Letra e parë e Samuelit 18

Aus bibla-popullore.org
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Mas bisedës mes Davidit edhe Saulit, Jonatani edhe Davidi jonë bo shokë shumë t'ngushtë, edhe Jonatani e ka dashtë Davidin si veten.

2 Pi asaj dite, Sauli e ka mbajtë Davidin te vetja edhe s'e ka lonë ma me u kthy n'shpinë e babës t'vet.

3 Jonatani ka bo nji besëlidhje shoqnie me Davidin, se e ka dashtë si veten.

4 Aj e ka hjekë petkun e vet t'jashtëm pa mëngë edhe ia ka dhanë Davidit, bashkë me armët mbrojtëse, shpatën, harkun edhe rripin e vet.

5 Masanej Davidi ka dalë n'luftë, edhe kudo që e ka çu Sauli, ka pasë sukses. Për qata, Sauli e ka caktu Davidin me i udhëheqë luftëtarët, edhe kjo i ka pëlqy krejt popullit edhe shërbëtorëve t'Saulit.

6 Sa herë që Davidi edhe tjerët u kthejshin n'shpi mas fitores kundër filistinëve, gratë pi krejt qytetet e Izraelit dilshin me e pritë mbretin Saul, tu këndu edhe tu vallëzu. Ato u bijshin dajreve edhe lahutave, edhe bërtitshin pi gëzimit për të.

7 Gratë që po festojshin këndojshin:
“Sauli i ka vra
mijëra, e Davidi dhjetëra mijëra.”

8 Kjo kangë s'i ka pëlqy hiq Saulit, edhe aj u ka nervozu shumë. Ka thanë: “Davidit po ia llogarisin dhjetëra mijëra, e mu veç mijëra. Tash veç edhe mbretnimin kanë me ia dhanë!”

9 Pi asaj dite, Sauli ka nisë me e kqyrë Davidin me dyshim.

10 Të nesërmen, nji shpirt i keq që vinte pi Zotit e ka kapë Saulin. Derisa Davidi po i bike harpës qysh e kish zakon, Sauli po sillej çuditshëm n'shpi. N'dorë e kishte nji shtizë.

11 Aj e ka gjujtë shtizën drejt Davidit, tu thanë me veti: “Kam me e ngulë Davidin për muri!” Po Davidi ka mujt me i shpëtu dy herë.

12 Atëherë Sauli ka nisë me u tutë pi Davidit, se Jehovai u konë me Davidin, kurse Saulin e kish lonë.

13 Për qata, Sauli e ka largu Davidin pi vetja edhe e ka caktu komandant mbi nji mijë burra. Kështu Davidi i printe ushtrisë kur dilte n'luftë.

14 Davidi vazhdimisht ka pasë sukses n'krejt qka bënte, se Jehovai u konë me të.

15 Kur Sauli e ka pa sa sukses po kishte Davidi, ka nisë me u tutë pi tij.

16 Po krejt Izraeli edhe Juda e kanë dashtë Davidin, se aj u printe kur shkojshin n'luftë.

17 Ma vonë Sauli i ka thanë Davidit: “Qe ku e ke vajzën teme ma t'madhe, Merabën. Unë kam me ta dhanë për gru. Veç vazhdo me kallxu trimni edhe luftoji luftërat e Jehovait.” Po Sauli me veti po mendonte: “Pse me e vra unë me dorën teme? Le ta vrasin filistinët.”

18 Davidi i ka thanë Saulit: “Po kush jom unë, kush jonë t'afërmit e mi edhe familja e babës tem n'Izrael, që unë me u bo dhondërr i mbretit?”

19 Po kur ka ardhë koha që Meraba, vajza e Saulit, me iu dhanë Davidit për gru, atë veç ia kishin dhanë për gru Adrielit pi Meholës.

20 Ndërkohë, Mikala, vajza e Saulit, u konë e dashunume n'Davidin. Kur ia kanë tregu këtë Saulit, aj u ka gëzu.

21 Ka thanë me veti: “Kam me ia dhanë për gru, që ajo me iu bo kurthë edhe aj me ra n'duart e filistinëve.” Për qata, Sauli i ka thanë Davidit për herë t'dytë: “Sot ki me u bo dhondrri jem.”

22 Përveç kësaj, Sauli i ka urdhnu shërbëtorët e vet: “Folni me Davidin tinza edhe thuajini: ‘Kqyre, mbreti t'ka qef, edhe krejt shërbëtorët e tij t'dojnë. Pse mos me u bo dhondërr i mbretit?’”

23 Kur shërbëtorët e Saulit ia kanë thanë këto fjalë Davidit, aj u ka thanë: “A po menoni që asht sen i lehtë me u bo dhondërr i mbretit? Unë jom veç nji njeri i vorfën edhe s'jom naj njeri me pozitë t'naltë.”

24 Masanej shërbëtorët ia kanë tregu Saulit qka u kish thanë Davidi.

25 Atëherë Sauli u ka thanë: “Thuajini Davidit: ‘Mbreti s'po lyp pare për me ta dhanë vajzën për gru. Aj po don veç 100 lafsha t'filistinëve, për me u hakmarrë kundër armiqve t'vet.’” Se plani i Saulit u konë që Davidi me u vra pi filistinëve.

26 Shërbëtorët ia kanë çu Davidit këto fjalë, edhe Davidit i ka pëlqy me u bo dhondërr i mbretit. Para se me kalu koha e caktume,

27 Davidi u nis me burrat e vet edhe i ka vra 200 filistinë. Masanej ia ka çu mbretit krejt lafshat e tyne, asnji pa mungesë, që me mujt me u bo dhondërr i tij. Kështu Sauli ia ka dhanë vajzën e vet Mikalën për gru.

28 Sauli e ka kuptu që Jehovai u konë me Davidin edhe që vajza e tij Mikala e donte Davidin.

29 Atëherë Sauli ka nisë me u tutë edhe ma shumë pi Davidit, edhe ka metë armik i tij për krejt jetën.

30 Princat e filistinëve dilshin vazhdimisht n'luftë, po sa herë që u bojke luftë, Davidi kishte ma shumë sukses se krejt njerëzit e Saulit. Për qata, emni i Davidit u ka bo shumë i respektum.