Ezekiel 20
1 N’vitin e shtatë, ditën e dhjetë t’mujit t’pestë, disa pleq t’Izraelit kanë ardh edhe janë ulë para meje për me e pytë Jehovain.
2 Atëherë m’ka ardh nji fjalë pi Jehovait. Ajo thojke:
3 «O bir i njeriut, fol me pleqtë e Izraelit edhe thuju: ‘Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “A keni ardh ju me m’pytë mu? Pasha jetën tem, s’kam me ju lanë me m’pytë”, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt.’
4 A je gati me i gjyku? A je gati me i gjyku, o bir i njeriut? Bani me e kuptu qfarë punësh t’neveritshme kanë ba t’parët e tyne.
5 Thuju: ‘Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “Atë ditë kur e kam zgjedhë Izraelin, jom betu edhe para pasardhësve t’shpisë s’Jakobit edhe ua kam tregu kush jom, kur ata u konë n’Egjipt. Po, jom betu para tyne edhe u kam thanë: ‘Unë jom Jehova, Zoti juej.’
6 Atë ditë jom betu që kam me i nxjerrë pi Egjiptit edhe me i çu n’nji tokë që e kam gjetë për ta, n’nji tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë. Ajo u konë toka ma e mirë pi krejt tokave.
7 Atëherë u kam thanë: ‘Secili pi juve duhet me i hjekë ato sene t’neveritshme që i ka para syve. Mos e flliqni veten me idhujt e neveritshëm t’Egjiptit. Unë jom Jehova, Zoti juej.’
8 Po ata janë çu kundër meje edhe s’kanë dashtë me m’ndigju. S’i kanë hjekë senet e neveritshme që i kanë pasë para syve edhe s’janë largu pi idhujve t’neveritshëm t’Egjiptit. Prandaj u kam thanë që kam me e derdhë zemërimin tem mbi ta n’Egjipt edhe kam me e shfry krejt idhnimin tem kundër tyne.
9 Po për hatër t’emnit tem kam vepru ashtu që emni jem mos me u flliqë para popujve ku ata jetojshin. Se para syve t’atyne popujve ua kam tregu kush jom, kur i kam nxjerrë pi Egjiptit.
10 Kështu i kam nxjerrë pi Egjiptit edhe i kam çu n’shkretinë.
11 Atëherë ua kam dhanë rregullat e mia edhe ua kam tregu vendimet e mia t’drejta, që njeriu duhet me i mbajtë për me mbetë gjallë.
12 Ua kam dhanë edhe Sabatet e mia si nji shenjë mes meje edhe tyne, që ata me e ditë se jom unë Jehova, aj që i ban t’shenjtë.
13 Po shpia e Izraelit asht çu kundër meje n’shkretinë. Ata s’i kanë mbajtë rregullat e mia edhe i kanë refuzu vendimet e mia t’drejta, që njeriu, nëse i mban, ka me mbetë gjallë. Sabatet e mia i kanë flliqë shumë keq. Prandaj u kam thanë që kam me e derdhë zemërimin tem mbi ta n’shkretinë, për me i zhdukë krejt.
14 Po për hatër t’emnit tem kam vepru ashtu që aj mos me u flliqë para popujve, që i kanë pa me sytë e vet kur i kam nxjerrë ata.
15 Jom betu edhe para tyne n’shkretinë që s’kam me i çu n’tokën që ua kam dhanë, n’atë tokë ku rrjedh qumësht e mjaltë, që asht ma e mira pi krejt tokave,
16 se ata i kanë refuzu vendimet e mia t’drejta, s’i kanë mbajtë rregullat e mia edhe i kanë flliqë Sabatet e mia, se zemra e tyne shkonte mas idhujve t’neveritshëm.
