Ezekiel 5
1 E tash, o bir i njeriut, merre nji shpatë t'mprehtë edhe përdore si brisk t'berberit. Qethe kryt edhe mjekrën, e masanej merre nji peshore me i peshu flokët edhe me i nda n'pjesë.
2 Nji t'tretën e tyne ke me i djegë mrena qytetit, kur t'kryhen ditët e rrethimit. Masanej ke me e marrë t'tretën tjetër edhe ke me e pre me shpatë rreth e rrotull qytetit. E t'tretën e fundit ke me e shpërnda n'erë, e unë kam me iu shku mrapa me shpatë t'nxjerrun.
3 Merri do fije flokësh edhe mbështilli n'palat e rrobës tane.
4 Masanej merri edhe do tjera, qiti n'zjarr edhe djegi derisa t'bahen hi. Pi aty ka me u përhapë nji zjarr n'krejt shpinë e Izraelit.
5 Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: ‘Ky asht Jerusalemi. Unë e kam vu kët qytet n'mes t'popujve, me vende rreth e rrotull tij.
6 Po ky qytet u çu kundër vendimeve t'mija t'drejta edhe rregullave t'mija, edhe ka vepru edhe ma keq se popujt e vendet përreth tij. Se banorët e tij i kanë refuzu vendimet e mia t'drejta edhe s'i kanë ndjekë rregullat e mia.’
7 Prandaj, kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: ‘Pasi ju jeni sillë edhe ma keq se popujt përreth jush, s'i keni ndjekë rregullat e mia e as s'i keni zbatu vendimet e mia t'drejta, po i keni ndjekë vendimet e popujve përreth jush,
8 për këtë arsye, kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “Unë jom kundër teje, o qytet, edhe unë vetë kam me e zbatu gjykimin n'mes teje, para syve t'popujve.
9 Për shkak t'krejt veprave tua t'neveritshme, kam me bo n'mes teje diçka që s'e kam bo kurrë ma herët, e as s'kam me bo ma kurrë diçka t'tillë.
10 Për këtë arsye, n'mes teje baballarët kanë me i hangër djemtë e vet, e djemtë kanë me i hangër baballarët e vet. Unë kam me e zbatu gjykimin kundër teje, e krejt ata që kanë me mbetë pi teje, kam me i shpërnda n'krejt anët.”’
11 ‘Pasha jetën teme!’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘Pasi ti e ke fëlliqë vendin tem t'shenjtë me krejt idhujt e tu t'neveritshëm edhe me krejt veprat e tua t'ndyta, për këtë arsye edhe unë kam me t'hedhë poshtë. Syri jem s'ka me pasë dhimt për ty, e as unë s'kam me tregu dhimt.
12 Nji e treta jote ka me vdekë pi murtajës ose pi urisë n'mes teje. Nji e treta tjetër ka me ra pi shpata përreth teje. E t'tretën e fundit kam me e shpërnda n'krejt anët, edhe kam me iu shku mrapa me shpatë t'nxjerrun.
13 Atëherë ka me marrë fund zemërimi jem, edhe inati jem ndaj tyne ka me u qetësu, e unë kam me u ndi i kënaqun. E kur t'kalojë krejt shpërthimi i inatit tem, ata kanë me e kuptu që unë, Jehova, kam folë, se unë kërkoj që ata me konë t'përkushtum veç ndaj meje.
14 Unë kam me t'bo nji vend t'shkatërrum edhe nji vend që popujt përreth kanë me e përqeshë, e kështu kanë me t'pa edhe krejt ata që kalojnë andej.
15 Ti ke me u bo për tallje e përqeshje, nji shembull paralajmërues edhe nji tmerr për popujt përreth teje, kur unë, me zemërim e inat edhe me dënime t'randa, kam me e zbatu gjykimin kundër teje. Unë, Jehova, kam folë.
16 Unë kam me i gjujtë kundër jush shigjetat vdekjeprurëse t'urisë, me ju shkatërru. Shigjetat që kam me i gjujtë kanë me jua pru shkatërrimin. Kam me jua bo urinë edhe ma t'randë, tu jua ndërpre furnizimin me ushqim.
17 Kam me çu uri edhe kafshë t'egra t'këqija n'mes jush, e ato kanë me jua marrë fëmijët. Murtaja edhe gjakderdhja kanë me bo kërdi n'mes jush, e unë kam me sjellë shpatën kundër jush. Unë, Jehova, kam folë.’”