Ezekiel 22
1 Edhe ni herë m’erdh ni mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
2 «O bir i njeriut, a je gati me ia shpall gjykimin qytetit që ka faj për gjakun e derdhun, edhe me ia kallxu krejt punët e neveritshme që i ka ba?
3 Thuj: ‘Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: “O qytet, që po derdh gjak n’mes tanin, koha jote po vjen, e që po bon idhuj t’neveritshëm me e ndot veten!
4 Me gjakun që e ke derdh, je ba fajtor, e idhujt e tu t’neveritshëm t’kanë ndot. Ti vet e ke afru fundin e ditëve tua, e fundi i vjetëve tua ka ardh. Për qata, kam me t’ba që popujt me t’pas për hajgare, e krejt vendet kanë me u tallë me ty.
5 Vendet afër e larg kanë me u tallë me ty, se emnin e ki t’ndotun e je plot rrëmujë.
6 Secili prijës i Izraelit mrena teje po e keqpërdor pushtetin e vet për me derdh gjak.
7 Mrena teje, njerëzit s’kanë respekt për babën e nanën. Të hujin që banon aty e mashtrojnë, e fminë pa babë edhe vejushën i trajtojnë keq.”’»
8 «‘Vendet e mia t’shejta i përbuz, e sabatet e mia i përdhos.
9 Mrena teje ka njerëz që shpifin për tjerët, veç me derdh gjak. Mrena teje, njerëzit hanë ushqim pi kurbaneve n’male, edhe bajnë punë t’paturpshme.
10 Mrena teje e çnderojnë shtratin e babës t’vet, edhe shkojnë me ni grue që asht e papastër se i ka menstruacionet.
11 Mrena teje, njani bon punë t’neveritshme me grunë e tjetrit, ni tjetër e ndot nusen e djalit t’vet me punë t’paturpshme, e ni tjetër shkon me motrën e vet, vajzën e babës t’vet.
12 Mrena teje marrin ryshfet për me derdh gjak. Ti jep pare hua me kamatë a për me nxjerr fitim, edhe ua nxjerr paret me zor njerëzve tjerë. Po, ti m’ke harru krejt’, thotë Zotnia Sovran Jehova.
13 ‘Shiko, po i përplas duert pi neverisë për paret që i ke fitu me hile, edhe për gjakun që asht derdh mrena teje.
14 A ka me t’mbajt guximi, edhe a kanë me t’met duert e forta n’ato ditë kur unë kam me vepru kundër teje? Unë vet, Jehova, kam folë, edhe kam me vepru.
15 Kam me t’shpërnda ndër popuj, kam me t’shkapërderdh nëpër vende, edhe kam me i dhanë fund papastërtisë tane.
16 Ti ki me u çnderu para popujve, edhe ki me e kuptu që unë jom Jehova.’»
17 Edhe ni herë m’erdh ni mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
18 «O bir i njeriut, populli i Izraelit për mu asht ba si zgjyrë pa kurrfarë vlere. Krejt jonë si bakri, kallaji, hekuri e plumbi n’furrë. Jonë ba si zgjyra që mbetet pi argjendi.
19 Për qata, kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Pasi krejt jeni ba si zgjyrë pa vlerë, kam me ju mbledh n’mes t’Jerusalemit.
20 Qysh i mbledhin bashkë argjendin, bakrin, hekurin, plumbin e kallajin n’furrë, edhe i fryjnë zjarrit për me i shkri krejt, qashtu edhe unë kam me ju mbledh me hidhërim e zemërim, kam me ju fry e me ju shkri.
21 Kam me ju mbledh bashkë, edhe kam me ju fry me zjarrin e zemërimit tem, e ju keni me u shkri n’mes t’saj.
22 Qysh shkrihet argjendi n’furrë, qashtu edhe ju keni me u shkri n’mes t’saj. Atëherë keni me e kuptu që unë vet, Jehova, e kam derdh zemërimin tem mbi ju.’»
23 Edhe ni herë m’erdh ni mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
24 «O bir i njeriut, thuj: ‘Ti je ni vend që s’po pastrohesh, e që as shi s’po t’bjen ditën e zemërimit.
25 Profetët e tu kanë ba marrëveshje t’fshehtë mes veti mrena teje, si ni luan që ulërin e e shqyen prenë. Ata i përpijnë njerëzit. Ua marrin thesaret edhe senet me vlerë. Mrena teje, kanë ba që shumë gra me met veja.
26 Priftat e tu e kanë shkelë ligjin tem, edhe vazhdimisht i përdhosin vendet e mia t’shejta. Ata s’e dallojnë atë që asht e shenjtë pi asaj që s’asht e shenjtë. As s’ua sqarojnë njerëzve qka asht e papastër e qka asht e pastër. Nuk dojnë me i mbajt sabatet e mia, edhe unë jom përdhosë mrena teje.
27 Prijësit e tu mrena teje jonë si ujq që e shqyejnë prenë. Ata derdhin gjak e vrasin njerëz, veç për me u pasunu me hile.
28 Po profetët e tu i kanë ly punët e tyne me bojë t’bardhë, për me i mbulu. Ata shohin vegime t’rrejshme, parashikojnë rrena edhe thonë: “Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova”, edhe pse Jehova s’ka folë.
29 Njerëzit e atij vendi kanë mashtru e kanë plaçkitë, i kanë trajtu keq ata që jonë n’hall edhe t’varfnit, e kanë mashtru t’huajin që banon aty, edhe s’ia kanë dhanë t’drejtën që i takon.’
30 ‘Unë kam kërku mes tyne ni njeri që me e ndreq murin e gurit, a me dalë para meje e me qëndru aty ku muri asht i çamë, për me e mbrojt atë vend që unë mos me e shkatërru. Po s’e kam gjetë asnjanin.
31 Për qata, kam me e derdh zemërimin tem mbi ta, edhe kam me i zhduk me zjarrin e zemërimit tem. Kam me ba që pasojat e punëve t’tyne me ra mbi ta vet’, thotë Zotnia Sovran Jehova.»