Luka 12
1Ndërkohë ishin mbledhë mijëra njerz, aq shumë sa e shkelnin njani-tjetrin në kambë. Atëherë aj nisi me ju thanë së pari nxansave të vet: „Ruhi pi tharmit të Farisenjve, domethanë pi dyftyrnisë së tyne. 2Po s’ka kurgjo të msheftë me kujdes që s’ka me u zbulu, as kurgjo sekret që s’ka me u ditë. 3Prandaj qka thuni në terr, ka me u ni në dritë, edhe qka pëshpëritni në dhoma private, ka me u shpallë pi kulmeve. 4Po ju thom edhe juve, miqve të mi: Mos kini frikë pi atyne që e mytin trupin, po masanej s’mujnë me bo kurgjo ma shumë. 5Po unë ka me ju kallxu kuj duhet me ju tutë: Tutjuni Atij që ka pushtet me mbytë edhe masanej me gjujtë në Gehenë. Po, po ju thom: Atij tutjuni. 6Sa paguhet për pesë harabela? Dy pare që s’vlejnë gati kurgjo. Po Zoti nuk e harron asnjonin pi tyne. 7Edhe flokët në krytë tuej janë krejt të numrum. Mos kini frikë: ju vleni ma shumë se nji tufë e tanë harabelash.
8Po ju thom: Secili që pranon para njerzve se asht me mu, edhe Biri i njeriut ka me pranu para melaqeve të Zotit se asht me të. 9Po kush m’moho para njerzve, aj ka me u mohu para melaqeve të Zotit. 10Edhe secili që thotë diçka kundër Birit të njeriut, ka me ju falë. Po kush shan kundër frymës së shenjtë, atij s’ka me ju falë. 11Kur t’ju çojnë para mbledhjeve publike, para zyrtarëve të qeverisë edhe para autoriteteve të nalta, mos u boni marak qysh keni me u mbrojtë a qka keni me thanë, 12se fryma e shenjtë ka me ju msu në qat moment qka duhet me thanë.“
13Atëherë dikush pi kallabllakut i tha: „Mësues, thuj vllaut tem me e nda trashëgiminë me mu.“ 14Aj ju përgjigj: „O njeri, kush m’ka caktu mu me qenë gjykatës a ndërmjetës mes juve dyve?“ 15Masanej ju tha: „Qelni sytë edhe ruhuni pi çdo lloj lakmie, se edhe nëse dikush ka shumë, pasunia e tij s’ja jep jetën.“ 16Pastaj ju tregoi nji krahasim: „Toka e nji pasaniku dha bereqet të mirë. 17Atëherë aj nisi me menu: ‘S’e di ku me e shti krejt bereqetin tem. Qka me bo tash?’ 18Ma në fund vendosi: ‘Kështu ka me bo: ka me i rrëzu depot e mia, ka me i ndërtu ma të mëdhaja, aty ka me e shti krejt grunin tem edhe krejt senet e mia 19edhe ka me i thanë vetes: „Ke mbledhë shumë të mira, sa t’dalin për shumë vjet. Rri rahat, ha, pi edhe knaqu me jetë.“’ 20Po Zoti i tha: ‘O i pamençun, qit natë kanë me ta kërku jetën tane. E kuj kanë me i metë krejt ato që i ke mbledhë?’ 21Kështu i shkon atij që mbledh thesare për veti, po para Zotit s’asht i pasun.“
22Atëherë aj ju kthye nxansave të vet: „Për qata po ju thom: Mos u boni ma marak për jetën tuej, qka keni me hangër, as për trupin tuej, qka keni me veshë. 23Se jeta vlen ma shumë se ushqimi, edhe trupi ma shumë se teshat. 24Mendoni pak për korbat: ata nuk mbjellin e nuk korrin, nuk kanë as hambar as depo. Prapë Zoti i ushqen. A nuk vleni ju shumë ma shumë se zogjtë? 25Kush pi juve, tu u bo marak, mundet me ja zgjatë jetës së vet qoftë edhe pak? 26Nëse pra s’muni me bo as nji sen kaq të vogël, pse po boni marak për senet tjera? 27Kqyrni pak qysh rriten zambakët: nuk lodhen e nuk tjerrin penj. Po unë po ju thom: as Solomoni, me krejt madhështinë e tij, s’u kanë i veshun aq bukur sa njoni pi tyne. 28Nëse Zoti i vesh kështu bimët e fushës, që sot janë e nesër hidhen në furrë, a nuk ka me ju veshë edhe ma shumë juve? Sa pak besim keni! 29Pra mos u boni ma marak qka keni me hangër e qka keni me pi, edhe mos rrini të tensionum pi pasigurisë. 30Se krejt kto i lypin me ngulm popujt e botës, po Ati juej e din që ju duhen krejt kto. 31Përkundrazi, boni gjithmonë mbretninë e Zotit ma të randësishmen në jetën tuej, edhe krejt kto kanë me ju shtu.
