Nahumi 3
1 Mjerë qyteti ku derdhet gjak!
Krejt asht i mbushun me mashtrime e plaçkitje.
S'i mungon kurrë plaçka.
2 Po nihet krisma e kamxhikut edhe rrapëllima e rrotave,
kali tu galopu edhe qerrja tu u lëkundë.
3 Kalorësi mbi kalë, shpata që shndrit edhe
shtiza që vetëtin, plot të vramë,
grumbuj kufomash – kufoma pa fund. Njerëzit
po pengohen pa nalë nëpër kufoma.
4 Krejt kjo për shkak se ajo prostitutë ka bo shumë kurvni, ajo
që asht tërheqëse edhe e këndshme, mjeshtre e magjive, që me
kurvninë e vet i mashtron popujt edhe me magjitë e veta familjet.
5 „Unë jom kundër teje“, thotë Jehovai, Zoti i
ushtrive. „Kam me t'i ngritë fundet e teshave përmbi
ftyrë. Kam me i lanë popujt me ta
pa lakuriqësinë edhe mbretnitë me ta pa marrën.
6 Kam me të gjujtë me flliqësina edhe
kam me të bo të përbuzun. Kam
me të qitë para syve të krejtve.
7 Kushdo që të sheh ka me ikë pi teje
edhe ka me thanë: ‚Niniva u shkatërru! Kujt
ka me i ardhë gjynah për të?‘ Ku me
i gjetë ata që kanë me të ngushëllu?
8 A je ti ma e mirë se No-Amoni, qyteti që u
konë te kanalet e Nilit? Ajo u konë e rrethume me ujë,
deti u konë pasunia e saj edhe muri i saj mbrojtës.
9 Etiopia u konë burim i fuqisë së saj pa kufi, po ashtu edhe Egjipti.
Puti edhe libianët i kanë ardhë në ndihmë.
10 Po edhe atë e kanë marrë me zor edhe e kanë
çu larg. Ajo ka ra në robni. Edhe fëmijët e
saj i kanë përplasë për toke në çdo qoshe të rrugëve.
Për burrat e saj të nderum kanë hedhë short, edhe
burrat e saj me pozitë i kanë lidhë krejt me pranga.
11 Edhe ti ke me u dehë.
Ke me u mshefë.
Ke me lypë strehim pi armikut.
12 Krejt vendet e tua të fortifikume jonë si druj fiku me fiqtë e parë të pjekun.
Kur t'i shkundin, fiqtë kanë me i ra drejt në gojë atij që don me i hangër.
13 Ushtarët e tu jonë si gra në mesin tand.
Portat e vendit tand kanë me nejt krejt çelë për armiqtë e tu.
Zjarmi ka me i djegë shulat e portave tua.
14 Mblidh ujë për kohën kur kanë
me të rrethu! Forcoji vendet e
tua të fortifikume! Zhdryp në baltë,
shkele argjilën, kape kallëpin e tullave!
15 Edhe aty zjarmi ka me të përpi.
Shpata ka me të pre.
Ka me të hangër si karkalecat e rinj.
Shumohu si karkalecat e rinj!
Po, shumohu si karkalecat!
16 Ti i ke shtu tregtarët ma shumë se yjet në qiell.
Karkaleci i ri e hjek lëkurën edhe fluturon tutje.
17 Rojat e tua jonë si karkalecat, edhe
oficerët e tu si nji tufë karkalecash.
Ata rrinë në muret pi guri kur
asht ftoftë. Po kur del dielli, fluturojnë
tutje, edhe kurkush s'e din ku jonë.
18 O mbret i Asirisë, barinjtë e tu jonë
përgjumë. Të parët e tu po rrinë në
vendet ku banojnë. Populli yt asht shpërnda
nëpër male, edhe s'ka kush me e mbledhë.
19 S'ka ndihmë për fatkeqësinë tande.
Plaga jote s'ka shërim.
Krejt ata që e ngojnë lajmin për ty kanë me i rrehë duart.
Se kush s'ka hjekë vazhdimisht pi mizoria jote?“