Josiu 4
1 Sapo krejt populli e ka kalu Jordanin, Jehovai i ka thanë Jozuës:
2 “Thirri dymbëdhjetë burra, ka nji pi secilit fis,
3 edhe ju jep këtë udhëzim: ‘Merrni dymbëdhjetë gurë pi mesi i Jordanit, aty ku jonë nalë priftat. Merrni me veti edhe leni në vendin ku keni me kalu natën.’”
4 Atëherë Jozua i ka thirr te vetja dymbëdhjetë burrat që i ka zgjedhë ndër izraelitët, ka nji pi secilit fis.
5 Jozua ju ka thanë: “Shkoni në mes të Jordanit, përpara arkës së besëlidhjes së Jehovait, Zotit juej, edhe secili pi juve le ta merr nji gur e ta qet në krah, simbas numrit të fiseve të Izraelit.
6 Këta gurë kanë me ju shërby si shenjë. Nëse fëmija juej ma vonë ju pysin: ‘Pse jonë këta gurë?’,
7 atëherë kallxojuni: ‘Se uji i Jordanit u nalë përpara arkës së besëlidhjes së Jehovait. Kur arka e ka kalu Jordanin, uji u nalë e u mblodh. Këta gurë kanë me metë si kujtim i përhershëm për popullin e Izraelit.’”
8 Izraelitët e kanë ba krejt qysh ka urdhnu Jozua. I kanë marrë dymbëdhjetë gurë pi mesi i Jordanit, qysh Jehovai e ka udhëzu Jozuën, simbas numrit të fiseve të Izraelit. I kanë marrë me veti në vendin ku e kanë kalu natën edhe i kanë lanë aty.
9 Jozua i ka vendosë edhe dymbëdhjetë gurë në mes të Jordanit, aty ku kanë nejtë priftat me arkën e besëlidhjes, edhe këta gurë jonë edhe sot aty.
10 Priftat kanë nejtë me arkën e besëlidhjes në mes të Jordanit, derisa u kry krejt qysh Jozua i ka thanë popullit me urdhër të Jehovait, edhe qysh ia ka pasë lanë porosi Moisiu. Ndërkohë, populli ka nxitu me kalu në anën tjetër.
11 Sapo krejt e kanë kalu lumin, arka e besëlidhjes së Jehovait edhe priftat e kanë kalu edhe ata, para syve të popullit.
12 Burrat e fisit të Rubenit, të Gadit edhe të gjysmës së fisit të Manases e kanë kalu lumin të rreshtum për luftë, përpara izraelitëve tjerë, qysh i ka urdhnu Moisiu.
13 Rreth 40 000 ushtarë të armatosun e kanë kalu lumin para Jehovait, drejt rrafshinës së shkretë të Jerihos.
14 Atë ditë, Jehovai e ka ba Jozuën me pasë respekt të madh te krejt izraelitët, edhe ata e kanë respektu fort gjatë tanë jetës së tij, njisoj qysh e kanë respektu Moisiun ma herët.
15 Jehovai i ka thanë Jozuës:
16 “Thuju priftave që po e bajnë arkën me pllakat e Ligjit, me dalë pi Jordanit.”
17 Atëherë Jozua i ka urdhnu priftat: “Dilni pi Jordanit!”
18 Kur priftat që e kanë bartë arkën e besëlidhjes së Jehovait kanë dalë pi Jordanit edhe kanë shkelë në breg, uji u kthy edhe lumi ka dalë prapë përmbi brigje, qysh u konë ma herët.
19 Populli e ka kalu Jordanin ditën e dhjetë të muajit të parë edhe e ka ngritë kampin në Gilgal, në anën lindore të Jerihos.
20 Dymbëdhjetë gurët që i kanë marrë pi Jordanit, Jozua i ka vendosë në Gilgal.
21 Pastaj ju ka thanë izraelitëve: “Kur fëmija juej në të ardhmen i pysin baballarët e vet: ‘Qka domethanë këta gurë?’,
22 atëherë shpjegojuni: ‘Izraelitët e kanë kalu Jordanin në tokë të thatë,
23 se Jehovai, Zoti juej, e ka tha Jordanin para tyne, derisa kanë kalu në anën tjetër. Njisoj ka ba Jehovai, Zoti juej, edhe me Detin e Kuq, kur e ka tha para nesh, derisa e kemi kalu.
24 Këtë e ka ba që krejt popujt e tokës me ditë sa e fortë asht dora e Jehovait, edhe që ju gjithmonë me pasë frikë e respekt të madh për Jehovain, Zotin juej.’”