Jeremia 30
1 Qeky asht mesazhi që i ka ardhë Jeremisë pi Jehovai:
2 «Qekjo asht qka thotë Jehovai, Zoti i Izraelit: ‘Shkruji n'nji libër krejt fjalët që po t'i thom.
3 Se “po vijnë ditët”, thotë Jehovai, “kur unë kom me i mbledhë ata pi popullit tem, Izraelit edhe Judës, që i kanë marrë robër”, thotë Jehovai, “edhe kom me i kthy n'atë tokë që ua kom dhanë t'parëve t'tyne. Ata kanë me e pasë prapë për veti.”’»
4 Qeto jonë fjalët që Jehovai ia ka thanë Izraelit edhe Judës.
5 Qekjo asht qka thotë Jehovai:
«I kemi ni britmat pi frikës.
Krejt asht mbushë me tmerr e s'ka paqe.
6 Vetni pak, a munet nji burrë me
lindë fëmijë? Atëherë pse po e shoh secilin
burrë t'fortë me duer n'bark si nji
grue shtatzanë? Pse krejt ftyrat jonë zbardhë?
7 Mjerë!
Se ajo ditë ka me konë e tmerrshme.
S'ka ditë tjetër si ajo, asht kohë e vështirë për Jakobin.
Po aj ka me shpëtu pi saj.»
8 «Edhe atë ditë», thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, «unë kom me ta hjekë zgjedhën pi qafe edhe kom me e thy, e lidhëset e tua kom me i këputë. T'hujt s'kanë me e bo ma rob.
9 Populli jem ka me i shërby Jehovait, Zotit t'vet, edhe mbretit t'vet Davidit, që unë kom me ua caktu.»
10 «E ti, shërbëtori jem Jakob, mos u tut», thotë
Jehovai, «mos u frikëso, o Izrael. Se unë kom
me t'shpëtu pi larg, edhe pasardhësit e tu pi
vendit ku i kanë marrë robër. Jakobi ka me
u kthy edhe ka me jetu i qetë, pa
e trazu kërkush. Kërkush s'ka me ua shti frikën.»
11 «Se unë jom me ty», thotë Jehovai, «për
me t'shpëtu. Po krejt popujt ku t'kom
shpërnda, kom me i shkatërru. E ty s'kom
me t'shkatërru. Kom me t'qortu aq sa
duhet edhe kurrsesi s'kom me t'lonë pa dënim.»
12 Se qekjo asht qka thotë Jehovai:
«Për rrënimin tand s'ka shërim.
Varra jote s'ka shërim.
13 S'ka kush me ta mbrojtë çashtjen,
s'ka ilaç për me ta
shnoshë varrën. S'ka shërim për ty.
14 Krejt dashnorët e tu që t'kanë dashtë fort,
t'kanë harru. S'po t'lypin ma. Se unë
t'kom goditë si me konë armiku yt, t'kom
dënu si nji njeri pa dhimt, për
shkak t'fajit tand t'madh edhe gjynaheve t'tuja t'shumta.
15 Pse po bërtet për rrënimin tand?
Dhimta jote s'ka shërim! Për shkak t'fajit
tand t'madh edhe gjynaheve t'tuja t'shumta,
unë ta kom bo qet sen.
16 Po krejt ata që po t'gëlltisin, kanë me u gëlltitë edhe
vetë, edhe krejt armiqtë e tu kanë me shku robër. Ata
që po t'grabisin, kanë me u grabitë edhe vetë, edhe
ata që po t'plaçkitin, kom me i lonë me u plaçkitë.»
17 «Po unë kom me ta kthy shnetën edhe kom
me t'i shnoshë varrët», thotë Jehovai, «edhe pse t'kanë
thirrë e përzane: ‘Sioni, që s'po e lyp kërkush.’»
18 Qekjo asht qka thotë Jehovai: «Unë kom me i mbledhë
ata që i kanë marrë robër pi tendave t'Jakobit, edhe
kom me pasë dhimt për vendet ku banojnë. Qyteti ka
me u ndërtu prapë mbi gërmadhat e veta edhe kulla
e mbrojtjes ka me nejtë aty ku e ka vendin.
19 Ka me u ni zani i njerëzve tu
falënderu edhe tu qeshë. Unë kom me i shtu,
e s'kanë me konë pak. Kom me ua
shtu numrin edhe s'kanë me konë pa rëndësi.
20 Djemtë e tij kanë me e pasë si ma herët edhe
bashkësia e tij ka me nejtë e fortë para meje. Krejt
ata që e shtypin, unë kom me u marrë me ta.
21 Prijësi i tij i madh ka me dalë pi mesit t'tyne,
sundimtari i tij ka me dalë pi vetë popullit. Unë kom
me e afru te vetja edhe aj ka me ardhë te
unë.» «Se kush tjetër kish guxu me m'u afru?», thotë Jehovai.
22 «Edhe ju keni me u bo populli jem, e unë kom me konë Zoti juej.»
23 Kqyrni!
Pi Jehovai ka me shpërthy nji stuhi e tërbueme, nji stuhi shkatërruese ka me ju ra mbi krye t'këqijve.
24 Zemërimi i flaktë i Jehovait s'ka me u largu, derisa
Zoti t'i kryj edhe t'i qoj n'vend krejt qellimet e zemrës
së vet. N'fund t'ditëve keni me e kuptu qet sen.