Isaia 19
1 Mesazhi kundër Egjiptit:
Shikoni!
Jehovai po kalëron mbi nji re të shpejtë edhe po vjen në Egjipt.
Zotat e Egjiptit që s'vlejnë kurgjo kanë me u dridhë para tij edhe zemra e Egjiptit ka me u shkri përbrenda.
2 “Unë kam me i nxitë egjiptianët kundër
njani-tjetrit, edhe ata kanë me luftu mes
veti, secili kundër vëllaut edhe kojshisë së
vet, qyteti kundër qytetit, mbretnia kundër mbretnisë.
3 Edhe shpirti i Egjiptit ka me u hutu përbrenda edhe
unë kam me ua ngatërru planet. Të dëshpërum, ata kanë
me iu drejtu zotave që s'vlejnë kurgjo, atyne që bojnë
magji me fjalë, atyne që flasin me shpirta edhe fallxhorëve.
4 Unë kam me i dorëzu egjiptianët në dorë të nji zotnie të ashpër edhe nji mbret
i rreptë ka me sundu mbi ta”, thotë Zoti i vërtetë, Jehovai, Zoti i ushtrive.
5 Uji i detit ka me u tha, edhe lumi ka
me u tha e ka me mbetë pa ujë.
6 Lumenjtë kanë me marrë erë të keqe.
Kanalet e Nilit në Egjipt kanë me pasë shumë pak ujë edhe kanë me u tha.
Kallamat edhe bimët e kënetës kanë me u kalbë.
7 Bimët buzë Nilit, te grykëderdhja e Nilit, edhe krejt arat
e mbjelluna buzë Nilit kanë me u tha, era ka
me i marrë edhe s'ka me mbetë kurgjo pi tyne.
8 Peshkatarët kanë me mbajtë zi, ata që i hedhin grepat
në Nil kanë me vajtu, edhe ata që i shtrijnë rrjetat
mbi ujë kanë me u bo gjithnji e ma pak.
9 Ata që punojnë me li të krehun edhe ata që
endin pëlhura të bardha në vegjë kanë me u turpnu.
10 Ata që endin pëlhura kanë me u dëshpëru edhe
krejt punëtorët me pagesë kanë me u mërzitë.
11 Prijësit e Zoanit po veprojnë pa mend. Këshilltarët
ma të mençëm të faraonit po japin
këshilla pa lidhje. Qysh mundeni me i thanë
faraonit: “Unë jom pasardhës i njerëzve të
mençëm, pasardhës i mbretërve të kohëve të lashta”?
12 Ku i ki tash njerëzit e tu të mençëm?
Le të tregojnë ata qka ka vendosë Jehovai, Zoti i ushtrive, për Egjiptin.
13 Prijësit e Zoanit kanë vepru pa mend.
Prijësit e Nofit jonë mashtru.
Prijësit e fiseve të Egjiptit e kanë çu vendin në rrugë të gabume.
14 Jehovai ka derdhë mbi Egjiptin nji frymë hutimi. Edhe ata e
kanë çu Egjiptin në rrugë të gabume në krejt qka bon, si
nji njeri i dehun që lëkundet nëpër të vjellat e veta.
15 Edhe në Egjipt s'ka me pasë punë për me bo, as për kryet,
as për bishtin, as për lastarin e ri, as për kallamin e kënetës.
16 Atë ditë Egjipti ka me u bo si gratë, ka me u dridhë edhe ka me u tmerru para dorës së Jehovait, Zotit të ushtrive, që asht çu nalt për me e kërcënu.
17 Edhe vendi i Judës ka me u bo shkak frike për Egjiptin. Veç kur ta përmendin Judën, egjiptianët kanë me u tutë për shkak të vendimit që Jehovai, Zoti i ushtrive, e ka marrë kundër tyne.
18 Atë ditë në Egjipt kanë me konë pesë qytete që kanë me folë gjuhën e Kanaanit edhe kanë me iu betu Jehovait, Zotit të ushtrive, që kanë me i qëndru besnikë. Njanit pi këtyne qyteteve kanë me i thanë “Qyteti i Rrëzimit”.
19 Atë ditë, në mes të Egjiptit ka me pasë nji altar për Jehovain edhe në kufi të tij ka me pasë nji shtyllë për Jehovain.
20 Kjo ka me konë nji shenjë edhe nji dëshmi në Egjipt për Jehovain, Zotin e ushtrive, se ata kanë me i thirrë Jehovait për ndihmë për shkak të atyne që po i shtypin. Edhe aj ka me ua çu nji shpëtimtar, nji shpëtimtar të madh, që ka me i çliru.
21 Edhe Jehovai ka me ua bo të njohun veten egjiptianëve, edhe atë ditë egjiptianët kanë me e njoftë Jehovain. Ata kanë me i sjellë kurbane edhe dhurata, kanë me i bo nji zotim Jehovait edhe kanë me e mbajtë.
22 Jehovai ka me e goditë Egjiptin, ka me e goditë edhe ka me e shëru. Ata kanë me u kthy te Jehovai, edhe aj ka me ua dëgju lutjet që ia bojnë me përgjërim edhe ka me i shëru.
23 Atë ditë ka me pasë nji rrugë të madhe pi Egjipti deri në Asiri. Atëherë njerëzit e Asirisë kanë me ardh në Egjipt edhe njerëzit e Egjiptit kanë me shku në Asiri, edhe Egjipti bashkë me Asirinë kanë me i shërby Zotit.
24 Atë ditë Izraeli ka me iu bashku Egjiptit edhe Asirisë si i treti, edhe ka me konë nji bekim në mes të tokës,
25 se Jehovai, Zoti i ushtrive, ka me i beku me këto fjalë: “Qoftë i bekuem populli jem, Egjipti, edhe Asiria, vepra e duerve të mia, edhe Izraeli, trashëgimia jeme.”