Libri i tret i Musës 26
1 S’guxoni me ba për veti zota të kotë, as me ngritë idhuj ose shtylla të shenjta. As mos vnon i naj figurë pi guri në tokën e juve për me u përkulë para saj. Se unë jom Jehovai, Zoti i juve.
2 Duhet me i mbajtë Sabatet e mia edhe me pasë shumë respekt për venin tem të shenjtë. Unë jom Jehovai.
3 Nëse vazhdoni me i zbatu rregullat e mia, me i mbajtë urdhnat e mi edhe me jetu simas tyne,
4 unë kom me ju dhanë shi në kohën e duhun. Toka ka me dhanë bereqetin e vet, edhe drujt e fushës kanë me dhanë frytet e veta.
5 Koha kur e shini drithin ka me zgjatë deri te vjelja e rrushit, e vjelja e rrushit deri te koha e mbjelljes. Keni me hanger bukë sa me u ngi edhe keni me jetu të sigurt në tokën e juve.
6 Unë kom me ba që në tokën e juve me pasë paqe. Keni me u shtri me flejtë pa ju tutë kërkujt. Kom me i largu pi tokës kafshët e egra që bajnë dam, edhe shpata s’ka me kalu nëpër tokën e juve.
7 Ju keni me i ndjekë armiqtë e juve, edhe ata kanë me ra të vramë me shpatë para juve.
8 Pesë vetë pi juve kanë me i ndjekë 100, e 100 kanë me i ndjekë 10 000. Armiqtë e juve kanë me ra të vramë me shpatë para juve.
9 Unë kom me ju pa me sy të mirë, kom me ju ba me pasë shumë fëmijë e me u shtu në numër, edhe kom me e mbajtë besëlidhjen teme me ju.
10 Derisa jeni hala tu e hanger bereqetin e vjetër të vitit të kalum, keni me u detyru me e nxjerrë jashtë bereqetin e vjetër për me i ba ven të korrave të reja.
11 Unë kom me e vnu tendën teme të shenjtë në mesin e juve, edhe s’kom me ju refuzu.
12 Kom me konë mes juve, kom me konë Zoti i juve, e ju keni me konë populli jem.
13 Unë jom Jehovai, Zoti i juve, që ju kom nxjerrë pi Egjiptit, që mos me konë ma skllevër të egjiptianëve. Unë i kom thy shufrat e zgjedhës që e mbajshit, edhe ju kom ba me ecë drejt, me kry nalt.
14 Po nëse nuk më ngoni edhe nuk i mbani krejt këta urdhna,
15 nëse i refuzoni rregullat e mia edhe ju vjen neveri pi vendimeve të mia, e për qata nuk i mbani krejt urdhnat e mi edhe e prishni besëlidhjen teme,
16 atëherë unë kom me ju ba kështu: Kom me ju çu vuajtje si dënim, sëmundjen e tuberkulozit edhe ethe të forta, që kanë me jua dobësu sytë edhe kanë me ju shterë fuqinë gjithnjë e ma shumë. Kot keni me e mbjellë farën e juve, se armiqtë e juve kanë me e hanger bereqetin.
17 Unë kom me dalë kundër juve edhe keni me u mundë pi armiqve të juve. Ata që ju urrejnë kanë me ju shkelë me kambë, edhe ju keni me ikë, edhe pse kërkush s’ka me ju ndjekë.
18 Nëse edhe mas krejt këtyne nuk më ngoni, kom me u detyru me ju dënu shtatë herë ma randë për gjynahet e juve.
19 Kom me jua thy krenarinë e madhe që s’po doni me u përulë, edhe kom me e ba qiellin përmi ju si hekur e tokën si bakër.
20 Keni me e harxhu fuqinë kot, se toka e juve s’ka me dhanë bereqet, as drujt e tokës s’kanë me dhanë fryte.
21 Nëse vazhdoni me m’u kundërvu edhe nuk doni me më ngu, atëherë kom me u detyru me ju dënu shtatë herë ma randë, simas gjynaheve të juve.
22 Kom me i çu kafshët e egra të fushës kundër juve. Ato kanë me jua rrëmby fëmijët, me jua mbytë bagëtinë edhe me jua pakësu numrin, e rrugët e juve kanë me mbetë të shkreta.
23 Nëse edhe mas këtyne nuk pranoni me u ndreqë pi meje, po vazhdoni me m’u kundërvu,
24 atëherë edhe unë kom me ju dalë kundër, edhe vetë kom me ju dënu shtatë herë për gjynahet e juve.
25 Kom me ju çu shpatën e hakmarrjes, se e keni thy besëlidhjen. Kur të strehoheni në qytetet e juve, kom me ba që mes juve me u përhapë sëmundje, edhe keni me ra në duart e armikut.
