Letra e dytë e Mbreterve 21

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Manase u ba mbret kur i ka pasë 12 vjet edhe ka sundu 55 vjet në Jerusalem. Nana e tij e ka pasë emnin Hefziba.

2 Aj ka ba qka u konë keq në sytë e Jehovait, se i ka marrë zakonet e neveritshme të popujve që Jehova i ka përzanë para popullit të Izraelit.

3 Aj i ka ndërtu prapë vendet e nalta të adhurimit që baba i tij Hiskia i ka shkatërru, ka ngritë altare për Baalin edhe ka ba nji shtyllë të shenjtë, qashtu si Ahabi, mbreti i Izraelit. Gjithashtu, u asht përkulë krejt ushtrisë së qiellit edhe u ka shërby atyne.

4 Përveç kësaj, ka ndërtu altare në shpinë e Jehovait, për të cilën Jehova ka thanë: «Jerusalemi ka me u lidhë me emnin tem.»

5 Në dy oborret e shpisë së Jehovait ka ngritë altare për krejt ushtrinë e qiellit.

6 E ka djegë djalin e vet si kurban. Ka ba magji, ka kërku shenja për me e ditë qka ka me ndodhë edhe ka marrë në shërbim njerëz që merren me shpirta e fallxhorë. Ka ba shumë gjana të këqija në sytë e Jehovait, edhe kështu e ka idhnu shumë.

7 Figurën e idhullit, shtyllën e shenjtë që e ka ba, e ka vnu në shpinë për të cilën Jehova i ka thanë Davidit edhe djalit të tij Salomonit: «Kjo shpi edhe Jerusalemi, që e kom zgjedhë pi krejt fiset e Izraelit, kanë me u lidhë përgjithmonë me emnin tem.

8 Edhe unë s’kom me i lanë izraelitët me u detyru me u largu ma kurrë pi vendit që ua kom dhanë të parëve të tyne, veç nëse ata i zbatojnë me përpikëri krejt urdhnat e mi edhe krejt qka u ka urdhnu ligji i shërbëtorit tem Moisi.»

9 Po ata s’kanë dashtë me dëgju, edhe Manase vazhdimisht i ka shty me ba gjana edhe ma të këqija se popujt që Jehova i ka shkatërru kur izraelitët e kanë marrë atë vend.

10 Jehova vazhdimisht ka folë përmes shërbëtorëve të vet, profetëve, edhe ka thanë:

11 «Manase, mbreti i Judës, ka ba kaq shumë gjana të neveritshme. Ka ba ma keq se krejt amoritët para tij, edhe e ka shty Judën me mëkatu me idhujt e tij të neveritshëm.

12 Prandaj kështu thotë Jehova, Zoti i Izraelit: ‘Unë kom me pru nji fatkeqësi aq të madhe mbi Jerusalemin edhe Judën, sa kujtdo që e nin, kanë me iu ushtu të dy veshët.

13 Kom me e matë Jerusalemin me të njëjtin litar që e kom matë Samarinë, edhe me të njëjtën masë si shpinë e Ahabit. Kom me e fshi Jerusalemin si nji pjatë që e pastron edhe e kthen përmbys.

14 Kom me i lanë ata që kanë mbetë pi trashëgimia jeme edhe kom me i dhanë në duart e armiqve të tyne. Ata kanë me u ba plaçkë edhe pre për krejt armiqtë e tyne,

15 se kanë ba qka asht keq në sytë e mi edhe vazhdimisht më kanë idhnu, qysh pi ditës kur të parët e tyne kanë dalë pi Egjiptit e deri sot.’»

16 Manase s’ka mëkatu veç pse e ka shty Judën me ba qka u konë keq në sytë e Jehovait. Aj ka derdhë edhe aq shumë gjak të pafajshëm, sa Jerusalemi u mbush me gjak pi nji skaj në tjetrin.

17 Krejt tjerat për historinë e Manases, krejt qka ka ba edhe mëkatet që i ka ba, jonë të shkrume në librin e kronikave të mbretërve të Judës.

18 Në fund Manase ka dekë edhe e kanë varrosë në kopshtin e shpisë së vet, në kopshtin e Uzës. Mbas tij, djali i tij Amoni ka hyp në fron.

19 Amoni u ba mbret kur i ka pasë 22 vjet edhe ka sundu dy vjet në Jerusalem. Nana e tij e ka pasë emnin Meshulemet. Ajo u konë vajza e Haruzit pi Jotba.

20 Qashtu si baba i tij Manase, edhe aj vazhdimisht ka ba qka u konë keq në sytë e Jehovait.

21 Ka ecë në të njëjtat rrugë si baba i vet. U ka shërby idhujve të neveritshëm që u ka shërby edhe baba i tij, edhe u asht përkulë atyne.

22 E ka lanë Jehovain, Zotin e të parëve të vet, edhe s’ka ecë në rrugën e Jehovait.

23 Në fund, shërbëtorët e mbretit Amon janë marrë vesh fshehtas kundër tij edhe e kanë vra në shpinë e vet.

24 Po njerëzit e vendit i kanë vra krejt ata që janë marrë vesh fshehtas kundër mbretit Amon, edhe e kanë ba djalin e tij Josia mbret.

25 Krejt tjerat për historinë e Amonit edhe qka ka ba, jonë të shkrume në librin e kronikave të mbretërve të Judës.

26 E kanë varrosë në varrin e tij në kopshtin e Uzës, edhe mbas tij djali i tij Josia ka hyp në fron.