Predikuesi 7
1 Nji emën i mirë asht ma i vlefshëm se vaji i mirë, e dita e dekës asht ma e mirë se dita e lindjes.
2 Ma mirë me shku në shpinë ku mbahet zi, sesa në shpinë ku bohet festë, se deka asht fundi i çdo njeriu, e ata që jonë gjallë duhet me e marrë këtë sen për zemër.
3 Ma mirë me konë i mërzitun sesa me qeshë, se kur ftyra asht e mërzitun, kjo munet me ia bo zemrën njeriut ma të mirë.
4 Zemra e njeriut të mençëm asht në shpinë ku mbahet zi, kurse zemra e atij që s'ka men asht në shpinë ku bohet qef.
5 Ma mirë me e ngu qortimin e nji njeriu të mençëm, sesa kangën e atyne që s'kanë men.
6 Se qysh kërcasin therrat kur digjen nën tenxhere, qashtu asht edhe e qeshmja e njeriut pa men. Edhe kjo asht krejt kot.
7 Ama shtypja munet me e çmendë edhe nji njeri të mençëm, e ryshfeti ia prish zemrën.
8 Fundi i nji pune asht ma i mirë se fillimi i saj. Ma mirë me konë i durushëm sesa mendjemadh.
9 Mos u prek shpejt për çdo sen, se ata që s'kanë men e majnë në zemër atë ndjenjën kur ndihen të fymë.
10 Mos thuj: „Pse përpara u konë ma mirë se sot?“, se me bo ksi pytje s'asht shenjë mençunie.
11 Mençunia bashkë me nji trashëgimi asht nji sen i mirë, edhe u vyn atyne që e shohin dritën e ditës.
12 Se mençunia të mbron, njisoj qysh të mbrojnë edhe paret. Ama e mira e ditunisë asht kjo: mençunia e mban gjallë atë që e ka.
13 Kqyre punën e Zotit të vërtetë, se kush munet me e drejtu atë që aj e ka bo të shtrembët?
14 Kur t'vjen nji ditë e mirë, kqyre të mirën e asaj dite. Ama kur t'vjen nji ditë e keqe, kujtoje që Zoti e ka bo edhe njanën edhe tjetrën, kshtu që njerzit s'munden me e ditë me siguri qka ka me ju ndodhë në të ardhmen.
15 Gjatë jetës teme të kotë kom pa gjithfarë senesh: kom pa njeri të drejtë që asht shkatërru edhe pse ka vepru drejt, e kom pa edhe njeri të keq që ka jetu gjatë, edhe pse ka bo punë të kqija.
16 Mos u mundo me konë tepër i drejtë, as mos u kallxo tepër i mençëm. Pse me e shkatërru veten?
17 Mos u bo tepër i keq, po as mos u bo pa men. Pse me dekë para kohe?
18 Ma mirë asht me e majtë njanin paralajmërim, pa e lëshu as tjetrin, se aj që e ka tutën e Zotit ka me i marrë parasysh të dy.
19 Mençunia e bon njeriun e mençëm ma të fortë se dhjetë burra të fuqishëm në nji qytet.
20 Se në krejt tokën s'ka asnji njeri të drejtë që bon veç mirë e që kurrë s'bon gjynah.
21 Përveç kësaj, mos e merr për zemër çdo fjalë që e thojnë njerzit, se munesh me e ni edhe shërbëtorin tand tu folë keq për ty.
22 Se ti vet e din shumë mirë në zemrën tane që edhe ti shpesh ke folë keq për tjerët.
23 Krejt këto i kom shqyrtu me mençuni edhe kom thanë: „Kom me u bo i mençëm.“ Ama s'kom mujtë me e arritë atë mençuni.
24 Ajo që ka ndodhë asht shumë larg me u kuptu edhe tepër e thellë. Kush munet me e kuptu?
25 E kom vendosë në zemrën teme me e njoftë, me e hulumtu edhe me e kërku mençuninë e arsyen pse ndodhin gjanat. Kom dashtë me e kuptu edhe të keqen që vjen pi mungesa e mendjes, edhe budallakinë që vjen pi marrëzia.
26 Masanej e kom kuptu që ma e idhët se deka asht ajo grue që asht si nji rrjetë që të nxan, që zemrën e ka si rrjeta të mëdhaja për me kapë, e duert si zingjirë burgu. Aj që i pëlqen Zotit të vërtetë ka me i shpëtu asaj, ama gjynahqari ka me ra në kurthin e saj.
27 „Këtë e kom kuptu“, thotë Mbledhësi. „Kom shqyrtu nji sen mas tjetrit për me ardhë te nji përfundim,
28 ama atë që e kom kërku pa nalë, s'e kom gjetë. Mes 1 000 vetave e kom gjetë veç nji burrë, ama mes krejt atyne s'e kom gjetë asnji grue.
29 Veç këtë e kom kuptu: Zoti i vërtetë i ka kriju njerzit të drejtë e të sinqertë, ama ata kanë shku mas shumë planeve të veta.“