Jeremia 17

Aus bibla-popullore.org
Version vom 24. Oktober 2026, 21:07 Uhr von BiblaPopulloreBot1337 (Diskussion | Beiträge)
(Unterschied) ← Nächstältere Version | Aktuelle Version (Unterschied) | Nächstjüngere Version → (Unterschied)
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 “Mëkati i Judës asht shkru me nji kalem t'hekurt.
Me nji majë diamanti asht gdhendë n'pllakën e
zemrës së tyne edhe n'brinat e altarëve të tyne,

2 derisa djemtë e tyne mendojnë për altarët e tyne edhe për shtyllat
e tyne t'shejta, afër nji peme me shumë gjethe, n'kodrat e nalta,

3 n'malet, n'mes t'natyrës. Pasuninë tuaj, krejt thesaret e juaja, kam
me i lanë me u plaçkitë, po edhe vendet
e juaja t'nalta, për shkak t'mëkatit gjithkah n'vendet e juaja.

4 Për fajin tuaj, keni me e hup trashëgiminë që jua
kam dhanë. Edhe kam me ju ba shërbëtorë t'armiqve tuaj n'nji
vend që s'e njihni, se ju e keni ndezë zemërimin
tem si nji zjarr, që ka me u djegë përgjithmonë.”

5 Kështu thotë Jehovai: “I mallkum asht
njeriu që u beson njerëzve, që mbështetet
n'forcën e njeriut edhe që zemrën
e vet e largon pi Jehovait.

6 Aj ka me u ba si nji pemë e
vetmueme n'shkretinë. Kur t'vjen diçka e mirë, aj s'ka me
e pa, po ka me jetu n'vende t'thata n'shkretinë,
n'nji tokë me krypë, ku s'mundet me jetu kërkush.

7 I bekuem asht njeriu që i beson Jehovait, që
krejt besimin e vet e ka te Jehovai.

8 Aj ka me u ba si nji pemë e
mbjellun afër ujit, që i shtrin rrâjt e veta kah
përroi. Kur t'vjen vapa, aj s'ka me e ndi,
po gjethet e veta kanë me mbetë gjithmonë t'blerta
e t'freskëta. Edhe n'vitin kur ka thatësi, aj s'ka me
pasë merak edhe s'ka me nalë me dhanë fryte.

9 Zemra asht ma mashtruese se gjithçka tjetër edhe asht e aftë me ba gjithçka.
Kush munet me e njoft?

10 Unë, Jehovai, e hulumtoj zemrën, i kontrolloj
mendimet ma t'fshehta, me ia dhanë secilit
atë që e meriton për sjelljen
e vet, sipas asaj që ka ba.

11 Si nji thëllëzë që i mbledh vezët që s'i ka ba
vetë, ashtu asht edhe aj që fiton pasuni me hile.
N'mes t'jetës së vet, ajo pasuni ka me e lanë, e
n'fund aj ka me mbetë si nji njeri pa mend.”

12 Nji fron i lavdishëm, i naltësuem qysh
pi fillimit, asht vendi jonë i shejtë.

13 O Jehova, ti je shpresa e Izraelit, krejt ata që
t'lanë kanë me mbetë me marre. Emnat e atyne
që largohen pi teje kanë me u shkru n'pluhun, se
ata e kanë lanë Jehovain, burimin e ujit t'gjallë.

14 Shërom, Jehova, edhe kam me u shëru.
Shpëtom, edhe kam me u shpëtu, se
ti je aj që unë e lavdëroj.

15 Ka do njerëz që po m'thojnë:
“Ku jonë fjalët e Jehovait?
Le t'ndodhin pra!”

16 Po unë s'jom largu kur u dasht me t'ndjekë ty
si bari, e as s'e kam dëshiru ditën e
fatkeqësisë. Ti i din fort mirë krejt fjalët që m'kanë
dalë pi goja. Krejt kanë ndodhë para syve tu!

17 Mos u ba shkak tmerri për mu.
Ti je streha jeme ditën e fatkeqësisë.

18 Le t'mbeten me marre ata që
m'ndjekin, po mos m'le mu me
mbetë me marre. Le t'i kapë tmerri
ata, po mos lejo me m'kapë
tmerri mu. Bije ditën e fatkeqësisë
mbi ta, copëtoji edhe shkatërroji krejtësisht.

19 Kështu m'ka thanë Jehovai: “Shko e qëndro te porta e djemve t'popullit, kah hyjnë e dalin mbretat e Judës, edhe te krejt portat e Jerusalemit.

20 Thuaju atyne: ‘Dëgjoni fjalët e Jehovait, ju mbretat e Judës, krejt njerëzit e Judës edhe krejt banorët e Jerusalemit që kaloni nëpër këto porta.

21 Kështu thotë Jehovai: “Kini kujdes mos me bartë kurrfarë barre ditën e sabatit, e as mos me i shti ato n'Jerusalem nëpër porta.

22 S'guxoni me nxjerrë kurrfarë barre pi shpitë tuaja ditën e sabatit, e as me punu kurrgja. Mbajeni sabatin t'shejtë, qysh ju kam urdhnu t'parëve tuaj.

23 Po ata s'kanë ndëgju, as s'ma kanë vu veshin. Kanë mbetë kryefortë edhe s'kanë dashtë as me ndëgju, as me e pranu qortimin.”’

24 ‘“Po nëse m'ndëgjoni me kujdes”, thotë Jehovai, “edhe ditën e sabatit nuk bartni kurrfarë barre nëpër portat e këtij qyteti, edhe e mbani sabatin t'shejtë tu mos punu kurrgja atë ditë,

25 atëherë nëpër portat e këtij qyteti kanë me hy mbreta edhe princa që ulen n'fronin e Davidit. Ata kanë me hy me karroca edhe mbi kuaj, bashkë me princat e tyne, me burrat e Judës edhe me banorët e Jerusalemit. Edhe ky qytet ka me pasë banorë përgjithmonë.

26 Pi qytetet e Judës, pi rrethina e Jerusalemit, pi vendi i Benjaminit, pi ultësina, pi malësia edhe pi Negebi kanë me ardhë njerëz e kanë me pru n'shpinë e Jehovait kurbane që digjen krejt, kurbane tjera t'kafshëve, kurbane pi drithi, temjan edhe kurbane falënderimi.

27 Po nëse nuk m'ndëgjoni edhe nuk e mbani sabatin t'shejtë, po bartni barra edhe i shtini ato n'Jerusalem nëpër portat e tij ditën e sabatit, atëherë kam me ua kallë flakën këtyne portave. Edhe zjarri pa tjetër ka me i përpi kullat mbrojtëse t'Jerusalemit e s'ka me u fikë.”’”