Romakëve 14
1 Pranojeni njeriun që asht i dobët në besim, po mos gjykoni për mendime të ndryshme. 2 Njani ka besim që i lejon me hangër gjithçka, kurse i dobëti han veç perime. 3 Aj që han, mos ta shohë poshtë atë që nuk han, edhe aj që nuk han, mos ta gjykojë atë që han, sepse Zoti e ka pranu. 4 Kush je ti që po e gjykon shërbëtorin e dikujt tjetër? A qëndron a bjen, atë e vendos zotnia i vet. Po, aj ka me u mbajtë në kambë, sepse Jehovaj mundet me e mbajtë në kambë.
5 Njani e mban nji ditë ma të rëndësishme se tjetra. Për dikon tjetër, krejt ditët janë njësoj. Secili le të jetë plotësisht i bindun për veten. 6 Kush e mban nji ditë të caktume si të veçantë, e bon për Jehovajn. Edhe kush han, han për Jehovajn, sepse e falënderon Zotin. Edhe kush nuk han, nuk han për Jehovajn, e prapë e falënderon Zotin. 7 Sepse asnjoni pi neve nuk jeton veç për veten, edhe asnjoni nuk vdes veç për veten. 8 Sepse nëse jetojmë, jetojmë për Jehovajn, edhe nëse vdesim, vdesim për Jehovajn. Pra, a jetojmë a vdesim, i takojmë Jehovajt. 9 Sepse Krishti vdiq edhe u kthy prapë në jetë, që me qenë Zotni si mbi të dekunit, ashtu edhe mbi të gjallët.
10 Po ti, pse po e gjykon vllaun tand? Edhe ti, pse po e sheh poshtë vllaun tand? Sepse krejt kemi me qëndru para karriges së gjykimit të Zotit, 11 sepse në Shkrime thuhet: „‘Pasha jetën teme!’, thotë Jehovaj. ‘Para meje ka me u përkulë çdo gju, edhe çdo gjuhë ka me e pranu hapur Zotin.’“ 12 Pra, secili pi neve ka me dhanë llogari për veten para Zotit.
13 Prandaj mos ta gjykojmë ma njani-tjetrin, po ma mirë vendosni mos me i vu vllaut para as gur pengese, as pengesë tjetër. 14 Unë e di edhe jom i bindun në Zotninë Jezus që kurgjo nuk asht e papastër në vetvete. Veç nëse dikush e sheh diçka si të papastër, për të ajo asht e papastër. 15 Sepse nëse vllau yt pengohet për shkak të ushqimit tand, atëherë ti nuk po ec ma në udhën e dashnisë. Mos e shkatërro me ushqimin tand atë për të cilin Krishti ka vdekë. 16 Prandaj mos lejoni që për të mirën që e boni të flitet keq. 17 Sepse te mbretnia e Zotit nuk asht puna te ushqimi e pija, po te drejtësia, paqja edhe gëzimi me frymë të shenjtë. 18 Kush i shërben Krishtit si rob në këtë mënyrë, asht i pranueshëm për Zotin edhe gjen pëlqim te njerzt.
19 Prandaj le të synojmë ato që sjellin paqe edhe ato që na ndihmojnë me e ndërtu njani-tjetrin. 20 Mos e rrëzoni veprën e Zotit veç për shkak të ushqimit. Vërtet, krejt senet janë të pastra, po për njeriun asht dam nëse han edhe kështu i bon tjerët me ra. 21 Ma së miri asht mos me hangër mish, mos me pi venë, edhe me hjekë dorë pi çdo sen tjetër ku vllau yt pengohet. 22 Besimin që e ke, maje për vete para Zotit. I lumtun asht njeriu që nuk e dënon veten për diçka që e sheh si të mirë. 23 Po nëse aj ka dyshime, veç asht i dënuem nëse han, sepse nuk han pi besimi. Në të vërtetë, gjithçka që nuk bazohet në besim asht gjynah.