Letra i parë te Pjetrit 3
1 Po qashtu edhe ju gra, nënshtrojuni burrave tuej. Atëherë ata që nuk i binden fjalës së Zotit, munden me u fitu pa asnji fjalë përmes sjelljes tuej, 2 sepse e kanë pa sjelljen tuej të mirë e plot respekt të thellë. 3 Zbukurimi juej mos të jetë i jashtëm, si flokët e gërshetuem, stolitë pi ari a rrobat e bukura, 4 po le të jetë njeriu i mshehun i zemrës, me zbukurimin që s’prishet: nji frymë e qetë edhe e butë, që ka vlerë të madhe në sytë e Zotit. 5 Sepse qashtu zbukuroheshin dikur edhe gratë e shenjta që shpresojshin te Zoti. Ato ju nënshtroheshin burrave të vet, 6 si Sara, që e ngonte Abrahamin edhe e quante zotni. Edhe ju jeni fmitë e saj, nëse vazhdoni me bo mirë edhe nuk lejoni me ju frikësu.
7 Qashtu edhe ju burra, vazhdoni me jetu me gratë tueja simas njohurisë. Jepjuni nderim, sepse si gra janë enë ma të dobëta, edhe bashkë me ju kanë me trashëgu dhuratën e jetës. Atëherë lutjet tueja s’kanë me u pengu.
8 Në fund, pajtohuni krejt në mendime, kini dhimt për njani-tjetrin, dashni vllaznore, mëshirë të thellë edhe përulësi. 9 Mos e ktheni të keqen me të keqe, as fyerjen me fyerje. Përkundrazi, bekoni, sepse për këtë jeni thirrë, që me trashëgu bekim.
10 Sepse „kush e don jetën edhe don me pa ditë të mira, duhet me pasë kujdes që gjuha e tij mos me thanë kurgjo të keqe, edhe buzët e tij mos me folë mashtrim. 11 Le të largohet pi së keqes edhe le të bon mirë. Le ta kërkon paqen edhe le të shkon mas saj. 12 Sepse sytë e Jehovajt janë mbi të drejtët, edhe veshët e tij i ngojnë lutjet e tyne. Po ftyra e Jehovajt asht kundër atyne që veprojnë keq.“
13 Kush ka me ju bo keq, nëse jeni plot zell për të mirën? 14 Po edhe nëse vuani pse po boni atë që asht e drejtë, mundeni me qenë të lumtun. Mos u frikësoni pi asaj që ata frikësohen, edhe mos u shqetësoni, 15 po shenjtërojeni Krishtin si Zotni në zemrat tueja, gjithmonë gati me u mbrojtë para secilit që ju kërkon arsye për shpresën që e keni, po bone këtë me butësi edhe respekt të thellë.
16 Mbajeni nji ndërgjegje të mirë, që ata që flasin kundër juve, për çkado qoftë, me u turpnu për shkak të sjelljes suej të mirë si ndjekës të Krishtit. 17 Sepse ma mirë asht me vujtë për vepra të mira, nëse vullneti i Zotit e lejon këtë, sesa për vepra të këqija. 18 Sepse Krishti vdiq nji herë e përgjithmonë për gjynahet, nji i drejtë për të padrejtët, që me ju çu te Zoti. Aj u vra si njeri, po u bo i gjallë si frymë. 19 Në këtë gjendje, aj shkoi edhe ju predikoi shpirtnave në burg, 20 që dikur kishin qenë të pabindun, kur Zoti priste me durim në kohën e Noes, derisa po ndërtohej arka, në të cilën pak veta, pra tetë shpirta, u bartën sigurt nëpër ujë.
21 Pagëzimi, që i përgjigjet kësaj, tash po ju shpëton edhe juve, jo përmes pastrimit të trupit pi papastërtisë, po përmes kërkesës që i bohet Zotit për nji ndërgjegje të mirë, përmes ringjalljes së Jezu Krishtit. 22 Aj asht në anën e djathtë të Zotit, sepse shkoi në qiell, edhe melaqet, autoritetet e fuqitë ju nënshtrun atij.