Jeremia 32
1 Kjo asht fjala që i ka ardhë Jeremias pi Jehovait n'vitin e dhjetë t'sundimit t'Zedekias, mbretit t'Judës, që u konë viti i tetëmbëdhjetë i Nebukadnezarit.
2 N'atë kohë, ushtritë e mbretit t'Babilonisë e kishin rrethu Jerusalemin, edhe profeti Jeremia u konë i burgosun n'oborrin e rojave te pallati i mbretit t'Judës.
3 Mbreti Zedekia i Judës e ka futë n'burg edhe i ka thanë: “Pse po profetizon qishtu? Ti po thua: ‘Kështu thotë Jehovai: “Unë kam me e dorëzu këtë qytet n'duart e mbretit t'Babilonisë, edhe aj ka me e pushtu.
4 Edhe Zedekia, mbreti i Judës, s'ka me mujtë me ikë pi kaldeasve. Pa tjetër ka me ra n'duart e mbretit t'Babilonisë, ka me folë me të ballë për ballë edhe ka me e pa sy më sy.”’
5 ‘Aj ka me e çu Zedekian n'Babiloni, edhe atje ka me mbetë deri sa unë t'kujdesna për të’, thotë Jehovai. ‘Edhe nëse vazhdoni me luftu kundër kaldeasve, s'keni me pasë sukses.’”
6 Jeremia ka thanë: “M'ka ardhë kjo fjalë pi Jehovait:
7 ‘Hanameli, djali i Shalumit, ungjit tand, ka me ardhë te ti edhe ka me të thanë: “Bleje arën teme n'Anatoth, se ti e ke i pari t'drejtën me e ble prapë.”’”
8 Hanameli, djali i ungjit tem, ka ardhë te unë, qysh ka thanë Jehovai. Ka ardhë n'oborrin e rojave edhe m'ka thanë: “T'lutna, bleje arën teme n'Anatoth, n'vendin e Benjaminit, se ti e ke t'drejtën me e marrë si pronë edhe me e ble prapë. Bleje për veti.” Atëherë e kam kuptu që kjo ka ndodhë qysh ka thanë Jehovai.
9 Kështu e kam ble arën n'Anatoth pi Hanameli, djali i ungjit tem. Ia kam peshu paret: 7 shekelë edhe 10 copë argjendi.
10 Masanej e kam shkru krejt marrëveshjen n'nji dokument, e kam vulosë, i kam thirrë dëshmitarët edhe i kam peshu paret me peshore.
11 E kam marrë dokumentin e blerjes, që u konë i vulosun sipas urdhnit edhe rregullave t'ligjit, edhe dokumentin tjetër që s'u konë i vulosun.
12 Masanej ia kam dhanë dokumentin e blerjes Barukut, djalit t'Nerias, djalit t'Mahsejas, para Hanamelit, djalit t'ungjit tem, para dëshmitarëve që e kanë nënshkru dokumentin e blerjes, edhe para krejt judenjve që rrishin n'oborrin e rojave.
13 Atëherë, para syve t'tyne, i kam dhanë këtë urdhën Barukut:
14 “Kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Merri këto dokumente, dokumentin e blerjes që asht i vulosun edhe dokumentin tjetër që s'asht i vulosun, edhe shtini t'dyjat n'nji enë balte, që me u rujt për nji kohë t'gatë.’
15 Se kështu thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘N'këtë vend kanë me u ble prapë shpija, ara edhe vneshta.’”
16 Masi ia kam dhanë dokumentin e blerjes Barukut, djalit t'Nerias, i jam lutë Jehovait:
17 “Ah, o Zot Sovran Jehova! Ti e ke kriju qiellin edhe tokën me fuqinë tande t'madhe edhe me krahun tand t'shtrimë. Për ty s'ka kurgjo tepër t'vështirë.
18 Ti u tregon dashni besnike mijëra njerëzve, po i len edhe djemtë me i pagu fajet e baballarëve t'vet. Ti je Zoti i vërtetë, i madh edhe i fuqishëm, që e ke emnin Jehova, Zoti i ushtrive.
19 Ti je i madh n'këshilla edhe i fuqishëm n'vepra. Sytë e tu i shohin krejt rrugët e njerëzve, që me ia dhanë secilit atë që e meriton për rrugët e veta edhe për punët që i ka ba.
20 Ti ke ba shenja edhe mrekulli n'Egjipt, që njerëzit i dinë edhe sot. Qishtu e ke ba emnin tand t'njohun n'Izrael edhe mes krejt njerëzve, qysh po shihet edhe sot.
21 Ti e ke nxjerrë popullin tand, Izraelin, pi Egjiptit me shenja, me mrekulli, me dorë t'fortë, me krah t'shtrimë edhe me vepra që kanë shti tmerr.
22 N'fund, ti ua ke dhanë këtë vend që ua ke premtu me betim t'parëve t'tyne, nji vend ku rrjedh tamël edhe mjaltë.
23 Ata kanë ardhë n'këtë vend edhe e kanë marrë si pronë, po s'e kanë ndëgju zanin tand edhe s'e kanë zbatu ligjin tand. S'kanë ba asnji sen pi atyne që ti ua ke urdhnu, e për qata ti ua ke pru krejt këtë fatkeqësi.
