Isaia 2
1 N’vegimin e tij për Judën edhe Jerusalemin, Isaia, djali i Amozit, i ka pa këto sene:
2 N’fund të ditëve, mali ku asht shpija e Jehovait ka me qëndru fort mbi majat e maleve edhe ka me u ngrit ma nalt se kodrat, e krejt kombet kanë me ardh drejt tij.
3 Edhe shumë popuj kanë me u nis e kanë me thanë: “Hajdeni, t’hypim n’malin e Jehovait, te shpija e Zotit të Jakobit. Aj ka me na mësu rrugët e veta, edhe na kemi me ec nëpër shtigjet e tij.” Se pi Sionit kanë me dal ligjet, edhe pi Jerusalemit fjalët e Jehovait.
4 Aj ka me gjyku ndërmjet kombeve edhe ka me i ndreq punët që kanë t’bojnë me shumë popuj. Ata kanë me i farku shpatat e veta e me i bo hekura të plugut, edhe shtizat e veta thika për me krasit hardhitë. Asnji popull s’ka me e ngrit shpatën kundër nji populli tjetër, edhe s’kanë me mësu ma me bo luftë.
5 Hajde, o shpi e Jakobit, t’ecim n’dritën e Jehovait!
6 Ti e ke lanë popullin tand, shpinë e Jakobit, se ata kanë marrë shumë zakone pi Lindja. Ata bojnë magji si filistinët, edhe te ta ka plot fëmijë të të huajve.
7 Vendi i tyne asht plot argjend e ari, edhe kanë thesare pa fund. Vendi i tyne asht plot kuaj, edhe kanë karroca pa fund.
8 Vendi i tyne asht plot zota që s’vlejnë kurgjo. Ata përkulen para sendeve që i kanë bo me duert e veta, para asaj që e kanë punu me gishtat e vet.
9 Kështu njerëzit përkulen edhe e ulin veten, e ti s’mundesh kurrsesi me ua falë.
10 Futu ndër shkëmbinj edhe fshihu n’pluhun, pi pranisë së frikshme të Jehovait edhe pi shkëlqimit të tij madhështor.
11 Sytë krenarë të njeriut kanë me u ulë, edhe mendjemadhësia e njerëzve ka me u thy. Veç Jehovai ka me u madhëru atë ditë.
12 Se kjo asht dita e Jehovait, Zotit të ushtrive. Ajo ka me ardh mbi secilin që asht mendjemadh e krenar, mbi secilin, qoftë i naltë a i ultë,
13 mbi krejt kedrat e Libanit, që jonë të naltë e madhështorë, edhe mbi krejt lisat e Bashanit,
14 mbi krejt malet që ngrihen nalt, edhe mbi krejt kodrat e nalta,
15 mbi çdo kullë të naltë edhe çdo mur të fortifikum,
16 mbi krejt anijet e Tarshishit, edhe mbi krejt barkat e çmueshme.
17 Krenia e njeriut ka me u rrëzu, edhe mendjemadhësia e njerëzve ka me u thy. Veç Jehovai ka me u madhëru atë ditë.
18 Zotat që s’vlejnë kurgjo kanë me u zhduk krejt.
19 Edhe njerëzit kanë me u fut n’shpellat e shkëmbinjve edhe n’vrimat e dheut për me u fsheh, pi pranisë së frikshme të Jehovait edhe pi shkëlqimit të tij madhështor, kur aj ka me u çu me e bo tokën me u dridh pi tmerrit.
20 Atë ditë njerëzit zotat e tyne që s’vlejnë kurgjo, të bamë pi argjendi e ari, që i kanë bo për me u përkul para tyne, kanë me ua hedh minjve hundëgjatë edhe lakuriqëve të natës,
21 edhe kanë me u fut n’shpellat e shkëmbinjve edhe n’çarjet e shkëmbinjve për me u fsheh, pi pranisë së frikshme të Jehovait edhe pi shkëlqimit të tij madhështor, kur aj ka me u çu me e bo tokën me u dridh pi tmerrit.
22 Për t’mirën tuaj, mos i besoni ma njeriut, që s’asht kurgjo tjetër veç nji frymë n’hundën e vet. Pse me i dhanë rëndësi atij?