Ezekiel 18
1 Edhe nji herë m’ka ardh nji fjalë pi Jehovait. Ajo thojke:
2 «Qka don me thanë kjo fjalë që po e thoni ju n’tokën e Izraelit: ‘Baballarët po hanë rrush t’thartë, e djemve po u mpihen dhamt’?
3 ‘Pasha jetën tem!’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘Ju s’keni me e thanë ma këtë fjalë n’Izrael.
4 Krejt shpirtnat janë t’mijtë. Si shpirti i babës, si shpirti i djalit, të dy janë t’mijtë. Shpirti që ban mëkat, aj ka me vdekë.
5 Ta zamë që nji njeri asht i drejtë edhe sillet drejt e mirë.
6 Aj s’han kurbane për idhuj n’male, s’i çon sytë kah idhujt e neveritshëm t’popullit t’Izraelit, s’e flliq grunë e tjetrit, s’ka marrëdhënie me nji grue kur i ka t’përmujshet,
7 s’e shtyp kërkon, po ia kthen pengun atij që i ka borxh, s’e grabit kërkon, po ia jep ushqimin e vet atij që ka uri edhe e mbulon me tesha atë që asht lakuriq,
8 s’lyp kamatë e as s’ban fajde, po rrin larg punëve t’këqija edhe gjykon drejt mes dy palëve,
9 gjithmonë i mban rregullat e mia edhe vepron sipas vendimeve t’mia t’drejta, që me mbetë besnik. Ky njeri asht i drejtë edhe ka me mbetë gjallë pa tjetër’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt.
10 ‘Po ta zamë që ky njeri e ka nji djalë që asht ba grabitës a vrasës, ose që ban najnjo pi këtyne punëve tjera
11 (edhe pse baba i vet s’ka ba kurrgja t’tillë). Djali han kurbane për idhuj n’male, e flliq grunë e tjetrit,
12 i shtyp ata që janë n’hall edhe t’varfnit, ua merr sendet tjerëve me zor, s’e kthen pengun, i çon sytë kah idhujt e neveritshëm edhe ban punë t’neveritshme,
13 ban fajde edhe lyp kamatë. Ky djalë s’ka me mbetë gjallë. Pasi i ka ba krejt këto punë t’neveritshme, aj ka me u mbytë pa tjetër. Vetë e ka fajin për vdekjen e vet.
14 Po ta zamë që nji babë e ka nji djalë, e ky djalë i sheh krejt mëkatet që i ka ba baba i vet, po edhe pse i sheh, vetë s’ban asnji pi atyne punëve.
15 Aj s’han kurbane për idhuj n’male, s’i çon sytë kah idhujt e neveritshëm t’shpisë s’Izraelit, s’e flliq grunë e tjetrit,
16 s’e shtyp kërkon, s’ia merr kërkujt pengun me zor, s’grabit kurrgja, po ia jep ushqimin e vet atij që ka uri edhe e mbulon me tesha atë që asht lakuriq,
17 s’e shtyp t’varfnin, s’ban fajde e as s’lyp kamatë, vepron sipas vendimeve t’mia t’drejta edhe i mban rregullat e mia. Ky njeri s’ka me vdekë për fajin e babës t’vet. Aj ka me mbetë gjallë pa tjetër.
18 Po baba i vet ka me vdekë për fajin e vet, se ka ba mashtrime, e ka grabitë vllaun e vet edhe ka ba punë t’këqija n’mes t’popullit t’vet.
19 Po ju keni me pytë: “Pse djali s’e mban fajin e babës t’vet?” Se djali ka vepru drejt e me drejtësi, i ka mbajtë krejt rregullat e mia edhe i ka zbatu, aj ka me mbetë gjallë pa tjetër.
20 Shpirti që ban mëkat, aj ka me vdekë. Djali s’ka me e mbajtë fajin e babës, e as baba s’ka me e mbajtë fajin e djalit. Njeriut t’drejtë ka me iu llogaritë veç drejtësia e vet, e njeriut t’keq ka me iu llogaritë veç e keqja e vet.
21 Nëse nji njeri i keq largohet pi krejt mëkateve t’veta, i mban rregullat e mia edhe vepron drejt e me drejtësi, aj ka me mbetë gjallë pa tjetër. S’ka me vdekë.
22 Asnji pi shkeljeve që i ka ba s’ka me iu llogaritë si faj. Aj ka me mbetë gjallë, se vepron drejt.’
23 ‘A m’vjen mu mirë qoftë edhe pak kur vdes nji njeri i keq?’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘A s’e du ma shumë që aj me u largu pi rrugëve t’veta t’këqija edhe me mbetë gjallë?’
24 ‘Po nëse nji njeri i drejtë e len drejtësinë e vet, fillon me ba keq edhe i ban krejt ato punë t’neveritshme që i bajnë njerëzit e këqij, a ka me mbetë gjallë aj? Asnji pi punëve t’drejta që i ka ba s’ka me iu kujtu. Aj ka me vdekë për pabesinë e vet edhe për mëkatin që e ka ba.
25 Po ju keni me thanë: “Rruga e Jehovait s’asht e drejtë.” Ndigjoni pak, o shpia e Izraelit! A asht rruga jem ajo që s’asht e drejtë? A s’janë rrugët tuja ato që s’janë t’drejta?
26 Nëse nji njeri i drejtë e len drejtësinë e vet, ban keq edhe vdes për këtë, aj vdes për t’keqen që e ka ba vetë.
27 E nëse nji njeri i keq largohet pi t’keqes që e ka ba edhe pi atëherë fillon me vepru drejt e me drejtësi, aj ka me e shpëtu jetën e vet.
28 Nëse aj e kupton që ka gabu edhe largohet pi krejt shkeljeve t’veta, ka me mbetë gjallë pa tjetër. S’ka me vdekë.
29 Po populli i Izraelit ka me thanë: “Rruga e Jehovait s’asht e drejtë.” A janë përnjëmend rrugët e mia ato që s’janë t’drejta, o shpia e Izraelit? A s’janë rrugët tuja ato që s’janë t’drejta?’
30 ‘Prandaj, kam me e gjyku secilin pi juve sipas rrugëve t’veta, o shpia e Izraelit’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘Kthehuni, po, largohuni krejt pi shkeljeve tuja, që ato mos me u ba shkak me u rrëzu e me marrë faj mbi vete.
31 Hiqni pi vetes krejt shkeljet që i keni ba edhe fitoni nji zemër t’re e nji shpirt t’ri. Se pse me vdekë ju, o shpia e Izraelit?’
32 ‘Mu s’m’vjen aspak mirë kur vdes dikush, kushdo qoftë’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘Prandaj kthehuni edhe mbetni gjallë.’»