Letra i dytë te Timoteut 2
1 Ti pra, fmija jem, vazhdo me u forcu në mirësinë e pameritume që asht në Krishtin Jezus. 2 Edhe atë që e ke ni pi unë, të mbështetun pi shumë dëshmitarë, besoja njerzve besnikë, që pastaj edhe vetë kanë me qenë mjaft të aftë me i mësu të tjerët. 3 Si ushtar i mirë i Krishtit Jezus, merre pjesën tande në vuajtjen e vështirësive. 4 Askush që shërben si ushtar nuk përzihet në punë tregtie, sepse don me marrë pëlqimin e atij që e ka marrë si ushtar. 5 Edhe në gara, nji garues nuk kurorëzohet nëse nuk ju ka përmbajtë rregullave. 6 Bujku që punon randë duhet me qenë i pari që merr pjesë pi frytet. 7 Mendo gjithmonë për atë që po thom. Zotnia ka me të dhanë kuptim në gjithçka.
8 Mbaje në mend që Jezu Krishti u ringjall pi të dekunit edhe ishte pasardhës i Davidit. Ky asht lajmi i mirë që po e predikoj, 9 për të cilin po vuaj edhe jom i lidhun në burg si kriminel. Po fjala e Zotit nuk mundet me u lidhë me zinxhirë. 10 Prandaj vazhdoj me i duru krejt senet për shkak të të zgjedhunve, që edhe ata të shpëtohen përmes Krishtit Jezus edhe të marrin lavdi të amshume. 11 Këto fjalë janë të besueshme: Nëse kemi vdekë me të, patjetër kemi me jetu edhe me të. 12 Nëse vazhdojmë me qëndru, kemi me sundu edhe si mbretën me të. Nëse e mohojmë, edhe aj ka me na mohu. 13 Nëse na jemi të pabesë, aj mbetet besnik, sepse nuk mundet me e mohu veten.
14 Kujtoja atyne vazhdimisht krejt këto, edhe jepu udhëzim para Zotit mos me u grindë për fjalë. Kjo s’ka kurrfarë dobie, po veç ju bon dam atyne që ngojnë. 15 Bo krejt qka mundesh që para Zotit me dalë i sprovum, si nji punëtor që s’ka nevojë me pasë marre për kurgjo, që e përdor drejt fjalën e së vërtetës. 16 Po refuzo llafet boshe që e shkelin atë që asht e shenjtë, sepse ato çojnë në edhe ma shumë mosrespekt ndaj Zotit 17 edhe përhapen si gangrenë. Himeneu edhe Fileti janë pi atyne që përhapin asi llafesh. 18 Këta burra janë largu pi e vërteta. Ata thojnë që ringjallja veç ka ndodhë, edhe po jau rrënojnë besimin disave. 19 Megjithatë, themeli i fortë i Zotit qëndron edhe e ka këtë vulë: „Jehovaj i njeh ata që janë të tij“, edhe: „Secili që e thërret emnin e Jehovajt, le të largohet pi padrejtësia.“
20 Tash, në nji shpi të madhe nuk ka veç enë pi ari a argjendi, po edhe pi druni e balte. Disa përdoren për qëllim të nderueshëm, tjerat për qëllim të pandershëm. 21 Prandaj, nëse dikush rrin larg pi këtyne të fundit, ka me qenë vegël për qëllim të nderueshëm, e shenjtë, e dobishme për pronarin e vet edhe e gatshme për çdo vepër të mirë. 22 Pra, ik pi dëshirat e rinisë, po ndiqe drejtësinë, besimin, dashninë edhe paqen, bashkë me ata që e thërrasin Zotninë pi zemra e pastër.
23 Mos u përzi as në diskutime të marra e pa kuptim, sepse e din që ato çojnë në grindje. 24 Po robi i Zotnisë nuk ka nevojë me u grindë, po duhet me qenë i butë me krejt, i aftë me mësu, me e mbajtë veten kur i bohet padrejtësi, 25 edhe me butësi me i udhëzu ata që kundërshtojnë. Ndoshta Zoti ka me ju mundësu pendimin, që të vijnë te njohuria e saktë e së vërtetës. 26 Ndoshta atëherë kthjellen edhe i shpëtojnë kurthit të Djallit, që i mban të zanë gjallë për me e kry vullnetin e tij.