Romakëve 6
1 Qka me thanë pra? A të vazhdojmë me bo gjynah, që mirësia e pameritume me u shtu? 2 Kurrsesi! Qysh mundemi me vazhdu me jetu në gjynah, kur për sa i përket gjynahit kemi vdekë? 3 Apo nuk e dini që krejt ne që jemi pagëzu në Krishtin Jezus, jemi pagëzu në vdekjen e tij? 4 Pra, përmes pagëzimit tonë në vdekjen e tij, jemi varrosë bashkë me të, që qysh Krishti u ringjall pi të dekuneve përmes lavdisë së Atit, edhe na me jetu nji jetë të re. 5 Sepse nëse jemi bo nji me të në nji vdekje si e tij, patjetër kemi me u bo nji me të edhe në nji ringjallje si e tij. 6 E dimë që personaliteti jonë i vjetër u gozhdu në shtyllë bashkë me të, që trupi jonë gjynahqar me humbë fuqinë, edhe na mos me qenë ma robër të gjynahit. 7 Sepse kush ka vdekë, asht liru pi gjynahi i vet.
8 Përveç kësaj, besojmë që nëse kemi vdekë me Krishtin, kemi me jetu edhe me të. 9 Sepse e dimë që Krishti, pasi tash asht ringjallë pi të dekuneve, nuk vdes ma. Vdekja nuk asht ma zot mbi të. 10 Sepse vdekjen që e vdiq, e vdiq nji herë e përgjithmonë për sa i përket gjynahit, kurse jetën që e jeton, e jeton për Zotin. 11 Edhe ju, llogariteni veten të vdekun për sa i përket gjynahit, po të gjallë për Zotin përmes Krishtit Jezus.
12 Prandaj mos e leni gjynahin me sundu ma si mbret në trupin tuej të vdekshëm, që me ju shty me ju bindë dëshirave të tij. 13 As mos i vno trupat tuej në shërbim të gjynahit si armë të padrejtësisë, po vnone veten në shërbim të Zotit si ata që ishin të vdekun e tash jetojnë, edhe vnone trupat tuej në shërbim të Zotit si armë të drejtësisë. 14 Sepse gjynahi nuk guxon me ju sundu, masi nuk jeni nën Ligj, po nën mirësi të pameritume.
15 Qka del prej kësaj? A të bojmë gjynah pse nuk jemi nën Ligj, po nën mirësi të pameritume? Kurrsesi! 16 A nuk e dini? Nëse e vnone veten si robër të bindun në shërbim të dikujt, jeni robër të atij që i bindeni. O jeni robër të gjynahit që çon në vdekje, o të bindjes që çon në drejtësi. 17 Po faleminderit Zotit që, edhe pse dikur ishit robër të gjynahit, tash pi zemra ju bindët modelit të mësimit që ju asht dorëzu. 18 Po, masi jeni liru pi gjynahi, jeni bo robër të drejtësisë. 19 Për shkak të dobësisë së natyrës tuej gjynahqare, po flas me fjalë njerëzore. Sepse qysh i keni bo trupat tuej robër të papastërtisë edhe paligjshmënisë, që çoi në paligjshmëni, qashtu tash bani trupat tuej robër të drejtësisë, që çon në shenjtëri. 20 Sepse kur ishit robër të gjynahit, ishit të lirë për sa i përket drejtësisë.
21 Po çfarë fryti keni pasë atëherë? Ato ishin sene për të cilat tash ju vjen marre. Sepse fundi i tyne asht vdekja. 22 Po tash jeni liru pi gjynahi edhe jeni bo robër të Zotit. Si fryt po prodhoni shenjtëri, edhe fundi asht jetë t’amshume. 23 Sepse paga që e jep gjynahi asht vdekja, po dhurata që e jep Zoti asht jetë t’amshume përmes Krishtit Jezus, Zotnisë tonë.