24 Kqyre! Kanë ndërtu grumbuj dheu për me e rrethu edhe me e pushtu qytetin. Për shkak t'shpatës, urisë edhe murtajës, qyteti pa tjetër ka me ra n'duart e kaldeasve që po luftojnë kundër tij. Krejt qka ke thanë ti, ka ndodhë, qysh po e sheh edhe vetë tash.
25 Po ti m'ke thanë, o Zot Sovran Jehova: ‘Bleje arën me pare edhe thirri dëshmitarët’, edhe pse qyteti pa tjetër ka me u dorëzu n'duart e kaldeasve.”
26 Atëherë Jeremias i ka ardhë kjo fjalë pi Jehovait:
27 “Ja ku jom unë, Jehovai, Zoti i krejt njerëzve. A ka naj sen tepër t'vështirë për mu?
28 Për qata, kështu thotë Jehovai: ‘Unë kam me e dorëzu këtë qytet n'duart e kaldeasve edhe t'mbretit Nebukadnezar t'Babilonisë. Aj ka me e pushtu.
29 Edhe kaldeasit që po luftojnë kundër këtij qyteti kanë me hy mrena, kanë me ia kallë flakën edhe kanë me e djegë krejt qytetin, bashkë me shpitë ku njerëzit kanë ba kurbane për Baalin mbi kulmet e tyne edhe kanë derdhë kurbane t'pijes për zota tjerë, që me m'zemëru mu.’
30 ‘Se populli i Izraelit edhe i Judës, qysh n'rini t'vet, veç atë që asht e keqe n'sytë e mi e ka ba. Populli i Izraelit vazhdimisht po m'zemëron me punët e duarve t'veta’, thotë Jehovai.
31 ‘Se ky qytet, qysh pi ditës kur u ndërtu e deri sot, për mu u konë veç shkak zemërimi edhe hidhërimi. Për qata duhet me e hjekë pi syve t'mi,
32 për shkak t'krejt t'kqijave që populli i Izraelit edhe i Judës i ka ba për me m'zemëru mu. Këtu hyjnë krejt njerëzit, mbretat e tyne, prijësit e tyne, priftat e tyne, profetët e tyne, burrat e Judës edhe banorët e Jerusalemit.
33 Ata vazhdimisht ma kanë kthy shpindën e jo ftyrën. Edhe pse jom mundu me i mësu vazhdimisht, prapë e prapë, asnjani s'ka dashtë me ndëgju edhe me e pranu qortimin.
34 Edhe i kanë vendosë idhujt e tyne t'neveritshëm n'shpinë që e mban emnin tem, për me e fëlliqë.
35 Kanë ndërtu edhe vende t'nalta për Baalin n'luginën e djalit t'Hinomit, që me i djegë djemtë edhe vajzat e veta si kurban për Molekun. Unë s'ua kam urdhnu kurrë këtë sen, e as s'më ka shku najherë n'mend që ata kanë me ba nji sen kaq t'neveritshëm, e me e shty Judën me ba gjynah.’
36 Për qata, kështu thotë Jehovai, Zoti i Izraelit, për këtë qytet, për të cilin ju po thoni që ka me ra n'duart e mbretit t'Babilonisë për shkak t'shpatës, urisë edhe murtajës:
37 ‘Unë kam me i mbledhë pi krejt vendeve ku i kam shpërnda me zemërim, me hidhërim edhe me mllef t'madh. Kam me i kthy n'këtë vend edhe kam me i lanë me jetu t'sigurt.
38 Ata kanë me u ba populli jem, e unë kam me konë Zoti i tyne.
39 Edhe kam me ua dhanë nji zemër edhe nji rrugë t'njejtë, që me pasë gjithmonë frikë e respekt për mu, për t'mirën e tyne edhe për t'mirën e fëmijëve t'tyne mas tyne.
40 Edhe kam me ba me ta nji besëlidhje t'amshume. S'kam me u largu pi tyne, po kam me vazhdu me ju ba t'mirë. Edhe kam me ua shti n'zemër frikën edhe respektin për mu, që ata mos me u largu pi meje.
41 Kam me u gëzu shumë tu ju ba t'mirë, edhe kam me i mbjellë fort n'këtë vend, me krejt zemrën edhe shpirtin tem.’”
42 “Se kështu thotë Jehovai: ‘Qysh ia kam pru këtij populli krejt këtë fatkeqësi t'madhe, qashtu kam me ia pru edhe krejt t'mirat që ia kam premtu.
43 Edhe n'këtë vend kanë me u ble prapë ara, edhe pse ju po thoni: “Ky vend asht shkretinë, pa njerëz e pa kafshë, edhe u asht dorëzu kaldeasve.”’
44 ‘Njerëzit kanë me ble ara me pare, kanë me i shkru dokumentet e blerjes, kanë me i vulosë edhe kanë me i thirrë dëshmitarët n'vendin e Benjaminit, n'rrethinën e Jerusalemit, n'qytetet e Judës, n'qytetet e malësisë, n'qytetet e ultësinës edhe n'qytetet e jugut. Se unë kam me i kthy ata që janë marrë rob’, thotë Jehovai.”