Jobi 30
1 Tash ata po tallen me mu, burra që jonë
ma t'ri se unë, e baballarët e tyne
s'i kisha lanë as te qentë roje t'kopës teme.
2 Qka m'ka vlejtë mu fuqia e duerve t'tyne?
Fuqia e tyne u ka sosë.
3 Mungesa e ushqimit e uria i kanë lodhë
krejt. Ata e gërryejnë tokën e thatë, që
veç u konë e shkatërrume e e shkretë.
4 Ata mbledhin barin e njelmët pi kaçubave.
Ushqimi i tyne jonë rrânjët e gjineshtrës.
5 Ata i përzajnë pi mesi i njerëzve.
U bërtasin mas si me konë hajna.
6 Ata jetojnë n'faqet e thepisuna t'grykave,
n'vrima t'tokës e n'shpella t'shkambijve.
7 Mes kaçubave bërtasin, e nën hithra
mblidhen ngjeshë njani me tjetrin.
8 Si bij t'njerëzve pa mend e pa
emën, i kanë përzanë pi vendit.
9 Po tash edhe n'kangët e tyne po tallen me mu.
Jom bo për tallje te ta.
10 Ata m'urrejnë e m'rrijnë larg.
S'ngurrojnë hiq me m'pështy n'ftyrë.
11 Se Zoti m'ka lanë pa armë e m'ka
përulë, ata s'po përmbahen ma hiq para meje.
12 N'anën teme t'djathtë ata çohen si
nji turmë e egër. M'shtijnë me ikë,
e m'qesin pengesa vdekjeprurëse n'rrugën teme.
13 Ata m'i prishin rrugët, e ma
shtojnë edhe ma shumë mjerimin,
e s'ka kush me i nalë.
14 Ata vijnë si përmes nji t'çame t'gjanë n'mur.
Mes shkatërrimit vijnë tu u rrokullisë.
15 M'ka kaplu tmerri. Dinjiteti jem asht zhdukë
si me e marrë era, e
shpëtimi jem po tretet si nji re.
16 Tash jeta jem po shkon.
Ditët e mërzisë m'kanë kaplu.
17 Natën dhimbjet m'i shpojnë eshnat, e dhimbja
që po m'gërryen s'po nalet kurrë.
18 Me nji forcë t'madhe m'u ka shëmtu petku.
Po ma nxen frymën si jaka e teshave të mia.
19 Zoti m'ka gjujtë n'lloq.
Jom bo veç pluhun e hi.
20 Po t'thërras për ndihmë, po ti s'po m'përgjigjesh.
Po çohna, po ti veç po m'kqyr.
21 Ti je kthy kundër meje pa pikë mëshire.
Me krejt fuqinë e dorës tande po m'sulmon.
22 Ti m'ngrit nalt e m'merr me erën.
Mandej m'përplas andej-knej n'stuhí.
23 Se e di që ti ke me m'çu n'vdekje,
n'shpinë ku kanë me u mbledhë krejt t'gjallët.
24 Po kërkush s'kish me e goditë nji njeri t'rrënum,
kur aj n'hall t'vet po thërret për ndihmë.
25 A s'kom kajtë për ata që po kalojnë kohë t'vështira?
A s'jom mërzitë për t'varfnin?
26 Edhe pse kom shpresu për t'mirë, m'ka ardhë e keqja.
Kom pritë dritë, po m'ka ardhë terri.
27 Trazimi mrena meje s'ka pasë fund.
Ditët e mërzisë m'kanë dalë përpara.
28 Po eci andej-knej i mërzitun e i zymtë, e s'ka dritë dielli.
Çohna mes turmës së mbledhun e thërras për ndihmë.
29 Jom bo vlla i çakallëve,
e shok i bijave t'strucit.
30 Lëkura jem asht nxi e ka ra.
Eshnat e mia po digjen pi nxehtësisë.
31 Harpa jem tash asht veç për vajtim, e
fyelli jem veç për zânin e t'kajturit.