Jobi 27
1 Jobi ka vazhdu me folë edhe ka thanë:
2 «Pasha Zotin e gjallë, që s’ma ka dhanë drejtësinë, pasha
t’Gjithëfuqishmin e gjallë, që ma ka bo jetën t’idhët:
3 Përderisa hala kom frymë n’vete, edhe
fryma pi Zotit asht n’hundën teme,
4 pi buzëve t’mia s’ka me dalë kurrfarë padrejtësie,
edhe gjuha jem s’ka me mërmëritë fjalë mashtruese!
5 Për mu as që vjen n’shprehje me ju thanë që keni t’drejtë!
Deri sa t’vdes, s’e lshoj ndershmërinë teme!
6 Drejtësinë teme e maj fort edhe kurrë s’e lshoj.
Zemra jem s’ka me m’qortu përderisa jom gjallë.
7 Armiku jem le t’bohet si njerëzit e këqij, e
ata që m’sulmojnë le t’bohen si njerëzit e padrejtë.
8 Se çfarë shprese ka njeriu që s’e ka frikë
Zotin, kur shkatërrohet, kur Zoti ia merr jetën?
9 A ka me ia ngju Zoti
britmën, kur t’i bjerë fatkeqësia?
10 A ka me konë i Gjithëfuqishmi burimi i gëzimit t’tij?
A ka me e thirrë Zotin n’çdo kohë?
11 Unë kam me ju mësu për fuqinë e Zotit.
S’ka me ju mshefë kurgjo që ka t’bojë me t’Gjithëfuqishmin.
12 Ju krejt keni pa vegime, atëherë
pse po folni fjalë krejt t’kota?
13 Qekjo asht pjesa që njeriu i keq e merr
pi Zotit, trashëgimia që tiranët e marrin pi t’Gjithëfuqishmit:
14 Edhe nëse ka shumë djem, ata kanë me vdekë pi shpata,
e pasardhësit e tij s’kanë me pasë bukë boll me hangër.
15 Ata që mbesin gjallë mas tij, ka me i varrosë nji sëmundje
ngjitëse, e gratë e tyne t’veja s’kanë me kajtë për ta.
16 Edhe nëse aj grumbullon argjend sa pluhni, edhe i
rujnë teshat e mira si me konë baltë,
17 po, edhe pse i mbledh krejt qeto, i
drejti ka me i veshë ato tesha, e
njerëzit e pafajshëm kanë me ia nda argjendin.
18 Shpija që e ndërton asht e dobët si mbështjellësi i molës,
si nji strehë që e ka bo nji roje për veti.
19 I pasun ka me ra me fjetë, po s’ka me grumbullu kurgjo.
Kur t’i çelë sytë, s’ka me pasë ma kurgjo.
20 Tmerret kanë me e kaplu si vërshimi.
Natën nji stuhi ka me e marrë me veti.
21 Era e lindjes ka me e marrë me veti, e aj ka me u zhdukë.
Era ka me e fshi pi vendit t’vet.
22 Pa pikë dhimte, aj ka me u sulë mbi të, e
ky ka me u mundu me krejt fuqinë me i shpëtu.
23 Aj ka me i përplasë duart para tij, edhe
pi vendit t’vet ka me u tallë me të.»