17 Po mu m’kanë ardh gjynah edhe s’i kam shkatërru. S’i kam zhdukë krejt n’shkretinë.
18 Djemve t’tyne u kam thanë n’shkretinë: ‘Mos i ndiqni rregullat e t’parëve tuaj, mos veproni sipas vendimeve t’tyne edhe mos e flliqni veten me idhujt e tyne t’neveritshëm.
19 Unë jom Jehova, Zoti juej. Mbani rregullat e mia, veproni sipas vendimeve t’mia t’drejta edhe zbatojini ato.
20 Edhe Sabatet e mia mbajini t’shenjta. Ato kanë me shërby si nji shenjë mes meje edhe juve, që ju me e ditë se unë jom Jehova, Zoti juej.’
21 Po edhe djemtë kanë nisë me u çu kundër meje. Ata s’i kanë mbajtë rregullat e mia, s’u kanë kushtu kujdes vendimeve t’mia t’drejta edhe s’i kanë zbatu ato, që njeriu, nëse i mban, ka me mbetë gjallë. Sabatet e mia i kanë flliqë. Prandaj u kam thanë që kam me e derdhë zemërimin tem mbi ta n’shkretinë edhe kam me e shfry krejt idhnimin tem kundër tyne.
22 Po jom përmbajtë edhe kam vepru për hatër t’emnit tem, që aj mos me u flliqë para popujve, që i kanë pa me sytë e vet kur i kam nxjerrë ata.
23 Jom betu edhe para tyne n’shkretinë që kam me i shpërnda mes popujve edhe me i shpërnda nëpër vende t’ndryshme,
24 se ata s’i kanë zbatu vendimet e mia t’drejta, i kanë refuzu rregullat e mia, i kanë flliqë Sabatet e mia edhe kanë shku mas idhujve t’neveritshëm t’të parëve t’tyne.
25 I kam lanë edhe me i ndjekë disa rregulla që s’jonë konë t’mira edhe disa vendime që s’mujshin me i mbajtë gjallë.
26 I kam lanë me e flliqë veten me kurbanet e veta, se ata e kanë djegë si kurban secilin fëmijë t’parëlindun. Kështu i kam lanë me ra n’mjerim, që ata me e kuptu se unë jom Jehova.”’
27 Prandaj, o bir i njeriut, fol me shpinë e Izraelit edhe thuju: ‘Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “T’parët tuaj m’kanë fy edhe n’këtë mënyrë, se s’m’kanë nejtë besnikë.
28 Unë i kam çu n’tokën që ua kam premtu me betim. Kur i kanë pa krejt kodrat e nalta edhe pemët me gjethe t’denduna, kanë nisë me i dhanë kurbanet e veta edhe dhuratat e veta që m’kanë fy. Aty e kanë çu erën e mirë t’kurbaneve t’veta edhe i kanë derdhë kurbanet e veta t’pijeve.
29 Atëherë i kam pytë: ‘Qka asht ky vend i naltë ku po shkoni ju?’”’ (Edhe sot e kësaj dite, aj vend hala quhet «Vendi i naltë».)
30 Tash thuji shpisë s’Izraelit: ‘Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “A po e flliqni edhe ju veten njisoj si t’parët tuaj, që kanë shku mas idhujve t’neveritshëm edhe kanë ba kurvni me ta?
31 A po vazhdoni edhe sot me e flliqë veten, tu u dhanë kurbane krejt idhujve tuaj t’neveritshëm edhe tu i djegë djemtë tuaj si kurbane? A kam
me ju lanë unë me m’pytë, o shpia e Izraelit?”’ ‘Pasha jetën tem!’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘S’kam me ju lanë me m’pytë.
32 Edhe ajo që e keni n’mend, kur thoni: “Hajde t’bahemi si popujt tjerë, si familjet e vendeve tjera, që adhurojnë drunin e gurin”, ajo s’ka me ndodhë kurrë.’”
33 “‘Pasha jetën tem!’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt. ‘Unë kam me sundu mbi ju si mbret, me dorë t’fortë, me krah t’shtrimë edhe me zemërim t’madh.
