Ezekiel 26
1 Në vitin e njimbëdhjetë, ditën e parë të mujit, më ka ardh nji fjalë pi Jehovës. Ajo thojke:
2 “O bir i njeriut, Tiri ka thanë për Jerusalemin: ‘Haha! Porta e popujve u thy! Tash krejt ka me m’taku mu, edhe tash që qyteti asht shkretu, unë kam me u pasunu.’
3 Për qata, Zotnia Sovran Jehova po thotë: ‘Unë jom kundër teje, o Tir, edhe kam me i çu shumë popuj kundër teje, qysh deti që i çon valët njana mas tjetrës.
4 Ata kanë me t’i shkatrru muret edhe me t’i rrëzu kullat, e unë kam me ta hjek krejt dheun edhe kam me të bo nji shkëmb të lëmuem e të zhveshun.
5 Ti ke me u bo nji ven ku thahen rrjetat që tërhiqen për peshkim, n’mes të detit.’ ‘Se
unë vet kom folë’, thotë Zotnia Sovran Jehova, ‘edhe ti ke me u bo plaçkë për popujt.
6 Vendbanimet tua n’tokë kanë me u shkatrru me shpatë, edhe kanë me e marrë vesh që unë jom Jehova.’
7 Se qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Unë po e sjelli mbretin Nebukadnezar të Babilonisë pi veriut kundër Tirit. Aj asht mbret i mbretave, edhe vjen me kuaj, karroca lufte, kalorës edhe nji ushtri me shumë ushtarë.
8 Aj ka me i shkatrru me shpatë vendbanimet tua n’tokë, ka me ngrit nji ledh të fortë, ka me grumbullu dhe për me të rrethu edhe ka me ngrit nji mburojë të madhe kundër teje.
9 Ka me ju ra mureve tua me nji trung të randë për me i thy, edhe me sakica ka me t’i rrëzu kullat.
10 Aj ka me pas aq shumë kuaj, sa pluhni i tyne ka me të mbulu. Prej zhurmës së kalorësve, rrotave edhe karrocave të tij, muret tua kanë me u dridhë kur aj ka me hi n’portat tua, qysh hyjnë burrat që sulmojnë nji qytet me mure të çame.
11 Thundrat e kuajve të tij kanë me t’i shkelë krejt rrugët. Aj ka me ta vra popullin me shpatë, edhe shtyllat tua të fuqishme kanë me ra përtokë.
12 Kanë me t’i plaçkit pasunitë edhe mallnat e tregtisë. Kanë me t’i rrëzu muret edhe shpitë e bukura. Masanej, gurët, trarët edhe rrënojat tua kanë me i gjujt n’ujë.’
13 ‘Unë kam me ia nalë zhurmën kangëve tua, edhe tingulli i harpave tua s’ka me u ni ma.
14 Kam me të bo nji shkëmb të lëmuem e të zhveshun, edhe ti ke me u bo nji ven ku thahen rrjetat që tërhiqen për peshkim. Kurr ma s’ke me u ndërtu, se unë, Jehova, kom folë’, thotë Zotnia Sovran Jehova.
15 Qeshtu i thotë Zotnia Sovran Jehova Tirit: ‘Kur ka me u ni zhurma e rrëzimit tand, kur ata që po vdesin kanë me rënku, edhe kur shumë veta kanë me u vra n’mes teje, a s’kanë me u dridhë ishujt pi frikës?
16 Krejt sundimtarët e detit kanë me zhdryp pi fronet e tyne, kanë me i hjek mantelat e bukur edhe teshat e qëndisuna, edhe ka me i kapë dridhja. Kanë me u ulë përtokë, kanë me u dridhë pa nalë edhe kanë me të kqyrë të tmerrum.
17 Kanë me ia nis nji kange vajtimi për ty edhe kanë me të
thanë: “Qysh u shkatrruve kështu, ti qytet i lavdum, ku kanë banu njerëz
pi deteve! Ti, bashkë me banorët e tu, u konë nji fuqi
e madhe në det, edhe ia keni shti frikën krejt banorëve të tokës.
18 Ishujt kanë me u dridhë ditën kur ti ke me ra, ishujt
e detit kanë me u tronditë kur ti s’ke me konë ma.”’
19 Se qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Kur kam me të shkretu, qysh jonë shkretu qytetet ku s’banon kërkush, kur kam me i lëshu vërshimet mbi ty edhe ujna të mdhaja kanë me të mbulu,
20 atëherë kam me të çu te populli i kohëve të lashta, bashkë me ata që zhdrypin me ty n’vorr. Kam me të lanë me banu n’vendin ma të thellë, bashkë me ata që zhdrypin n’vorr, n’ato vende që jonë si vendet e shkretume qysh moti, që te ti mos me banu ma kërkush. Masanej kam me i dhanë lavdi tokës së të gjallëve.
21 Kam me sjell mbi ty nji tmerr të papritun, edhe ti s’ke me konë ma. Kanë me të lypë, po kurr ma s’kanë me të gjetë’, thotë Zotnia Sovran Jehova.”