Isaia 31
1 Mjerë ata që zhdrypin në Egjipt me kërku
ndihmë, që mbështeten te kuajt, që kanë
besim te qerret e luftës se jonë shumë,
edhe te kuajt e luftës se jonë të
fuqishëm. Po ata s'e kthejnë shikimin kah
i Shenjti i Izraelit, as s'e kërkojnë Jehovain.
2 Po edhe aj asht i mençëm edhe ka me sjellë
fatkeqësi, e s'ka me i marrë mbrapsht fjalët e veta. Aj
ka me vepru kundër shpisë së atyne që bojnë të
këqija, edhe kundër atyne që u ndihmojnë njerëzve të këqij.
3 Po egjiptianët jonë veç njerëz, e jo Zot.
Kuajt e tyne jonë veç mish, e jo
frymë. Kur Jehovai ta shtrijë dorën e vet, secili
që jep ndihmë ka me u pengu, e
secili që merr ndihmë ka me ra. Krejt
kanë me u shkatërru në të njëjtën kohë.
4 Se Jehovai më ka thanë kështu: „Qysh luani, nji
luan i ri e i fortë, hungërin mbi prenë
e vet, kur thirret nji grup i tanë barinjsh
kundër tij, po aj s'tutet pi zanit të
tyne, e as s'frikësohet pi zhurmës që bojnë, ashtu
Jehovai, Zoti i ushtrive, ka me zhdryp edhe ka
me luftu për malin Sion edhe kodrën e tij.
5 Si zogjtë që lëshohen me shpejtësi teposhtë, Jehovai, Zoti i ushtrive, ka me e mbrojt Jerusalemin.
Aj ka me e mbrojt edhe ka me e shpëtu.
Ka me e kursy edhe ka me e çliru.“
6 „Kthehuni te aj kundër të cilit jeni çu haptas, o popull i Izraelit.
7 Se atë ditë secili pi juve ka me i hjekë qafe zotat e vet të pavlerë pi argjendi edhe zotat e kotë pi ari, që i keni bo me duert tuaja, tu bo mëkat.
8 Edhe asiriani ka me ra pi shpata, po jo pi shpata e
ndonji burri. Nji shpatë ka me e përpi, po jo shpata
e ndonji njeriu. Aj ka me ikë pi shpatës, e djemtë e
tij të ri kanë me u detyru me punu me zor.
9 Shkëmbi i tij ka me u zhdukë pi tmerrit të madh, e prijësit
e tij kanë me u tutë pi shtyllës së shenjës“, ka thanë Jehovai, që
e ka dritën e vet në Sion edhe furrën e vet në Jerusalem.