmija ka me dekë.

13 Krejt Izraeli ka me e vajtu djalin edhe ka me e varros. Pi familjes së Jerobeamit, veç aj ka me u shti në vorr, se Jehovai, Zoti i Izraelit, veç te aj ka gjet diçka të mirë në shpinë e Jerobeamit.

14 Jehovai ka me e caktu për veti nji mbret në Izrael, që ka me e zhduk shpinë e Jerobeamit pi asaj dite e tutje, po, qysh tash.

15 Jehovai ka me e goditë Izraelin, sa ka me u luhat si nji kallam në ujë. Ka me e shkul Izraelin pi ajo tokë e mirë që ua ka dhanë të parëve të tyne. Edhe ka me i shpërnda në anën tjetër të lumit Eufrat, se ata kanë bo për veti hunj të shenjtë edhe me këto e kanë hidhnu Jehovën.

16 Për shkak të gjynaheve që i ka bo Jerobeami edhe që e ka shty Izraelin me i bo, Jehovai ka me e lonë Izraelin.”

17 Atëher gruja e Jerobeamit u nis edhe ka ardh në Tirza. Sapo ka shku te dera e shpisë, djali ka dekë.

18 E kanë varros edhe krejt Izraeli ka vajtu për të, bash qysh e ka paralajmru Jehovai nëpërmjet shërbëtorit të vet, profetit Ahija.

19 Krejt senet tjera për historinë e Jerobeamit, për luftat që i ka bo edhe qysh ka sundu, jonë të shkrume në librin e kronikave të mbretve të Izraelit.

20 Jerobeami ka sundu 22 vjet. Masanej ka dekë, edhe mas tij u bo mbret djali i tij, Nadabi.

21 Ndërkohë, në Judë mbret u bo Rehabeami, djali i Salomonit. Aj i ka pas 41 vjet kur u bo mbret, edhe ka sundu 17 vjet në Jerusalem, në qytetin që Jehovai e ka zgjedh pi krejt fiset e Izraelit për me e lidh emnin e vet me atë vend. Nana e tij u konë Naama, nji grue amonite.

22 Populli i Judës ka bo qka u konë keq në sytë e Jehovës. Me gjynahet e tyne e kanë hidhnu Jehovën edhe ma shumë se të parët e tyne.

23 Edhe ata kanë ndërtu vende adhurimi nëpër vende të nalta, mbi çdo kodër të naltë edhe nën çdo dru me shumë gjethe. Kanë ngrit edhe shtylla të shenjta e hunj të shenjtë.

24 Në atë vend ka pas edhe burra që merreshin me prostitucion nëpër tempuj. Ata i kanë bo të njajtat sene të neveritshme që i bojshin popujt të cilët Jehovai i ka përzanë para se me ardh izraelitët.

25 Në vitin e pestë të mbretit Rehabeam, Shishaku, mbreti i Egjiptit, ka ardh me sulmu Jerusalemin.

26 Aj i ka plaçkit thesaret pi shpija e Jehovës edhe pi pallati i mbretit. I ka marrë krejt, edhe mburojat pi ari që i ka bo Salomoni.

27 Atëher mbreti Rehabeam i ka bo mburoja pi bakri në vend të tyne edhe ua ka dhanë kryetarëve të rojave që e ruajshin hyrjen e pallatit të mbretit.

28 Sa herë që mbreti shkojke në shpinë e Jehovës, rojat i bartshin mburojat, e masanej i kthejshin prap në dhomën e rojave.

29 Krejt senet tjera për historinë e Rehabeamit edhe krejt qka ka bo aj, jonë të shkrume në librin e kronikave të mbretve të Judës.

30 Mes Rehabeamit edhe Jerobeamit ka pas luftë pa nalë.

31 Masanej Rehabeami ka dekë edhe e kanë varros te të parët e tij në Qytetin e Davidit. Nana e tij u konë Naama, nji grue amonite. Mas tij, djali i tij Abijami u bo mbret.