34 Kam me ju nxjerrë pi popujve edhe kam me ju mbledhë pi vendeve ku jeni shpërnda, me dorë t’fortë, me krah t’shtrimë edhe me zemërim t’madh.
35 Kam me ju çu n’shkretinën e popujve edhe aty kam me ju gjyku ballë për ballë.’
36 ‘Qysh i kam gjyku t’parët tuaj n’shkretinën e Egjiptit, qashtu kam me ju gjyku edhe juve’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt.
37 ‘Kam me ju ba me kalu nën shkopin e bariut edhe kam me ju vu detyrimet e besëlidhjes.
38 Po ata që çohen kundër meje edhe ata që bajnë mëkat kundër meje, kam me i largu pi mesit tuaj. Po, kam me i nxjerrë pi vendit ku kanë jetu si t’huj, po n’tokën e Izraelit s’kanë me hi. Atëherë ju keni me e kuptu se unë jom Jehova.’
39 E juve, o shpia e Izraelit, Zoti Jehova, që sundon mbi krejt, po ju thotë: ‘Shkoni pra, ju krejt, edhe shërbejuni idhujve tuaj t’neveritshëm. Po nëse edhe mas kësaj s’më ndigjoni, atëherë s’keni me mujtë ma me ma flliqë emnin tem t’shenjtë me kurbanet tuja edhe me idhujt tuaj t’neveritshëm!’
40 ‘Se n’malin tem t’shenjtë, n’nji mal t’naltë t’Izraelit’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt, ‘aty krejt shpia e Izraelit, po, krejt ata, kanë me m’shërby mu n’atë tokë. Aty kam me u gëzu me ta. Edhe kam me i kërku dhuratat tuja, kurbanet tuja pi prodhimeve t’para edhe krejt senet tuja t’shenjta.
41 Për shkak t’erës s’mirë kam me u gëzu me ju, kur kam me ju nxjerrë pi popujve edhe kam me ju mbledhë pi vendeve ku jeni shpërnda. Edhe para syve t’popujve, unë kam me u nderu si i shenjtë mes juve.’
42 ‘Edhe ju keni me e kuptu se unë jom Jehova, kur kam me ju çu n’tokën e Izraelit, n’atë tokë që ua kam premtu me betim t’parëve tuaj.
43 Aty keni me i kujtu sjelljet tuja edhe krejt punët që i keni ba, me t’cilat e keni flliqë veten. Edhe ka me ju ardh neveri pi vetes për krejt punët e këqija që i keni ba.
44 Atëherë keni me e kuptu se unë jom Jehova, kur kam me vepru me ju për hatër t’emnit tem, e jo sipas sjelljeve tuja t’këqija a sipas punëve tuja t’prishuna, o shpia e Izraelit’, thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt.”
45 Edhe nji herë m’ka ardh nji fjalë pi Jehovait. Ajo thojke:
46 «O bir i njeriut, ktheje ftyrën kah jugu, fol kah jugu edhe fol si profet me pyllin n’tokën e jugut.
47 Thuji pyllit t’jugut: ‘Ndigoje fjalën e Jehovait. Kështu thotë Zoti Jehova, që sundon mbi krejt: “Unë kam me e ndezë nji zjarr edhe aj ka me i përpi krejt pemët e gjelbra edhe krejt pemët e thata që janë te ti. Flaka e madhe s’ka me u fikë, edhe çdo ftyrë, pi jugut deri n’veri, ka me u përcëllu pi saj.
48 Edhe krejt njerëzit kanë me e pa se unë vetë, Jehova, e kam ndezë atë zjarr, edhe aj s’ka me u fikë.”’»
49 Atëherë unë kam thanë: «Ah, o Zoti Jehova, që sundon mbi krejt! Ata po thonë për mu: ‘A s’po fol ky veç me gjëegjëza?’»