Ezekiel 29

Aus bibla-popullore.org
Version vom 24. Oktober 2026, 21:18 Uhr von BiblaPopulloreBot1337 (Diskussion | Beiträge)
(Unterschied) ← Nächstältere Version | Aktuelle Version (Unterschied) | Nächstjüngere Version → (Unterschied)
Zur Navigation springen Zur Suche springen


1 Në vitin e dhjetë, ditën e dymbëdhjetë të mujit të dhjetë, më ka ardh nji fjalë pi Jehovës. Ajo thojke:

2 “O bir i njeriut, drejtoje ftyrën kah faraoni, mbreti i Egjiptit, edhe profetizo kundër tij e kundër krejt Egjiptit.

3 Thuji:
‘Qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova:
“Unë jom kundër teje, o faraon, mbret i Egjiptit, ti përbindësh i madh i ujit, që rrin n’mes të degëve të Nilit tand, që ke thanë:
‘Nili asht i jemi.
Unë e kom bo vetë.’

4 Kam me t’i ngul grepat në nofulla edhe kam me bo që peshqit e Nilit tand me t’u ngjit për luspa.
Kam me të nxjerrë pi Nili bashkë me krejt peshqit e Nilit tand që t’jonë ngjit për luspa.

5 Kam me të lanë në shkretinë, ty edhe krejt peshqit e Nilit tand.
Ke me ra në nji ven të hapët, edhe kërkush s’ka me të çu as me të mbledhë.
Kam me të lanë si ushqim për kafshët e egra të tokës edhe për shpezët e qiellit.

6 Atëherë krejt banorët e Egjiptit kanë me e marrë vesh që unë jom Jehova, se
ata për shpinë e Izraelit s’jonë konë mbështetje ma e fortë se nji fije kashte.

7 Kur të kanë kapë për dore, ti je
përthy edhe ua ke shqy supin. Kur
jonë mbështet në ty, ti je thy, edhe
ua ke bo kambët me u lëkundë.”

8 Për qata, Zotnia Sovran Jehova po thotë: “Unë kam me sjellë shpatën kundër teje edhe kam me i hjek pi teje njerëzit edhe kafshët.

9 Egjipti ka me u bo nji ven i lanun e i shkretum. Edhe kanë me e marrë vesh që unë jom Jehova, se ti ke thanë: ‘Nili asht i jemi. Unë e kom bo vetë.’

10 Po, unë jom kundër teje edhe kundër Nilit tand. Kam me e shkretu Egjiptin, kam me e tha edhe kam me e bo nji ven krejt të shkretë e të lanun, pi Migdoli deri në Sienë e deri te kufini i Etiopisë.

11 As njeri e as bagëti s’ka me kalu në kambë nëpër të, edhe për 40 vjet s’ka me banu kërkush aty.

12 Kam me e bo Egjiptin venin ma të shkretum pi krejt vendeve, edhe qytetet e tij kanë me konë ma të shkretumet pi krejt qyteteve për 40 vjet. Kam me i shpërnda egjiptianët nëpër popuj edhe me i përhapë nëpër vende.”’

13 ‘Se qeshtu po thotë Zotnia Sovran Jehova: “Mas 40 vjetëve kam me i kthy egjiptianët pi popujt ku jonë shpërnda.

14 Kam me i kthy egjiptianët që jonë marrë robër në tokën e Patrosit, në vendin pi ku e kanë prejardhjen, edhe aty kanë me u bo nji mbretni e vogël, pa shumë rëndësi.

15 Egjipti ka me konë ma i dobët se mbretnitë tjera edhe s’ka me sundu ma mbi popujt tjerë. Kam me e bo aq të vogël, sa s’ka me mujtë me i nënshtru ma popujt tjerë.

16 Egjipti kurr ma s’ka me konë mbështetje ku izraelitët kanë me pas besim. Përkundrazi, veç ka me ua kujtu fajin që e kanë bo kur jonë kthy kah egjiptianët për me lyp ndihmë. Edhe kanë me e marrë vesh që unë jom Zotnia Sovran Jehova.”’”

17 Në vitin e njizet e shtatë, ditën e parë të mujit të parë, më ka ardh nji fjalë pi Jehovës. Ajo thojke:

18 “O bir i njeriut, mbreti Nebukadnezar i Babilonisë e ka shti ushtrinë e vet me punu shumë randë për me e pushtu Tirin. Krejt ushtarëve ju kanë bo kokat tullac, edhe krejtve ju jonë gërry supet. Po as aj, as ushtria e tij, s’kanë marrë kurrfarë shpërblimi për krejt mundin që e kanë hjek kundër Tirit.

19 Për qata, Zotnia Sovran Jehova po thotë: ‘Unë po ia jap mbretit Nebukadnezar të Babilonisë tokën e Egjiptit. Aj ka me ia marrë pasuninë, ka me marrë shumë plaçkë edhe ka me plaçkitë shumë. Ky ka me konë shpërblimi për ushtrinë e tij.’

20 ‘Si shpërblim për mundin që e ka hjek tu e pushtu qytetin, kam me ia dhanë Egjiptin, se këtë punë e kanë bo për mu’, thotë Zotnia Sovran Jehova.

21 Atë ditë kam me bo që shpisë së Izraelit me i dalë nji bri, edhe ty kam me ta dhanë mundësinë me folë n’mes tyne. Edhe ata kanë me e marrë vesh që unë jom Jehova.”