Jeremia 26
1 N'fillim t'sundimit t'Jojakimit, djalit t'Josias, mbretit t'Judës, ka ardhë kjo fjalë pi Jehovait:
2 “Kështu thotë Jehovai: ‘Shko e qëndro n'oborrin e shpisë t'Jehovait edhe folu krejt banorëve t'qyteteve t'Judës që vijnë n'shpinë e Jehovait me e adhuru. Kallxoju krejt ato që t'kam urdhnu me ua thanë. Mos e le pa e thanë asnji fjalë.
3 Ndoshta kanë me ndëgju edhe secili ka me u kthy pi rrugës së vet t'keqe. Atëherë unë kam me ndërru mendje edhe s'kam me ua pru fatkeqësinë që kam mendu me ua pru për shkak t'punëve t'kqija që i kanë ba.
4 Thuaju atyne: “Kështu thotë Jehovai: ‘Nëse nuk m'ndëgjoni mu edhe nuk e zbatoni ligjin tem që ua kam dhanë,
5 edhe nëse nuk i ndëgjoni fjalët e shërbëtorëve t'mi, profetëve që po jua çoj vazhdimisht, prapë e prapë, po që ju s'i keni ndëgju,
6 atëherë kam me e ba këtë shpi si Shilon, edhe kam me e ba këtë qytet nji vend që krejt popujt e tokës kanë me e mallku.’”’”
7 Priftat, profetët edhe krejt populli i kanë ndëgju fjalët që Jeremia i ka thanë n'shpinë e Jehovait.
8 Kur Jeremia e ka kry me ia thanë krejt popullit gjithçka që Jehovai e ka urdhnu, priftat, profetët edhe krejt njerëzit e kanë kapë edhe i kanë thanë: “Ti ki me dekë, kjo asht e sigurt!
9 Pse ke profetizu n'emën t'Jehovait tu thanë: ‘Kjo shpi ka me u ba si Shilo, edhe ky qytet ka me u shkretu e ka me mbetë pa banorë’?” Atëherë krejt populli e ka rrethu Jeremian n'shpinë e Jehovait.
10 Kur prijësit e Judës i kanë ndëgju këto fjalë, kanë ardhë pi pallati i mbretit, kanë hyp te shpija e Jehovait edhe janë ulë te hymja e portës së re t'shpisë së Jehovait.
11 Priftat edhe profetët u kanë thanë prijësve edhe krejt popullit: “Ky njeri e meriton me u dënu me vdekje, se ka profetizu kundër këtij qyteti. Edhe ju vetë e keni ndëgju me veshët tuaj.”
12 Atëherë Jeremia u ka thanë krejt prijësve edhe krejt popullit: “Jehovai asht aj që m'ka çu me profetizu kundër kësaj shpie edhe këtij qyteti krejt ato që i keni ndëgju.
13 Për qata, ndërroni rrugët edhe veprat e juaja, edhe ndëgjojeni zanin e Jehovait, Zotit tuaj. Atëherë Jehovai ka me ndërru mendje edhe s'ka me ua pru fatkeqësinë që jua ka paralajmëru.
14 Sa për mu, unë jom n'duart e juaja. Bani me mu qka t'ju duket mirë edhe drejt.
15 Po nji sen duhet me e ditë mirë: Nëse m'vritni, keni me e ngarku veten, këtë qytet edhe banorët e tij me gjak t'pafajshëm. Se përnime Jehovai m'ka çu te ju me jua thanë krejt këto fjalë.”
16 Atëherë prijësit edhe krejt populli u kanë thanë priftave edhe profetëve: “Ky njeri s'e meriton dënimin me vdekje, se na ka folë n'emën t'Jehovait, Zotit tonë.”
17 Edhe do pleq t'vendit janë çu n'kamë edhe i kanë thanë krejt popullit që u konë mbledhë aty:
18 “Mikea pi Moreshetit ka profetizu n'kohën e Hiskias, mbretit t'Judës, edhe i
ka thanë krejt popullit t'Judës: ‘Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive: “Sioni ka
me u lavru si nji arë, Jerusalemi ka me u ba grumbuj
rrënojash, edhe mali ku asht tempulli ka me u mbulu me pyll.”’
19 A e kanë vra për qata Hiskia, mbreti i Judës, edhe krejt Juda? A s'ka pasë mbreti frikë e respekt për Jehovain edhe a s'iu ka lutë Jehovait me ua tregu mirësinë e vet? E Jehovai e ka ndërru mendjen edhe s'ua ka pru fatkeqësinë që ua ka paralajmëru. E na tash gati jemi tu ia pru vetes nji fatkeqësi t'madhe.
20 U konë edhe nji njeri tjetër që ka profetizu n'emën t'Jehovait: Urija, djali i Shemajas, pi Kirjat-Jearimi. Aj ka profetizu kundër këtij qyteti edhe këtij vendi me fjalë t'ngjashme si Jeremia.
21 Mbreti Jojakim, krejt luftëtarët e tij t'fortë edhe krejt prijësit i kanë ndëgju fjalët e tij, edhe mbreti ka dashtë me e vra. Sapo Urija e ka marrë vesh këtë sen, u tut edhe ka ikë n'Egjipt.
22 Atëherë mbreti Jojakim e ka çu Elnathanin, djalin e Akborit, bashkë me do burra tjerë n'Egjipt.
23 Ata e kanë marrë Urijan pi Egjiptit edhe e kanë pru te mbreti Jojakim. Mbreti e ka vra me shpatë edhe trupin e tij t'dekun e ka gjujtë n'varrezat e njerëzve t'thjeshtë.”
24 Po Ahikami, djali i Shafanit, i ka dalë krah Jeremias, edhe për qata Jeremia s'iu ka dorëzu popullit me e vra.