Jeremia 35
1 Qeky asht mesazhi që i ka ardhë Jeremisë pi Jehovai, n'kohën e Jojakimit, djalit t'Josias, mbretit t'Judës:
2 «Shko te familja e rekabitëve, fol me ta edhe çoji n'shpinë e Jehovait, n'njonën pi dhomave ku hahet. Masanej jepu venë me pi.»
3 Atëherë unë e kom marrë Jaasanjën, djalin e Jeremisë, djalit t'Habazinjës, bashkë me vllaznitë e tij, krejt djemtë e tij edhe krejt ata që i takojshin familjes së rekabitëve,
4 edhe i kom çu n'shpinë e Jehovait. I kom shti n'dhomën ku hahet, që u konë e djemve t'Hananit, djalit t'Jigdalisë, nji njeri i Zotit t'vërtetë. Ajo dhomë u konë ngat dhomës së burrave kryesorë, përmi dhomën e Maasejës, djalit t'Shallumit, rojtarit t'derës.
5 Masanej ua kom qitë përpara burrave t'familjes së rekabitëve do kupa e gota plot me venë edhe ju kom thanë: «Pini venë.»
6 Po ata m'kanë thanë: «Na s'kemi me pi venë, se Jonadabi, djali i Rekabit, i pari jonë, na e ka lonë qet urdhën: ‘As ju e as djemtë e juve mos pini kurrë venë.
7 Mos ndërtoni shpija, mos mbillni farë, mos mbillni vneshta e as mos merrni vneshta për veti. Po jetoni gjithmonë n'çadra, që me jetu gjatë n'atë tokë ku jeni t'huj.’
8 Për qata na hala po e ngojmë krejt qka na ka urdhnu Jonadabi, djali i Rekabit, i pari jonë. Kurrë s'pimë venë, as na, as gratë tona, as djemtë tanë e as çikat tona.
9 As shpija për me jetu nuk ndërtojmë, e as s'kemi vneshta, ara a farë për me mbjellë.
10 Hala jetojmë n'çadra edhe i mbajmë krejt urdhnat që na i ka lonë i pari jonë Jonadabi.
11 Po kur mbreti Nebukadnezar i Babilonisë ka ardhë me ushtri kundër kësaj toke, na kemi thanë: ‘Hajde, t'shkojmë n'Jerusalem, me shpëtu pi ushtria e kaldeasve edhe e sirianëve.’ E për qata tash po jetojmë n'Jerusalem.»
12 Masanej Jeremisë i ka ardhë qeky mesazh pi Jehovai:
13 «Qekjo asht qka thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Shko edhe thuj njerëzve t'Judës edhe banorëve t'Jerusalemit: “A s'ju kanë thanë vazhdimisht me i ngu fjalët e mia?”, thotë Jehovai.
14 “Jonadabi, djali i Rekabit, i ka urdhnu pasardhësit e vet mos me pi venë, edhe ata i kanë ngu fjalët e tij. Deri sot s'kanë pi venë, se e kanë mbajtë urdhnin e t'parit t'vet. Po ju s'më keni ngu mu, edhe pse ju kom folë prapë e prapë.
15 Edhe unë vazhdimisht i kom çu te ju krejt shërbëtorët e mi, profetët. Prapë e prapë i kom çu me ju thanë: ‘Ju lutna, kthehuni secili pi rruga e vet e keqe edhe boni qka asht e drejtë! Mos shkoni mas zotave tjerë për me ju shërby. Atëherë keni me mbetë n'atë tokë që jua kom dhanë juve edhe t'parëve tuaj.’ Po ju s'ma keni vu veshin e as s'më keni ngu.
16 Pasardhësit e Jonadabit, djalit t'Rekabit, e kanë mbajtë urdhnin e t'parit t'vet, po ky popull s'më ka ngu mu.”’»
17 «Për qata, qekjo asht qka thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Unë kom me i sjellë Judës edhe krejt banorëve t'Jerusalemit krejt ato fatkeqësi për t'cilat i kom paralajmëru. Se unë ju kom folë, po ata s'më kanë ngu. Vazhdimisht i kom thirrë, po ata s'mu kanë përgjigjë.’»
18 E familjes së rekabitëve Jeremia ju ka thanë: «Qekjo asht qka thotë Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit: ‘Pasi ju e keni ngu urdhnin e t'parit tuaj Jonadabit edhe hala po i mbani krejt urdhnat e tij, qysh ju ka thanë aj,
19 për qata Jehovai, Zoti i ushtrive, Zoti i Izraelit, thotë: “Jonadabit, djalit t'Rekabit, kurrë s'ka me i mungu nji pasardhës që m'shërben para meje.”’»