Letra e dytë e Mbreterve 16
1 Në vitin e 17-të të Pekahut, djalit të Remaljës, Ahazi, djali i mbretit Jotham t’Judës, u bo mbret.
2 Ahazi i ka pasë 20 vjet kur u bo mbret edhe ka sundu 16 vjet në Jerusalem. Ndryshe pi i pari i tij, Davidi, aj s’ka bo qka u konë e drejtë në sytë e Jehovait, Zotit t’vet.
3 Përkundrazi, aj e ka ndjekë rrugën e mbretave t’Izraelit. Madje e ka djegë edhe djalin e vet si kurban. Kështu i ka marrë zakonet e neveritshme të popujve që Jehova i kishte dëbu pi vendi para izraelitëve.
4 Aj ka vazhdu me bo kurbane në vendet e nalta të adhurimit, nëpër kodra edhe nën secilën pemë t’bujshme, edhe me çu tym pi kurbaneve aty.
5 Në atë kohë, Rezini, mbreti i Sirisë, bashkë me Pekahun, djalin e Remaljës, mbretin e Izraelit, kanë shku me luftu kundër Jerusalemit. E kanë rrethu Ahazin në qytet, po s’kanë mujt me e pushtu qytetin.
6 Në atë kohë, Rezini, mbreti i Sirisë, e ka marrë prapë Elathin për Edomin edhe i ka dëbu judenjtë pi aty. Edomitët jonë vendosë në Elath edhe jetojnë aty deri sot.
7 Ahazi i ka çu lajmëtarë Tiglath-Pileserit, mbretit të Asirisë, edhe i ka thanë: “Unë jom shërbëtori yt edhe djali yt. Hajde e shpëtom pi duarve të mbretit të Sirisë edhe të mbretit të Izraelit, se ata po më sulmojnë.”
8 Pastaj Ahazi e ka marrë argjendin edhe arin pi shpija e Jehovait edhe pi dhomat e thesareve të pallatit të mbretit, edhe ia ka çu mbretit të Asirisë si dhuratë për me e korruptu.
9 Mbreti i Asirisë ia ka pranu kërkesën. Ka shku me ushtri kundër Damaskut, e ka pushtu edhe banorët i ka marrë me zor e i ka çu në Kir. Rezinin e ka vra.
10 Mbreti Ahaz ka shku në Damask me u taku me Tiglath-Pileserin, mbretin e Asirisë. Kur e ka pa altarin në Damask, ia ka çu priftit Urija planin e atij altari, bashkë me nji përshkrim t’saktë të tij.
11 Prifti Urija e ka ndërtu altarin qysh u konë në plan, tu iu përmbajtë krejt udhëzimeve që mbreti Ahaz ia kishte çu pi Damasku. Urija e kishte kry altarin hala pa u kthy mbreti Ahaz pi aty.
12 Kur mbreti u kthy pi Damasku edhe e ka pa altarin, ka shku te aj edhe ka bo kurbane mbi të.
13 Mbi atë altar i ka djegë kurbanet që digjen krejt edhe kurbanet e drithit, e ka derdhë kurbanin e pijes edhe e ka spërkatë altarin me gjakun e kurbaneve të bashkimit.
14 Altarin e bakrit, që u konë para Jehovait, mes altarit të vet edhe shpisë së Jehovait, e ka zhvendosë në anën veriore të altarit të vet.
15 Mbreti Ahaz i ka dhanë këtë urdhën priftit Urija: “Mbi altarin e madh digje kurbanin e mëngjesit që digjet krejt, kurbanin e drithit të mbramjes, kurbanin e mbretit që digjet krejt edhe kurbanin e tij të drithit, si edhe krejt kurbanet e popullit që digjen krejt, kurbanet e drithit edhe kurbanet e pijes. Spërkate mbi të edhe gjakun e krejt kurbaneve që digjen krejt edhe të kurbaneve tjera. E për altarin e bakrit, unë kom me vendosë ma vonë qka me bo me të.”
16 Prifti Urija e ka bo krejt qka i ka urdhnu mbreti Ahaz.
17 Përveç kësaj, mbreti Ahaz i ka pre pllakat anash qerreve edhe i ka hjekë legenat pi to. E ka zhdrypë legenin e madh, që quhej Deti, pi demat e bakrit edhe e ka vnu mbi nji dysheme t’shtrume me gurë.
18 E ka zhvendosë edhe vendin e mbulum për Sabat, që e kishin ndërtu në shpi, edhe hyrjen e jashtme të mbretit, tu i largu pi shpija e Jehovait. Këtë e ka bo për shkak të mbretit të Asirisë.
19 Krejt tjerat për historinë e Ahazit edhe qka ka bo aj, jonë t’shkrume në librin e kronikave t’mbretave t’Judës.
20 Pastaj Ahazi ka vdekë edhe e kanë varrosë te t’parët e tij në qytetin e Davidit. Mas tij mbret u bo djali i tij, Hiskia.