Ezekiel 31
1 N'vitin e 11-të, ditën e parë t'mujit t'tretë, m'erdh prapë nji mesazh pi Jehovait. Thojke kështu:
2 «O bir i njeriut, thuji faraonit, mbretit t'Egjiptit, edhe turmave t'tij:
‘Me kon ngjason ti për madhësinë tande?
3 Nji asirian u konë si nji kedër n'Liban, me degë
t'bukura e me kurorë t'dendun që bante hije, edhe
shumë i naltë. Maja e tij arrijke deri te retë.
4 Uji e bani t'madh, e burimet e thella e banë me u rrit shumë nalt.
Atje ku u mboll, u konë i rrethum me përrenj.
Kanalet e tyne i ujitshin krejt drujt e fushës.
5 Për qata u rrit ma nalt se krejt drujt e tjerë
t'fushës. I dolën gjithnjë e ma shumë degë, edhe degët
e tij u zgjatën, se përrenjtë ku rrike kishin shumë ujë.
6 N'degët e tij kanë ba çerdhe krejt zogjt e qiellit, nën degët
e tij krejt kafshët e egra t'fushës i kanë pjellë t'vegjlit
e vet, edhe krejt popujt me shumë banorë jetojshin n'hijen e tij.
7 Bukuria e tij edhe gjatësia e degëve t'tij u konë madhështore,
se rranjët e tij shkojshin thellë, ku kishte shumë ujë.
8 Asnji kedër tjetër n'kopshtin e Zotit s'u konë si
aj. Asnji dëllinjë s'i kishte degët si t'tijat, edhe asnji
rrap s'i kishte degët si t'tijat. Asnji dru tjetër
n'kopshtin e Zotit s'mujke me iu afru për bukuri.
9 Unë e bana t'bukur, me shumë gjethe t'denduna, edhe krejt drujt
e tjerë n'Eden, n'kopshtin e Zotit t'vërtetë, ia kishin lakmi.’
10 Për qata, kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Pasi aj u rrit aq nalt, e e çoi majën deri te retë, edhe zemra iu ba mendjemadhe për shkak t'lartësisë së vet,
11 kam me ia dhanë n'dorë sundimtarit t'fuqishëm t'popujve. Aj ka me vepru patjetër kundër tij, e unë kam me e përzanë për shkak t'ligësisë së tij.
12 T'huajt, ma t'pamëshirshmit n'mes t'popujve, kanë me e pre e me e lanë vetëm n'male. Gjethet e tij kanë me ra n'krejt luginat, e degët e tij t'thyme kanë me mbetë n'krejt përrenjtë e vendit. Krejt popujt e tokës kanë me u largu pi hija e tij edhe kanë me e lanë vetëm.
13 Krejt zogjt e qiellit kanë me jetu mbi trungun e tij t'rrëzum, e krejt kafshët e egra n'degët e tij.
14 Kjo ka me ndodhë që asnji dru pranë ujit mos me u rrit aq nalt, as mos me e çu majën deri te retë, edhe asnji dru që ka boll ujë mos me arrijtë deri te retë. Se krejt kanë me iu dorëzu vdekjes, vendit thellë nën tokë, bashkë me bijtë e njerëzve që zhdrypin n'vorr.’
15 Kështu thotë Zotnia Sovran Jehova: ‘Atë ditë kur aj ka me zhdryp n'vorr, kam me ba që me pasë zi. Po, kam me i mbulu ujërat e thella edhe kam me i ndalë përrenjtë e tij, që ai ujë i shumtë mos me rrjedhë ma. Për shkak t'tij, kam me e errësu Libanin, e krejt drujt e fushës kanë me u tha.
16 Kur aj ka me ra me zhurmë, kam me i ba popujt me u dridhë, kur ta lëshoj kedrin n'vorr bashkë me krejt ata që zhdrypin n'gropë. Edhe krejt drujt n'Eden, ma t'zgjedhunit edhe ma t'mirët e Libanit, krejt drujt që kanë pasë shumë ujë, kanë me u ngushëllu n'atë vend thellë nën tokë.
17 Ata kanë zhdryp bashkë me të n'vorr, te ata që jonë vra me shpatë, bashkë me përkrahësit e tij, që jetojshin nën hijen e tij n'mes t'popujve.’
18 ‘Cili pi drujve t'Edenit u konë si ti për madhështi e për madhësi? E prapëseprapë, ti ki me u rrëzu poshtë, n'vendin thellë nën tokë, bashkë me drujt e Edenit. Ki me nejt shtritë n'mes t'parrethpremëve, bashkë me ata që jonë vra me shpatë. Qashtu ka me i ndodhë faraonit edhe krejt turmave t'tij’, thotë Zotnia Sovran Jehova.»