Ezekiel 28
1 Edhe nji herë m’erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
2 «O bir i njeriut, thuji prijësit t’Tirit:
‘Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova:
“Pasi zemra jote u ba mendjemadhe, ti vazhdimisht po thu:
‘Unë jom zot.
Jom ulë n’fronin e nji zoti n’mes t’detit.’ Po ti je veç njeri e jo zot, edhe pse n’zemrën tande po e mban veten për zot.
3 Ti je ma i mençëm se Danieli.
S’ka kurrfarë fshehtësie që asht e msheftë për ty.
4 Me mençunin tande edhe me aftësinë me i dallu gjanat, ke fitu pasuni, edhe n’vendet
ku i run thesaret e tua, po grumbullon gjithnjë e ma shumë ar e argjend.
5 Me zotësinë tande n’tregti ke fitu pasuni t’madhe, edhe
zemra jote u ba mendjemadhe për shkak t’pasunisë tane.”’
6 ‘Për qata, kështu thotë Zotnia Sovran Jehova:
“Pasi n’zemrën tande po e mban veten për zot,
7 kam me i çu kundër teje t’huajt, ma t’pamëshirshmit pi
krejt popujve, edhe ata kanë me i nxjerrë shpatat kundër shkëlqimit
t’mençunisë tande, edhe kanë me ta ndot bukurinë tande t’mrekullueshme.
8 Ata kanë me t’rrëzu n’vorr, edhe ki
me dekë me dhunë n’mes t’detit t’hapun.
9 A ki me i thanë hala atij që po t’vret: ‘Unë jom zot’? Ti ki
me konë veç njeri e jo zot, n’duert e atyne që kanë me t’ndot.”’
10 ‘N’duert e t’huajve ki me dekë si ata që s’jonë
t’rrethpremë, se unë vet kam folë’, thotë Zotnia Sovran Jehova.»
11 Edhe nji herë m’erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
12 «O bir i njeriut, knoje nji kangë vajtimi për mbretin e Tirit edhe thuji:
‘Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova:
“Ti u konë shembull i përsosmërisë, plot mençuni edhe me bukuri t’përsosun.
13 Ti u konë n’Eden, n’kopshtin e Zotit.
Krejt llojet e gurëve t’çmueshëm t’zbukurojshin:
rubini, topazi edhe diaspri, krizoliti, oniksi edhe nefriti, safiri, bruzi edhe smeraldi.
Ata u konë t’vendosun e t’punum n’ar.
Ditën kur je kriju, ata u punun.
14 Unë t’kam caktu me konë kerubini i vajosun që mbron.
Ti u konë n’malin e shenjtë t’Zotit, edhe ecje n’mes t’gurëve t’zjarrtë.
15 Pi ditës kur je kriju, krejt rrugët e tua u
konë pa faj, derisa te ti u gjet padrejtësi.
16 Pi tregtisë tande t’madhe, u mbushe me dhunë edhe ia
nise me ba gjynahe. Për qata, s’je ma i shenjtë,
edhe kam me t’përzanë pi malit t’Zotit e kam
me t’zhduk, o kerubin që mbron, larg pi gurëve t’zjarrtë.
17 Zemra jote u ba mendjemadhe për shkak t’bukurisë tane.
E ke prish mençunin tande për shkak t’shkëlqimit tand t’madh.
Kam me t’gjujt për tokë.
Kam me t’ba që mbretat me t’shiku si nji shfaqje.
18 Me fajet tua t’mëdhaja edhe me tregtinë tande t’pandershme, i ke përdhos vendet e tua t’shejta.
Kam me ba që nji zjarr me shpërthy mrena teje, edhe aj ka me t’djegë krejt.
Kam me t’ba hi për tokë, para syve t’krejt atyne që t’shikojnë.
19 Krejt ata që t’kanë njoft n’mes t’popujve, kanë me t’shiku
t’tmerrum. Fundi yt ka me ardh papritmas edhe ka me
konë i tmerrshëm, e masanej ki me u zhduk përgjithmonë.”’»
20 Edhe nji herë m’erdh nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
21 «O bir i njeriut, ktheje ftyrën kah Sidoni edhe profetizo kundër atij qyteti.
22 Thuj: ‘Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: “Unë jom kundër teje, o Sidon, edhe kam me
u madhnu n’mes tand. Edhe njerëzit kanë me e kuptu që unë jom Jehova, kur
ta zbatoj gjykimin tem mbi të, edhe kur t’kallxoj që jom i shenjtë n’mes t’tij.
23 Kam me ia çu murtajën, edhe rrugëve t’tij ka me rrjedh gjak.
T’vramët kanë me ra n’mes t’tij, kur shpata ka me goditë mrena tij pi krejt anëve.
Edhe njerëzit kanë me e kuptu që unë jom Jehova.
24 Atëherë populli i Izraelit s’ka me pasë ma përreth shkurre që thumbojnë e therra që shkaktojnë dhimt, pra ata që e trajtojnë me përbuzje. Edhe njerëzit kanë me e kuptu që unë jom Zotnia Sovran Jehova.”’
25 ‘Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: “Kur ta mbledhi prapë popullin e Izraelit pi popujve ku u shpërnda, kam me kallxu që jom i shenjtë n’mes t’tij, para syve t’popujve. Edhe aj ka me banu n’vendin e vet, që ia kam dhanë shërbëtorit tem Jakobit.
26 Ata kanë me jetu aty t’sigurt, kanë me ndërtu shpija edhe kanë me mbjellë vneshta. Po, kanë me jetu t’sigurt, kur unë ta zbatoj gjykimin tem mbi krejt ata përreth që i trajtojnë me përbuzje. Edhe ata kanë me e kuptu që unë jom Jehova, Zoti i tyne.”’»