Amosi 7
1 Qekjo asht qka m'ka tregu Zotnia Sovran Jehova: Aj ka çu nji tufë karkalecash kur ka nisë me u rritë mbjellja e vonshme. Kjo u konë mbjellja e masme, mas kositjes së sanës për mbretin.
2 Kur tufa i ka hangër krejt bimët e vendit, unë kom thanë: “O Zotni Sovran Jehova, t'lutna fali. Qysh ka me mbetë gjallë Jakobi? Se aj asht kaq i dobët!”
3 Atëherë Jehovai e ka mendu prapë qet punë. “Kjo s'ka me ndodhë”, ka thanë Jehovai.
4 Zotnia Sovran Jehova m'ka tregu edhe qet sen: Zotnia Sovran Jehova ka thirrë nji zjarr për me dënu. Zjarri i ka përbi thellësitë e mëdha t'ujit edhe nji pjesë t'vendit.
5 Atëherë unë kom thanë: “O Zotni Sovran Jehova, t'lutna nale qet sen. Qysh ka me mbetë gjallë Jakobi? Se aj asht kaq i dobët!”
6 Atëherë Jehovai e ka mendu prapë qet punë. “As kjo s'ka me ndodhë”, ka thanë Zotnia Sovran Jehova.
7 Qekjo asht qka m'ka tregu aj: Jehovai u konë tu nejtë mbi nji mur që e kanë ndërtu me pe me plumb për me e bo drejt, edhe në dorë e ka pasë nji pe me plumb.
8 Atëherë Jehovai m'ka thanë: “Qka po sheh, Amos?” Unë i kom thanë: “Nji pe me plumb.” Atëherë Jehovai ka thanë: “Unë po ia vnoj pejin me plumb popullit tem, Izraelit. S'kam me ua falë ma.
9 Vendet e nalta t'Isakut kanë me u shkretu, e vendet e shenjta t'Izraelit kanë me u shkatërru. Unë kam me dalë me shpatë kundër shpisë së Jeroboamit.”
10 Amazja, prifti i Bethelit, i ka çu nji lajm Jeroboamit, mbretit t'Izraelit, ku ka thanë: “Amosi ka bo komplot kundër teje mu në mes t'shpisë së Izraelit. Vendi s'munet me i duru fjalët e tij.
11 Se Amosi po thotë: ‘Jeroboami ka me vdekë me shpatë, edhe Izraelin patjetër kanë me e marrë rob e me e çu larg pi vendit t'vet.’”
12 Atëherë Amazja i ka thanë Amosit: “Shko, ti që sheh vegime, ik në vendin e Judës. Atje munesh me e fitu bukën e gojës edhe me profetizu.
13 Po në Bethel s'bon me profetizu ma, se ky asht vendi i shenjtë i mbretit edhe shpia e mbretnisë.”
14 Atëherë Amosi i ka kthy përgjigje Amazjës: “Unë s'jom konë as profet, as djalë profeti, po jom konë bari bagëtish edhe jom kujdesë për drunjtë e fiqve t'manit.
15 Po Jehovai m'ka marrë pi mbrapa tufës së bagëtive t'imta edhe Jehovai m'ka thanë: ‘Shko, profetizo për popullin tem, Izraelin.’
16 Për qata, tash ngoe fjalën e Jehovës: ‘Ti po thu: “Mos profetizo kundër Izraelit edhe mos prediko kundër shpisë së Isakut.”
17 Për qata Jehovai po thotë: “Grueja jote ka me u bo prostitutë në qytet, e djemtë edhe çikat tua kanë me vdekë me shpatë. Tokën tane kanë me e nda me litar për matje, e ti vetë ke me vdekë në nji vend t'papastër. Edhe Izraelin patjetër kanë me e marrë rob e me e çu larg pi vendit t'vet.”’”