26 Kur kom me jua zhdukë rezervat e bukës, dhjetë gra kanë me mujtë me jua pjekë bukën në veç nji furrë. Masanej kanë me jua nda bukën me peshë. Keni me hanger, po s’keni me u ngi.
27 Nëse edhe mas krejt këtyne nuk më ngoni edhe vazhdoni me m’u kundërvu,
28 unë kom me ju dalë kundër edhe ma fort, edhe vetë kom me u detyru me ju dënu shtatë herë për gjynahet e juve.
29 Keni me u detyru me hanger mishin e djemve të juve edhe mishin e çikave të juve.
30 Kom me i shkatërru vendet e juve të nalta të adhurimit, kom me i rrëzu mbajtëset ku digjni temjan edhe kom me i gjujtë trupat e juve të dekun mbi idhujt e juve të neveritshëm e pa jetë. Edhe kom me u largu pi juve me neveri.
31 Kom me i lonë qytetet e juve me u shkatërru pi shpatës edhe kom me i ba të shkreta vendet e juve të shenjta. S’kom me e pranu ma erën e këndshme të kurbaneve të juve.
32 Unë vetë kom me e ba tokën të shkretë, edhe armiqtë e juve që kanë me jetu aty kanë me u tmerru kur ta shohin.
33 Kom me ju shpërnda mes popujve edhe kom me nxjerrë shpatën mas juve. Toka e juve ka me mbetë e shkretë edhe qytetet e juve kanë me u shkatërru.
34 Atëherë toka ka me i shly Sabatet e veta gjatë krejt kohës që ka me nejtë e shkretë, derisa ju jeni në tokën e armiqve të juve. Atëherë toka ka me pushu, se duhet me i shly Sabatet e veta.
35 Krejt kohën që ka me nejtë e shkretë, toka ka me pushu, se nuk ka pushu gjatë Sabateve të juve, kur ju jetojshit aty.
36 Sa për ata që kanë me mbetë gjallë, unë kom me ba që zemrat e tyne me u mbushë me dëshpërim në tokën e armiqve të tyne. Edhe zhurma e nji gjethje që e merr era ka me i shti me ikë. Kanë me ikë si dikush që po ikë pi shpatës, edhe kanë me ra, edhe pse kërkush s’ka me i ndjekë.
37 Kanë me u pengu e me ra njani mbi tjetrin, sikur po ikin pi shpatës, edhe pse kërkush s’ka me i ndjekë. S’keni me mujtë me ju qëndru përballë armiqve të juve.
38 Keni me u zhdukë mes popujve, edhe toka e armiqve të juve ka me ju përpi.
39 Ata pi juve që kanë me mbetë gjallë, kanë me u lanë në tokat e armiqve të tyne, ku kanë me u shue në mjerim për shkak të fajit të juve. Po, kanë me u shue në mjerim edhe për shkak të fajeve të baballarëve të tyne.
40 Atëherë ata kanë me e pranu fajin e vet, bashkë me fajin edhe pabesinë e baballarëve të tyne. Kanë me pranu që nuk m’kanë nejtë besnikë kur m’u kanë kundërvu,
41 e për qata edhe unë ju kom dalë kundër edhe i kom çu në tokën e armiqve të tyne.
Ndoshta atëherë zemra e tyne e parrethpreme ka me u përulë, edhe ata kanë me pagu për fajin e tyne.
42 Atëherë unë kom me e kujtu besëlidhjen teme me Jakobin, besëlidhjen teme me Isakun edhe besëlidhjen teme me Abrahamin. Kom me e kujtu edhe tokën.
43 Kur ata e kanë lanë tokën, ajo ka mbetë e shkretë pa ta edhe i ka shly Sabatet e veta. E ata kanë pagu për fajin e vet, se i kanë refuzu vendimet e mia edhe ju ka ardhë neveri pi rregullave të mia.
44 Po edhe kur jonë në tokën e armiqve të tyne, unë prapë s’kom me i refuzu krejtësisht, as s’ka me më ardhë aq shumë neveri pi tyne sa me i zhdukë krejt, se qashtu e kisha thy besëlidhjen teme me ta. Se unë jom Jehovai, Zoti i tyne.
45 Për hatër të tyne kom me e kujtu besëlidhjen që e kom ba me të parët e tyne, të cilët i kom nxjerrë pi Egjiptit para syve të popujve, për me kallxu që jom Zoti i tyne. Unë jom Jehovai.’»
46 Këto jonë rregullat, vendimet edhe ligjet që Jehovai ua ka dhanë izraelitëve përmes Moisiut në malin Sinai.