32Mos ki frikë, kope e vogël, se Ati juej e ka pa të mirë me jau dhanë mbretninë. 33Shitni pasuninë tuej edhe jepjuni të vorfnive. Bani për veti kuleta që nuk vjetrohen, nji thesar që s’shterret në qiell, ku s’afrohet hajni edhe ku tenja s’e han kurgjo. 34Se ku asht thesari juej, aty ka me qenë edhe zemra juej.
35Jini të veshun e gati, edhe leni llampat tueja ndezë. 36Jini si njerëz që e presin zotninë e vet me u kthy pi dasmës, që kur të vjen e të troket, me ja çelë menjiherë. 37Lum ata shërbëtorë që zotnia i gjen zgjuet kur të vjen! Përnime po ju thom: Aj ka me u bo gati me ju shërby, ka me i ulë në sofër, masanej ka me ardhë e ka me ju shërby. 38Edhe nëse vjen në rojën e dytë të natës, a edhe në të tretën, dhe i gjen gati, sa t’lumtun kanë me qenë ata! 39Nji sen dihet: nëse i zoti i shpisë e din kur vjen hajni, nuk e len me ja thy shpinë. 40Edhe ju rrini gati, se Biri i njeriut vjen në nji kohë që ju s’e mendoni.“
41Atëherë Pjetri e pyti: „Zotni, a po e tregon qit krahasim veç për neve a për krejt?“ 42Zotnia ju përgjigj: „Kush asht përnime kujdestari besnik, aj i mençmi, që zotnia i tij ka me ja besu përgjegjësinë për shërbëtorët e vet, që me ju dhanë gjithmonë racionin e ushqimit në kohën e duhun? 43Lum aj shërbëtor, kur zotnia i tij vjen edhe e sheh tu bo pikërisht qashtu! 44Po ju thom të vërtetën: Zotnia i tij ka me ja besu përgjegjësinë për krejt pasuninë e vet. 45Po nëse aj shërbëtor najherë thotë me veti: ‘Zotnia jem po vonohet’, edhe nis me i rrehë shërbëtorët e shërbëtoret, edhe nis me hangër e me pi, po edhe me u dehë, 46zotnia i qatij shërbëtori ka me ardhë nji ditë kur aj s’e pret edhe në nji orë që aj s’e din, ka me e dënu shumë randë edhe ka me ja dhanë venin me të pabesët. 47Atëherë aj shërbëtor që e kuptoi qka deshi zotnia i vet, po nuk u bo gati as nuk e kreu detyrën e vet, ka me marrë shumë të rrehna. 48Kurse aj që nuk e kuptoi, po bani diçka për të cilën meriton të rrehna, ka me marrë pak. Secilit që ju ka dhanë shumë, shumë ka me ju kërku, edhe kuj ju ka besu shumë, pi tij kanë me kërku ma shumë se zakonisht.
49Unë kam ardhë me ndezë nji zjarr në tokë, edhe qka kisha dashtë ma shumë se me qenë veç i ndezun tashmë! 50Po kam edhe nji pagëzim përpara meje, edhe sa shumë jom në ankth derisa të kryhet. 51A menoni që kam ardhë me pru paqe në tokë? Jo, po ju thom, po me nda. 52Se pi tash e tutje pesë veta në nji shpi kanë me qenë të ndamë: tre kundër dyve, edhe dy kundër treve. 53Kanë me qenë të ndamë: baba kundër djalit edhe djali kundër babës, nana kundër çikës edhe çika kundër nanës, vjehrra kundër resë edhe reja kundër vjehrrës.“
54Mas kësaj ju kthye edhe kallabllakut: „Kur e shihni nji re tu u çu në perëndim, menjiherë thuni: ‘Po vjen furtunë’, edhe qashtu bohet. 55Edhe kur e shihni që po fryn era pi jugut, thuni: ‘Ka me pas vapë të madhe’, edhe qashtu del. 56O dyftyrat! Dukjen e tokës edhe të qiellit dini me e vlerësu, po pse s’muni me e vlerësu qit kohë të veçantë? 57Edhe pse s’muni vetë me gjyku qka asht e drejtë? 58Për shembull, kur je tu shku me kundërshtarin tand te nji udhëheqës, bon çmos rrugës me u marrë vesh me të, që aj mos me t’tërhekë para gjykatësit, e gjykatësi me t’dorëzu te zyrtari i gjyqit, e zyrtari i gjyqit me t’gjujtë në burg. 59Po t’thom: Kurrsesi s’ke me dalë pi aty, derisa ta pagush edhe paren e fundit të vogël.“