Gjykatesit 4
1 Pasi ka vdekë Ehudi, izraelitët prapë kanë bo atë që u konë e keqe në sytë e Jehovait.
2 Atëherë Jehova i ka lanë në dorë të Jabinit, mbretit të kananitëve, që ka sundu në Hazor. Komandanti i ushtrisë së tij u konë Sisera. Aj ka jetu në Harosheth-hag-Gojim.
3 Izraelitët i kanë thirrë Jehovait për ndihmë, se Jabini i ka pasë 900 qerre lufte me tehe t'hekurta. Për 20 vjet aj i ka shtypë randë izraelitët.
4 Në atë kohë, profeteshë Debora, gruaja e Lappidotit, ka gjyku në Izrael.
5 Ajo e ka pasë zakon me nejtë nën palmën e Deborës, mes Ramës edhe Bethelit, në malësinë e Efraimit. Izraelitët kanë shku te ajo me marrë vesh gjykimet e Perëndisë.
6 Ajo ka çu me e thirrë Barakun, të birin e Abinoamit, pi Kedesh-Naftali, edhe i ka thanë: «Jehova, Perëndia i Izraelit, po të urdhnon: ‘Shko edhe marsho kah mali Tabor. Merri me veti 10 000 burra pi Naftali edhe Zabuloni.
7 Unë kam me ta pru te përroi Kishon Siserën, komandantin e ushtrisë së Jabinit, bashkë me qerret e luftës edhe ushtarët e tij, edhe kam me ta dhanë në dorë.’»
8 Atëherë Baraku i ka thanë: «Unë shkoj veç nëse vjen edhe ti me mu. Po nëse ti s'vjen, as unë s'shkoj.»
9 Ajo i ka thanë: «Pa tjetër kam me ardhë me ty. Po kjo luftë s'ka me të sjellë lavdi, se Jehova ka me e lanë Siserën me ra në dorë të nji gruje.» Atëherë Debora u çu edhe ka shku me Barakun në Kedesh.
10 Baraku i ka thirrë burrat e Zabulonit edhe të Naftalit me ardhë në Kedesh, edhe 10 000 burra kanë shku mas tij. Edhe Debora ka shku me to.
11 Ndërkohë, keniti Heber u konë nda pi kenitët tjerë, që jonë konë pasardhës të Hobabit, vjehrrit të Moisiut. Çadra e tij u konë afër lisit të madh në Zaananim, afër Kedeshit.
12 Siserës i kanë tregu që Baraku, i biri i Abinoamit, ka hypë në malin Tabor.
13 Menjëherë Sisera i ka urdhnu me u nisë krejt qerret e tij të luftës, 900 qerre me tehe t'hekurta, edhe krejt ushtarët që i ka pasë me veti, pi Harosheth-hag-Gojim deri te përroi Kishon.
14 Atëherë Debora i ka thanë Barakut: «Çohu! Sot asht dita kur Jehova ka me ta dhanë Siserën në dorë. A s'po shkon Jehova përpara teje?» Atëherë Baraku ka zhdrypë pi malit Tabor bashkë me 10 000 burrat e tij.
15 Jehova e ka futë Siserën, krejt ushtrinë e tij edhe qerret e luftës në pështjellim para shpatës së Barakut. Në fund, Sisera ka zhdrypë pi qerres edhe ka ikë në kambë.
16 Baraku i ka ndjekë qerret e luftës edhe ushtrinë deri në Harosheth-hag-Gojim, edhe krejt ushtria e Siserës u vra me shpatë. S'ka mbetë gjallë asnji.
17 Po Sisera ka ikë në kambë deri te çadra e Jaelës, grusë së kenitit Heber, se mes Jabinit, mbretit të Hazorit, edhe familjes së Heberit ka pasë paqe.
18 Atëherë Jaela ka dalë pi çadrës, i ka dalë Siserës përpara edhe i ka thanë: «Hajde mrena, zotnia jem, hajde këtu mrena. Mos u tut.» Aj ka hy në çadrën e saj edhe ajo e ka mbulu me nji mbulojë.
19 Aj i ka thanë: «Jom i etun. Të lutna, ma jep pak ujë.» Atëherë ajo e ka çelë nji thes lëkure me tamël, i ka dhanë me pi edhe e ka mbulu prapë.
20 Aj i ka thanë: «Rri te hyrja e çadrës, edhe nëse vjen dikush e të vet a ka naj burrë këtu, thuji jo.»
21 Po Jaela, gruaja e Heberit, e ka marrë nji kunj të çadrës edhe nji çekan. Kur Sisera e ka zanë gjumi i randë pi lodhjes, ajo i asht afru tinëz edhe ia ka ngulë kunjin përmes tëmthave deri në tokë. Kështu aj ka vdekë.
22 Kur Baraku, që u konë tu e ndjekë Siserën, ka mbërri aty, Jaela i ka dalë përpara edhe i ka thanë: «Hajde, kam me ta tregu njerin që po e lyp.» Aj ka hy mrena me të edhe e ka pa Siserën të vdekun, të shtrimë, me kunjin e çadrës nëpër tëmtha.
23 Kështu, atë ditë Perëndia e ka nënshtru Jabinin, mbretin e kananitëve, para izraelitëve.
24 Izraelitët kanë vazhdu me vepru gjithnjë e ma ashpër kundër Jabinit, mbretit të kananitëve, derisa e kanë shkatërru.